Në seancën e sotme, Antikorrupsioni konstatoi se ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska gjatë udhëtimit të saj zyrtar në Britaninë e Madhe në periudhën nga 24 deri më 27 tetor të vitit të kaluar ka përdorur fondet zyrtare për qëllime private.
Temën në seancën e Antikorrupsionit e prezantoi anëtari Zoran Bogoevski, i cili sqaroi se pas shqyrtimit të dokumenteve që Komisioni i ka kërkuar nga Ministria e Kulturës për udhëtimin konkret zyrtar, janë vërtetuar pretendimet se ministrja e atëhershme ka shpenzuar para nga buxheti për qëllime private.
Për këtë, Bogoevski tha se antikorrupsioni do të iniciojë procedurë deri te organet kompetente.
“Nga paradhënia prej 1300 eurosh, 229 sterlina britanike janë njohur si shpenzime për përfaqësim dhe 695 paund britanikë janë njohur si shpenzime për akomodim në hotel. Siç shihet edhe nga dokumentacioni i bashkangjitur, nga gjithsej 292 paund të njohura si shpenzime për reprezentacion, 280 sterlina janë shpenzime për të cilat Antikorrupsioni vlerëson se nuk mund të cilësohen si shpenzime për reprezentacion. Krahas shpenzimeve të theksuara të bëra nga paradhënia, në dokumentacion janë evidentuar edhe tre shuma prej 528 paund, të cilat gjatë udhëtimit zyrtar janë shlyer me kartelë zyrtare të Ministrisë së Kulturës dhe janë lidhur me llogarinë e ministrisë. Nga kjo shumë, 485 paund janë shpenzime për të cilat KSHPK-ja vlerëson se nuk mund të cilësohen si të shkaktuara për qëllime të udhëtimit zyrtar”, tha Zoran Bogoevski, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit./ Alsat/