Postimi i Grenell-it dhe politika e ndërhyrjes në Kosovë

    Sead Zimeri, filozof / Dizajni dhe fotografia: Nistori, Veron Luma

    Richard Grenell — ish-ambasador i ShBA-së dhe aktualisht i dërguari presidencial për misione të veçanta—në një postim të fundit në X (dikur Twitter) kritikoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Grenell ka folur shpesh për Kosovën, por kjo dalje më e fundit ngriti pikëpyetje serioze, sidomos sepse ndodh në prag të zgjedhjeve vendore dhe i vihet në shenjë njërit prej liderëve më të fortë në histori të Kosovës.

    Për momentin, Albin Kurti është padyshim figura më e fuqishme politike në Kosovë. Popullariteti dhe ndikimi i tij lënë pas çdo politikan tjetër. Ndërsa vendi përgatitet për zgjedhje, pothuaj të gjitha shenjat tregojnë për një fitore të madhe për Kurtin. Përderisa parashikimet elektorale nuk janë kurrë të sigurta, është më se e dukshme se Kurti është sot personi me peshën më të madhe politike në vend.

    Një opozitë e re: nga Uashingtoni, jo nga partitë lokale

    Ajo që bie në sy tani është se sfidat ndaj Kurtit nuk po vijnë nga partitë e zakonshme opozitare në Kosovë—tashmë të testuara pa sukses kundër tij—por nga administrata e re Trump në Shtetet e Bashkuara. Nuk është ndonjë surprizë e madhe, dhe ka kohë që kam pasë frikë një skenar të tillë, jo domosdo nga vetë Presidenti Trump, por nga njerëz në orbitën e tij, si Grenell, që ndikojnë fort në vizionin amerikan për Ballkanin.

    Sa herë që Grenell flet mbi Kosovën ose Kurtin, duhet ta shohim këtë si një qëndrim që në prapavijë ka mbështetje nga Uashingtoni. Koha kur zgjodhi të flasë—aq afër zgjedhjeve—ngre shqetësime thelbësore: duke i dhënë krah opozitës në Kosovë, e cila deri më tani nuk po e gjen dot mënyrën ta sfidojë Kurtin, ai po përpiqet të dobësojë Kurtin para se të marrë mabdatin e ri.

    Nuk do të çuditesha nëse dikush nga kampi opozitar e ka nxitur Grenell-in për këtë ndërhyrje. Nëse po, kanë lëvizur me zgjuarsi; nëse jo, atëherë kanë humbur një mundësi të artë. Gjithsesi, vështirë të besohet se ky postim është thjesht opinion personal. Më shumë gjasë, është një sinjal i qartë se politika amerikane mund të marrë drejtim tjetër ndaj Kosovës në këtë administratë.

    Dilema e Kurtit: të rezistojë apo të përshtatet?

    Çështja kyçe për kryeministrin Kurti është: ta vazhdojë politikën e rezistencës apo t’i hapë rrugë presionit nga SHBA-ja? A duhet të mbrojë me ngulm interesat e Kosovës dhe të rrezikojë një përplasje me Uashingtonin, apo ta “zbusë” qëndrimin për të shmangur konfliktet?

    Postimi i Grenell-it shkaktoi valë debatesh në Kosovë. Analistë, ish-zyrtarë dhe biznesmenë u shprehën në rrjete sociale, disa të alarmuar, disa entuziastë. Për opozitën e brendshme, kjo ishte një rreze shprese: “Nëse nuk mund ta mundim Kurtin në votime, ndoshta do ta bëjë Grenell për ne.”

    Por a ka arsye për të festuar? Disa besojnë se Grenell është realisht mik i Kosovës—se vërtet ka një vizion më të mirë për të ardhmen e vendit sesa Kurti. Kjo bindje është thellësisht e gabuar. Grenell—dhe, rrjedhimisht, administrata Trump—ndjekin parimin “America First” dhe asnjëherë “Kosova First.” Nuk ka arsye të supozojmë se dikush i përqendruar tek interesat amerikane do të shqetësohet gjithmonë për Kosovën. Rastësisht interesat mund të përputhen, por nuk përjashtohet fare mundësia që SHBA-ja të jetë më afër politikave të Serbisë sesa atyre të Kosovës.

    Principi i negociatave: liri dhe sovranitet

    Atëherë, si duhet të sillet Kosova me një fuqi kaq të madhe? Politika është arti i kompromisit, por vetëm kur palët pranojnë njëra-tjetrën si të barabarta. Në terma ekonomikë a ushtarakë, shtetet rrallë janë të barabarta, por barazia formale do të thotë njohja e sovranitetit të Kosovës, njësoj si i çdokujt tjetër.

    Po, duhet të negociojmë. Por vetëm në mënyra që e çojnë shoqërinë para, pa e cenuar lirinë. Një kompromis që na bën më të dobët, më të varur apo që na rrëzon aspiratat tona themelore, s’është i pranueshëm. Asgjë s’duhet të na shtyjë të cënojmë lirinë tonë.

    Prandaj, pyetja gjithmonë mbetet: “A po sjell kjo marrëveshje më shumë drejtësi, dinjitet dhe liri?” Nëse po, ja vlen të pranohet pavarësisht humbjeve tjera. Nëse jo, atëherë duhet ta refuzojmë. Ky është motivi pse kemi nevojë për një lider që, kur takohet me diplomatë më të fuqishëm, mund t’u thotë bindshëm: “Faleminderit, por jo.”

    Politika e kaosit dhe paralajmërimi i Ezra Klein-it

    Në një shkrim të fundit te The New York Times, analisti Ezra Klein shpjegon se Trump përdor një strategji konfuzioni: lëshon pafund urdhra ekzekutivë, shpesh kontradiktorë, me qëllim që kritikët dhe institucioner përkatëse, të mos kenë kohë të reagojnë në mënyrë koherente. Në këtë situatë kaotike, disa masa zbulohen dhe sfidohen, por shumë të tjera arrijnë të realizohen pa shumë kundërshtime.

    Klein thekson se, nëse e trajtojmë Trump-in si më të fuqishëm seç është në të vërtetë, atij i krijohet imazhi i një “mbreti”. Megjithatë, Kushtetuta dhe ligjet e ShBA-së e kufizojnë realisht fushën e veprimit presidencial. Po e njëjta logjikë vlen edhe për Kosovën: nuk duhet ta marrim si të detyrueshme çdo deklaratë të emisarit amerikan. Vetëm nëse u qasemi me dije, histori dhe vetërespekt, do të dimë të ruajmë pavarësinë tonë vendimmarrëse.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    BE-ja është e gatshme për “negociatat e ashpra” me Trumpin, thotë Von der Leyen mes frikës për tarifat

    Lajmi i rradhës

    Kur shtetet demokratike ftojnë në jodemokraci

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë