Letërsia shqipe ndër vite

    Poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen.

    Më poshtë gjeni dhjetë libra shqiptarë që duhen lexuar:

    Vargjet e lira, Migjeni

    Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë, e re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative.
    Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrikës. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës.

    Ylli i zemrësLasgush Poradeci

    Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj.
    Libër himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë, festë e fjalës së kulluar shqipe.

    Lahuta e Malcisë, Gjergj Fishta

    Enciklopedi e jetës shqiptare, glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

    Psallme Murgu, Asdreni

    Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe, të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar.

    Net shqiptare, Mitrush Kuteli

    Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.

    Lumi i vdekur, Jakov Xoxa

    Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese.

    Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, siç janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik tradicional me gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.

    Kronikë në gur, Ismail Kadare

    Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezë sui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.

    Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja

    Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.

    Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli

    Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.

    Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli

    Libri i parë post-socialisto-realist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit, krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. /cbc.al/

    Lajmi Paraprak

    Tetovë, radhë të gjata për vaksinim

    Lajmi i rradhës

    Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

    Lajme tjera

    Shpirti i nji qyteti me shi

    Rozafa Shpuza Mirë se t’gjeta qyteti jem,me pellgje përmbytun prej ngutit të biçikletave,strehë t’qindisuna me hej malli,gjethnaja t’bame…
    Më tepër

    “Babai”

    Ismail Kadare Ai erdhi në mbrëmje i pirëafër vatrës u ul, u step.Kasketa e vjetër, e nxirë,gazeta e…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë