Të rriten pagat, të ulen kontributet

    Problem i rritjes së pagave në vend është mjaft kompleks dhe varet prej më shumë faktorëve si rritja e produktivitetit, rezultateve në punë, ambientit të biznesit, uljes së ekonomisë gri, subvencionimit të shtetit, por edhe uljes së ngarkesë për bizneset.

    Nga OEMVP kanë propozuar që paga minimale në sektorin privat të bëhet 30 mijë denarë, mirëpo të ulen kontributet nga 52 për qind në 32 për qind , për të rritur edhe konkurrencën e ekonomisë vendore. Disa herë deri tani, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka kërkuar që të ulen kontributet e pagave. Sipas OEMVP, vendi ynë paguan kontribute më të larta të pagave në rajon 52 për qind si normë të kontributeve nga vlera e pagës Neto prej 1000 euro. Pas Maqedonisë me 39 për qind pason Serbia dhe Shqipëria me 27 për qind. Ngarkesa më të ulëta për pagën me 14 për qind ka Kosova. Përderisa norma prej 26 për qind ka Mali i Zi.

    Vendet në rajon kanë norma më të ulëta kontributesh dhe në disa vende nuk paguhet taksë personale për pagat deri në 800 euro, thonë punëdhënësit. Kështu, për shembull, në Mal të Zi, kompanitë nuk paguajnë kontribute shëndetësore dhe pjesa e të ardhurave neto që mbetet për punëtorët është më e madhe. Gjithashtu nuk paguhet taksë personale për pagat deri në 800 euro dhe ne paguhet tatim personal edhe për pagën minimale. Në Serbi, për shembull, normat totale të kontributeve janë më të ulëta se në Maqedoni . Nga odat ekonomike, por edhe punëdhënësit dhe sindikatat mendojnë se shteti duhet të bëjë diçka në atë drejtim, pra t’u lehtësojë detyrimet kompanive nga sektori privat në mënyrë që ato të rrisin pagat.

    Nga OEMVP potencojnë rëndësinë e një fuqie punëtore stabile dhe të kualifikuar për nevojat e tregut të punës, për të cilën duhet marrë masa për parandalimin e migrimit të të rinjve. Me rritjen e pagës minimale neto në sektorin privat në 30,000 denarë, uljen e kontributeve në 32% nga paga neto, liberalizim të fuqisë punëtore në rajon, si dhe reforma në sistemin arsimor duke i veçuar profesionet dhe veprimtaritë deficitare, do të mundësojnë krijimin e kushteve optimale për punëtorët në vend dhe rritja e standardit jetësor të qytetarëve të RMV.

    “Ne kemi një propozim të kahershëm edhe ish Qeverisë po edhe Qeverisë së tanishme që paga minimale të rritet në 30 mijë denarë afër 500 euro por me një kusht që kontributet që i kemi më të larta në të gjithë rajonin të ulen në 32%, dhe kur paga minimale 500 euro për një punëtor të thjeshtë sigurisht që për pjesën tjetër do të jetë edhe më e lartë 35 mijë deri 40 mijë denarë sepse ne kemi nevojë të rritet paga minimale por jo në këtë formë siç e propozon Qeveria sepse kontributet janë shumë të larta dhe hamendja e Qeverisë ka të bëjë me 150 mijë punëtorët të administratës , kurse 650 mijë punëtorë të cilët janë në sektorin privat, kjo është problemi se si ata do ti paguajnë kontributet të cilat janë shumë të larta 47.5% në rrogën bruto që për fat të keq është edhe progresive, sa më shumë e rrit pagën penalizohet punëdhënësi se duhet t`i risë edhe kontributet. Kështu që për 1 mijë euro rrogë duhet 520 euro pagesë e kontributeve”, thotë numri një i OEMVP, Mendi Qyra.

    Vlerësohet se shteti duhet të subvencionojë kompanitë që të rriten pagat. Njëherësh në Maqedoni , përveç kontributeve më të larta, paguhet edhe taksa personale edhe për pagën minimale. Prandaj, ata mendojnë se shteti duhet të marrë diçka në atë drejtim, pra t’ua lehtësojë detyrimet kompanive nga sektori privat që të mund të rrisin pagat.

    Kjo qeveri nuk ka thënë asnjëherë se do të miratojë një ligj që do të subvencionojë rritjen e pagave. Ata mendojnë se nuk është aq e rëndësishme për ekonominë, por të dhënat tregojnë se nuk është kështu, pasi në vendet e rajonit pagat janë në rritje, dhe taksat janë më të ulëta se në vendin tonë. Kështu, për shembull, në Mal të Zi, kompanitë nuk paguajnë kontribute shëndetësore dhe pjesa e të ardhurave neto që mbetet për punëtorët është më e madhe. Gjithashtu nuk paguhet taksë personale për pagat deri në 800 euro dhe ne paguajmë tatim personal edhe për pagën minimale. Në Serbi, për shembull, normat totale të kontributeve janë më të ulëta se në vendin tonë, thekson , Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.

    Sipas tij, shuma e taksave që paguajnë kompanitë kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e pagave neto të punëtorëve. Në vendin tonë, nëse ulet norma e kontributeve të paguara për PIOM, atëherë do të ketë një vrimë më të madhe në Fond. Gjithashtu, shtrohet pyetja nëse të gjithë ata që mbushin buxhetin janë të gatshëm që një pjesë të parave të shkojnë për subvencione për PIOM-in, shton Dimitrov.

    Ai sqaron se totalin e tarifave publike nuk e paguajnë vetëm punëtorët. Buxhetin e mbushin përmes TVSH-së dhe tatimit në pronë dhe pjesën më të madhe të buxhetit e mbushin kompanitë përmes akcizës dhe doganës, tatimit mbi fitimin… Disa javë më parë, Grupi i deputetëve të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë propozoi ndryshime dhe plotësime të Ligjit për pagën minimale, me të cilin parashikohet rritja e pagës minimale në 27.700 denarë, informoi deputeti dhe lider i LSDM-së Venko Filipçe. Ai theksoi se rritja e tillë jo vetëm që do të sigurojë stabilitet financiar të punëtorëve, por edhe do të ndikojë në rritjen e pagës mesatare.

    “Në kushte të pasigurisë së madhe ekonomike, si opozitë përgjegjëse propozojmë ndryshime dhe plotësime të Ligjit për pagën minimale. Me ndryshimet parashikojmë paga minimale të rritet në 27.700 denarë, që paraqet rritje prej 12,3 për qind. Me këtë jo vetëm që do të sigurojmë stabilitet financiar të punëtorëve, por do të ndikojmë në rritjen e pagës mesatare, që do të ketë efekt pozitiv ndaj çdo familje në vend. Metodologjia për harmonizimin e pagës minimale me rritjen e shpenzimeve për jetë dhe pagën mesatare mbetet edhe më tutje si pjesë e këtij ligji, me këtë do të sigurojmë rritje të sigurt dhe të vazhdueshme të të ardhurave të qytetarëve”, theksoi Filipçe.

    Lideri i LSDM-së opozitare u bëri thirrje të gjithë deputetëve të heqin dorë nga interesat partiake dhe të japin mbështetje në nismat për rritje të pagës minimale.

    Propozimi vjen në kohën kur çmimet e produkteve bazë ushqimore janë vazhdimisht në rritje, fuqia blerëse e qytetarëve është ulur ndjeshëm, dhe shporta e konsumit në shtator 2024 ka arritur në 61.306 denarë. Lidhja e Sindikatës së fundmi ka kërkuar nga Qeveria rritjen e pagës minimale në 450 euro në 100 ditët e para, me arsyetimin se ajo është më e ulëta në rajon dhe shumë pak për të mundësuar një jetë dinjitoze për punëtorët. Sipas tyre, paga minimale duhet të jetë një pagë bazë nën të cilën nuk mund të paguhet asnjë pagë në vend. Paga minimale aktualisht është rreth 370 euro. Paga minimale në Mal të Zi është 450 euro, Serbi 423 euro, Bosnje dhe Hercegovinë 450 euro, Slloveni 1253 euro (bruto), dhe Shqipëri 385 euro. Shuma e pagës minimale neto në Kroaci nga 1 janari i vitit të ardhshëm duhet të rritet për 80 euro, nga 670 e sivjetshme në 750 euro, ose për 15 për qind.

    Një javë më parë, LSDM-ja tha se do të ri paraqet Ligjin për rritjen e pagës minimale në 450 euro. Ky ligj u hodh poshtë nga koalicioni qeveritar me arsyetimin se nuk kishte implikime fiskale. Në favor të rritjes së pagës minimale janë edhe faktet se rreth 25.000 punëtorë në Maqedoninë e Veriut marrin pagë minimale prej rreth 365 euro, 10.000 qytetarë marrin paga nga 1 denar deri në 22.567 denarë, që apostrofon edhe problemin e pagave në zarf. Punëdhënësit thonë se rritja e radhës do të jetë në pranverë të vitit të ardhshëm. Nga atje thonë se një rritje paushale e pagës minimale do të nënkuptonte rritje të pagave të punëtorëve më të dobët dhe barazimin e tyre me punëtorët e mirë që do të demotivoheshin në kompanitë që janë nuk janë në gjendje të rrisin pagat e tyre.

    Nga ana tjetër sindikatat thonë se në Bashkimin Evropian, raporti i pagës me kapitalin që mbetet për “bosat” është diku midis 60-70 për qind për pagat dhe 30-40 për qind për pronarët e bizneseve. Ndërsa Maqedonia është një vend në të cilin ndahen vetëm 10-15 për qind për pagat e punëtorëve. Gjithashtu shtojnë se 250 milionë euro vidhen në vit nga buxheti i brendshëm për shkak të mospagesës së kontributeve apo të ashtuquajturës ekonomi gri. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Komunat në RMV pa kompetenca për pyjet, por me obligime!

    Lajmi i rradhës

    Toshkovski: leje për armë morën njerëzit të cilët ligjërisht nuk kishin të drejtë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë