Drejtori i spitalit për mjekësi geriatrike, Muhsin Arifi, kuadër i ASH-së, përfundon në pranga, nën dyshimin për marrje ryshfeti prej 20 mijë eurove. Në pranga ka përfunduar edhe një tjetër person i dyshuar si ndërmjetësues. Aksioni i arrestimit është realizuar në koordinim mes MPB-së dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar.
“Në aksion të koordinuar të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dhe Ministrisë për Punë të Brendshme, janë arrestuar dy persona nën dyshime për vepra penale, pranim të ryshfetit dhe pranim të shpërblimit për ndikim kundër ligjor. Po veprohet për zbardhje të plotë të rastit”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Drejtori i Spitalit të specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative, Muhsin Arifi dyshohet se përmes një ndërmjetësuesi, ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet prej 20 mijë eurove për pranimin e një personi të sëmurë dhe të palëvizshëm në një objekt geriatrik. Arifi u zgjodh drejtor i spitalit geriatrik në korrik të vitit të kaluar kur në krye të Shëndetësisë erdhi Arben Taravari. Paraprakisht kryente funksionin drejtor i spitalit psikiatrik. Muhsin Arifi në të njëjtën kohë ka ushtruar edhe detyrën e kreut të degës së ASH-së së Taravarit në Saraj.
Në reagimin e parë, ASH-ja thotë se kjo bie ndesh me parimet që përfaqësojnë duke kërkuar nga organet e ndjekjes drejtësi joselektive. ASH nëpërmjet një komunikate thotë se mbeten fuqishëm të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e sistemit shtetëror.
“ASH u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që në një procedurë të shpejtë dhe efikase të sqarojnë të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me ngjarjen konkrete penale. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Dhënia e drejtësisë duhet të jetë jo selektive dhe në përputhje me të gjitha mekanizmat dhe vlerat themelore kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Arben Taravari – ASH, në Facebook.
Në Klinikën e Geriatrisë pranohen pacientë të rritur në gjendje më të rëndë shëndetësore. Trajtohen pacientë me sëmundje malinje si dhe pacientë me sëmundje kronike progresive dhe traumatike. /Alsat/