Shqiptarët e Luginës protestojnë për “identitet dhe dinjitet”

    Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë protestuar të hënën për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.

    Ata protestuan në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

    Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.

    Protesta u thirr të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.

    Protestues të mbledhur në sheshin e Bujancit, në jug të Serbisë, për të demonstruar kundër, siç thonë ata, diskriminimit që Qeveria serbe po ua bën shqiptarëve, 12 gusht 2024.
    Protestues të mbledhur në sheshin e Bujancit, në jug të Serbisë, për të demonstruar kundër, siç thonë ata, diskriminimit që Qeveria serbe po ua bën shqiptarëve, 12 gusht 2024.

    Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

    “Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin (e adresave)”, tha Kamberi.

    Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.

    “Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7-pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore”, tha Kamberi.

    Marrëveshja e Konçulit u arrit në vitin 2001 për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.

    Në korrik 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatë pikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

    Kamberi e la të hapur mundësinë për protesta të tjera pas kësaj.

    Në sheshin ku u mbajt protesta, të hënën, u pa një numër i madh i policëve me uniforma dhe veshje civile. Nuk u raportua për ndonjë incident gjatë protestës.

    Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

    Një problem me të cilin përballet shqiptarët e Luginës së Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave universitare të fituara në Kosovë, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Ato kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre.

    Enis Fejzullahu, student nga Bujanoci që studion në Kosovë, foli për vështirësitë me të cilat të rinjtë e Luginës së Preshevës përballen për shkak të mosnjohjes së diplomave të tyre.

    “Studentin e Luginës së Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve dhe pas diplomimit, e ndjek barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çfarë pas përfundimit të studimeve dhe frika që nuk do të mundë të ushtrojë profesionin e tij në vendin e tij. Studenti shqiptar i Luginës së Preshevës nuk është student i zakonshëm. Për mua dhe për ne, student i Luginës që studion në Kosovë është një hero. Diplomat mund edhe mos të na i njohin, por vullnetin dhe dashurinë për këtë vend, ata kurrë nuk mund të na shuajnë. Dijen nuk mund të na e marrin. E ardhmja jonë është këtu”, tha Fejzullahu.

    Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, shqiptarët u Luginës së Preshevës u ankuan edhe për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

    Qeveria serbe e ka mohuar këtë.

    Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Nga Gucci e deri te detergjenti, Kosova treg për shumë produkte false

    Lajmi i rradhës

    Chelsea e trondit Napolin me çmimin e kërkuar për Romelu Lukakun

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë