Pse nuk po hetohet askush nga pushteti?

    Përderisa policia dhe prokuroria po e zgjerojnë hetimin pas zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, i cili mori 59 jetë të reja, ndërsa u lënduan mbi 190 persona, opozita edhe më tej po shpreh pakënaqësi. Nga BDI edhe njëherë kanë potencuar se nuk po kërkohet përgjegjësi nga personat, të cilët janë në funksion aktualisht, e që sipas BDI-së, janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë. “Ministri i Punëve të Brendshme është 13 muaj në funksion, drejtori i Sigurisë Publike 9 muaj, ministri i Ekonomisë 9 muaj, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut 9 muaj, Drejtoria e të Ardhurave Publike – 9 muaj. Këta janë personat që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, institucionale dhe ligjore, për të ushtruar kontroll, mbikëqyrje dhe për të parandaluar tragjedi të këtij lloji. Këta janë njerëzit që sot kanë pushtet të ndikojnë mbi provat dhe të ushtrojnë presion ndaj dëshmitarëve. Por asnjëri prej tyre nuk mban përgjegjësi”, theksojnë nga BDI.

    Nga partia e Ali Ahmetit, theksojnë se kryeministri në këtë rast po luan rolin e gjykatësit dhe prokurorit. “Kjo nuk është drejtësi. Ky është një transaksion. Një marrëveshje politike, ku kryeministri merr drejtimin e këtij spektakli gjyqësor – manipulim emocional, spektakël mediatik, devijim i vëmendjes publike, ndalim i hetimit të vërtetë dhe mbrojtje të njerëzve të pushtetit”, theksojnë nga BDI.

    Edhe nga LSDM theksojnë se të gjitha analizat krijojnë përshtypjen se hetimi është selektiv dhe i orientuar ekskluzivisht ndaj ish-funksionarëve dhe zyrtarëve, ndërsa nga hetimi po përjashtohen funksionarët aktual.

    “Deri tani, asnjë funksionar aktual nuk është përfshirë në hetim, edhe pse tragjedia ndodhi pikërisht në kohën kur ata ishin në pozita të përgjegjësisë. Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Pse asnjë funksionar aktual nuk është përfshirë në hetimin për Koçanin? Sipas informacioneve publike, dy ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut janë përfshirë në hetim për shkak të mosveprimit të dyshuar. Por, logjikisht lind pyetja: pse drejtori aktual i Inspektoratit, Vllatko Stojkoski, nuk është pjesë e hetimit?”, theksojnë nga LSDM.

    Më tej nga LSDM shtrojnë pyetjet se pse nuk po hetohen përgjegjësit që ishin në pozita në MPB, përkatësisht komandantët, inspektorët dhe drejtuesit e njësive policore në Koçan dhe Shtip, të cilët, sipas ligjit, ishin të detyruar të siguronin ngjarjen.

    “Si është e mundur të injorohen ata që atë natë ishin në detyrë, në pozita vendimmarrëse dhe me detyrim ligjor për të vepruar – por nuk e bënë? Nuk ka përgjigje për pyetjen nëse është e vërtetë që të gjithë shtatë të arrestuarit nga MPB nuk ishin në funksione natën e tragjedisë? Këto pyetje janë legjitime dhe institucionet përgjegjëse – Prokuroria Publike dhe MPB – nuk guxojnë të heshtin”, pyesin nga LSDM, nga ku thonë se drejtësia e vërtetë nuk mund të arrihet pa një hetim të plotë dhe të paanshëm.

    Përgjigje për pyetjet dhe dilemat, LSDM nuk morri nga MPB dhe Prokuroria, por nga VMRO-DPMNE. Nga “Pallati i bardhë” theksojnë se opinioni publik në vend është dëshmitar se për herë të parë, si asnjëherë më parë, institucionet shtetërore po punojnë me përkushtim për të zbardhur plotësisht tragjedinë që tronditi gjithë shtetin.

    “Për herë të parë, institucionet po arrestojnë, po marrin në pyetje dhe po hapin hetime, pa marrë parasysh përkatësinë politike apo etnike. Në një hetim të gjerë dhe gjithëpërfshirës po shqyrtohen të gjitha shkaqet që çuan në ngjarjen tragjike në Koçan dhe të gjithë përgjegjësit po nxirren para drejtësisë. Hetimi i gjerë i organeve kompetente deri më tani ka përfshirë një numër të madh personash, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake apo etnike, qofshin ata funksionarë të tanishëm apo të mëparshëm të shtetit”, theksojnë nga VMRO-DPMNE, ndërsa akuzave të LSDM-së i përgjigjen me kundër-akuza.

    “Kur LSDM flet për drejtësi selektive, mjafton të kujtojmë tragjeditë që ndodhën në të kaluarën dhe për të cilat nuk pati hetime gjithëpërfshirëse dhe askush nuk mbajti përgjegjësi. Shtatë vite në pushtet të LSDM-së dhe askush nuk mbajti përgjegjësi, nuk pati të arrestuar për tragjedi si ajo në Llaskarcë, Besa Trans apo në Spitalin Modular, ku të vetmet “fajtorë” ishin kabllot apo shasitë e automjeteve. Pyetja e vërtetë është: pse për ato tragjedi nuk pati hetime të plota dhe pse nuk pati të arrestuar e përgjegjës? A mos vallë sepse prokuroria dhe gjyqësori ishin nën kontroll të drejtpërdrejtë partiak të LSDM-së?”, theksojnë nga VMRO-DPMNE, nga ku bëjnë thirrje se tragjeditë nuk duhet të përdoren për përplasje të përditshme politike, por duhet të na bashkojnë të gjithëve.

    Ndërkohë, organet e hetimit po vazhdojnë me kontrolle të reja dhe sigurimin e provave në lidhje me hetimin që po udhëhiqet nga një ekip prej 11 prokurorësh. Siç informon MPB, janë kryer kontrolle në shtëpinë, automjetin dhe dy objekte hotelerie të pronarit të diskotekës “Puls”, si dhe në Inspektoratin Shtetëror të Tregut në Koçan. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar laptopë, disa pajisje celulare, dokumentacion dhe sende të tjera. Prokuroria Publike informoi se ekipet hetimore, gjatë kontrolleve në pesë lokacione në Koçan dhe Shkup, kanë sekuestruar pajisje shtesë elektronike dhe prova të tjera, për të cilat janë lëshuar urdhra ekspertize. Prokuroria paralajmëroi se do të lëshojë urdhër edhe për Drejtorinë e Policisë Financiare për të ndërmarrë veprime në lidhje me veprimtarinë e disa subjekteve juridike, të dyshuarve dhe personave të tjerë. Gjatë hetimit është paraparë marrja në pyetje e më shumë se 300 dëshmitarëve, si dhe veprime të tjera hetimore dhe ekspertiza për fusha të ndryshme. Numri i përgjithshëm i të dyshuarve për zjarrin në Koçan deri më tani është 34 persona. Hetimi përfshin 27 persona fizikë dhe tre subjekte juridike, ndërsa ka edhe procedura hetimore kundër shtatë zyrtarëve policorë nga Shtipi dhe Koçani.

    Tragjedia në Koçan, ku një zjarr shpërtheu në diskotekën “Puls”, u bë shkak për vdekjen e 59 personave, ndërsa mbi 190 u lënduan. Sa I përket gjendjes së pacientëve brenda dhe jashtë vendit, ministri i shëndetësisë Arben Taravari njoftoi se katër pacientë nga Spanja dhe një nga Greqia që u lënduan nga zjarri në Koçan do të kthehen gjatë ditës së sotme dhe do të vendosen në klinika gjatë 24 orëve të para. Aktualisht numri i pacientëve që trajtohen në spitalet e vendit është 23 ndërsa 113 pacientë jashtë vendit. Trendi i pacientëve që përgatiten të kthehen është në rritje tha Taravari.

    “Dje u kthyen një pacient nga Serbia dhe një nga Bullgaria. Numri i pacientëve që aktualisht po trajtohen jashtë vendit është 113, dhe me këta pesë që i presim sot, do të bjerë në 108. Po rritet trendi i pacientëve që po përgatiten për t’u kthyer. Në spitalet vendase po trajtohen 23 pacientë. Shumica e të lënduarve kanë djegie. Gjendja shëndetësore e katër pacientëve vazhdon të jetë kritike”, theksoi Taravari.

    Ministri Taravari tha se gjatë ditës së nesërme pritet që të kthehen edhe 4 pacientë që trajtohen jashtë vendit dhe që janë në gjendje stabile shëndetësore. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Në disa shkolla të Tetovës mungojnë hidrante dhe aparate kundër zjarri

    Lajmi i rradhës

    Çdo i treti fëmijë në RMV jeton në varfëri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë