Drejtoria e Policisë Financiare ka bërë kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Kulturës Hysni Ismaili për punë të pakujdesshme në shërbim, gjatë së cilës ka dëmtuar buxhetin e shtetit për më shumë se gjysmë milioni euro. Policia financiare ka dërguar kallëzimin penal në prokurorinë e Tetovës.
Ish-ministri i denoncuar, thuhet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në periudhën 2019-2020, ka nënshkruar kontrata për financimin e projekteve, edhe pse për këtë nuk ka pasur para në arkën e shtetit.
“Ai ka nënshkruar vendime dhe ka lidhur kontrata me persona juridikë dhe fizikë për financimin e projekteve në vlerë të përgjithshme prej 31.824.000 denarë, ndonëse ka qenë i vetëdijshëm se me ribalancimin e buxhetit nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë të publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 126 datë 15.05.2020 mungojnë burimt financiare për detyrimet aktuale të ndërmarra tashmë në lidhje me tenderët vjetorë për financimin e projekteve”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Prokuroria ka hapur lëndë ndaj ish-ministrit Ismaili më 24 gusht 2021, pas njoftimit nga Policia Financiare për parregullsi në ndarjen e parave për projekte me interes kombëtar në fushën e kulturës për vitin 2019.