“Çdo gjë është gënjeshtër”, “qytetarët janë lënë në varfëri”. Qytetarët e anketuar nga Alsat shprehen të revoltuar për çmimet, një ditë pasi autoritetet u lavdëruan se masa qeveritare për kufizimin e marzhëve ka dhënë rezultate dhe ka ulur kostot e jetesës.
“Ka ulje sepse njerëzit nuk kanë para, në vend që të blejnë dy kilogram domate ose tranguj, do të blejnë gjysmë kilogrami. Jo, nuk ka ulje, 360 denarë ishte çmimi i specit për Ramazan, kjo nuk është as në Gjermani. Asgjë nuk ka, gjithçka është gënjeshtër, asgjë”, u shpreh një qytetar.
“Ka por pak, pak, pak, shumë pak”, tha një tjetër qytetar.
“Nuk ka asgjë, asgjë, nuk ka shtet, nuk ka asgjë, nuk ka, nuk ka shtet. Çmimet e larta, pagat e ulëta, nuk ka asgjë, asgjë shoqërore, askush nuk mendon për çështjet sociale”, deklaroi një qytetar.
“Epo mirë, ata e thonë, por kur e shikon nuk është ashtu”, theksoi një tjetër qytetar.
“Katër speca djegës 50 denarë, katër speca djegës 50 denarë, ja 300 denarë fasulja, llogarit tani dhe thonë se standardi ynë është më i ulët se ai i Gjermanisë, mos më tregoni për Gjermaninë, fatura e rrymës këtë muaj më ka kushtuar 270 euro kështu që nuk jam fabrikë, kujt t’i tregosh, është e vështirë për klasën punëtore”, u shpreh një qytetar tjetër.
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, dje na thanë se sot do të marrim përgjigje për pyetjet se sa parregullsi kanë zbuluar për mosrespektimin e masës qeveritare për kufizimin e marzhave, megjithatë akoma asnjë përgjigje nga atje.
Masat e qeverisë për kufizimin e marzhës bruto të fitimit prekin 102 grupe produktesh, përfshirë më shumë se 1.000 produkte ushqimore dhe jo-ushqimore. Përveç marketeve, masa përfshin edhe kategoritë e mëposhtme të produkteve: Produkte ushqimore thelbësore: bukë, miell tip 400 dhe tip 500, vezë, vaj për gatim, qumësht, kos dhe dhallë.
Produkte ushqimore me marzhë prej 10%: mish dhe përpunime të mishit, sheqer, produkte qumështi, margarinë, gjalpë, perime dhe fruta të konservuara, fasule, oriz dhe brumëra.
Produkte ushqimore dhe mjete higjienike me marzhë prej 15%: fruta dhe perime të freskëta, detergjentë, ushqim për foshnje, pelena, sapun, letër higjienike dhe të ngjashme.