S’ka vendim për grupin parlamentar të VLEN-it

    Nuk ka ende një vendim zyrtar se si do të veprojnë deputetët e koalicionit VLEN në Kuvend, pas largimit të Aleancës për Shqiptarët nga Koalicioni VLEN. Shefi i grupit parlamentar, Halil Snopçe, i cili vjen nga radhët e ASH-së së Arben Taravarit thekson se tani për tani nuk ka ndonjë paralajmërim se koalicioni do të veprojë ndaras në Kuvend.

    “Për momentin nuk ka paralajmërim as nga ana jonë e as nga ana e partnerëve tanë se do të veprohet me grupe të veçanta parlamentare. Kjo i bie se ende po veprojmë si grup i përbashkët parlamentar. Fundja, këto vendime qoftë të njërës, qoftë të palës tjetër kanë të bëjnë për zgjedhjet e ardhshme lokale”, deklaroi Halil Snopçe, deputet i ASH.

    Kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, sot theksoi se ende nuk është biseduar se si do të funksionojë grupi parlamentar, megjithatë tha se çdo deputet do të jetë i mirëseardhur në grupin parlamentar të VLEN-it, nëse është i gatshëm të jetë pjesë e transformimit të koalicionit në një parti politike.

    “Janë veprime të cilat do të duhet ne t’i marrim nga ky moment e andej në konsultim edhe me deputetët. Sigurisht që për ne është me rëndësi që koalicioni VLEN të vazhdojë në frymën e vet. Çdo deputet është i mirëseardhur që të jetë pjesë e atij grupi parlamentar të koalicionit VLEN dhe sigurisht çdo deputet që do të jetë i gatshëm që të jetë pjesë e këtij procesi të homogjenizimit dhe ngritjes së një strukture politike të koalicionit VLEN është i mirëseardhur”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

    Grupin parlamentar të koalicionit VLEN tani për tani e përbëjnë 14 deputetë. Pesë deputetë janë të Aleancës për Shqiptarët, nga 3 të Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, 2 të Lëvizjes BESA dhe 1 deputet i pavarur, respektivisht Bekim Qoku. Sipas rregullores së Kuvendit për të formuar grup parlamentar, duhet pasur së paku pesë deputetë, që do të thotë se Taravari ka mundësi të formojë grupin e vet parlamentar nëse janë të pajtimit deputetët Halil Snopçe, Rijad Shaqiri, Mimoza Musa, Sadik Sulejmani dhe Salim Sulejmani. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Mësohet data e largimit të Ancelottit nga Real Madridit

    Lajmi i rradhës

    Barnatoret në RMV nuk pajtohen që çmimet e ilaçeve të publikohen në internet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë