Derisa nëpër faqet e internetit për indeksin e ndotjes së ajrit në botë, shumë qytete të Maqedonisë së Veriut paraqiten si vende që thithin ajër të pa shëndetshëm, në faqen zyrtare të ministrisë së mjedisit jetësor situata paraqitet ndryshe, shkruan Alsat.
Në këtë faqe dominon ngjyra e gjelbër, që nënkupton se ndotja është në nivel të ulët në më shumë qytete të vendit. Por në disa prej pikave më të ndjeshme të ndotjes, shihet se stacionet matëse punojnë pjesërisht.
Shumë qytete në Maqedoninë e Veriut kanë probleme serioze me ndotjen, një prej tyre është edhe Strumica. Qytetarët e Strumicës të shtunën, më 1 shkurt, nën organizim të iniciativës qytetare “Lugina e shëndetshme” do të protestojnë.
Ndotja e ajrit në qytetin e Strumicës, ditëve të fundit ka aktivizuar alarmin për mbrojtje dhe rekomandime për qytetarët. Kjo për shkak të rritjes së përqendrimit të grimcave të dëmshme. Për shkak të tejkalimit të pragut të alarmit, më 8 janar u vendosën masa dhe rekomandime për këtë qytet, të cilat më vonë u shfuqizuan. Alsat kontaktoi komunën e Strumicës dhe nga atje pajtohen se ndotja është problem serioz i kësaj komune, por theksojnë se përveç angazhimit të autoriteteve lokale nevojitet ndihma edhe e institucioneve të tjera.
“Jemi angazhuar seriozisht për të zgjidhur këtë problem duke zbatuar politika të qëndrueshme dhe zgjidhje ekologjike. Por duhet të theksojmë se ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm nga Komuna, sepse për këtë problematikë nuk është kompetente vetëm ajo, por edhe institucionet dhe inspektoratet shtetërore. Nevojiten përpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara për zgjidhjen e këtij problemi”, thonë nga Komuna e Strumicës.
Për ndotjen e ajrit reagime ka edhe nga anëtarët e këshillit të komunës së Prilepit nga rradhët e LSDM-së.
“Për Jovçevskin dhe për DPMNE-në, qytetarët e Prilepit nuk kanë problem me ndotjen, sepse stacionet matëse nuk tregojnë një gjë të tillë, ndërsa nuk tregojnë sepse nuk ekzistojnë. Prilepi është qyteti I vetëm në Maqedoni, që nuk ka stacione monitoruese për matjen e cilësisë së ajrit. Nuk e dijmë sa është shkalla e ndotjes, por ajo që e dijmë është se thithim ajër kancerogjen”, tha Ivona Kuzmanoviq, anëtare e Këshillit të komunës së Prilepit, LSDM.
Pas raporteve për rritjen e ndotjes së ajrit, autoritetet kanë përforcuar kontrollet inspektuese. Javën e kaluar, SPB dhe njësiti mobil për siguri në trafik dhe rrugë në kuadër të MPB-së kanë kryer 1850 kontrolle të veturave. Tek 4 vetura janë detektuar pajisje të parregullta për matjen e emetimeve të gazrave./ Alsat/