Mashtrimet online vazhdojnë të shqetësojnë qytetarët. Një nga format e mashtrimeve ishin SMS porositë e postave të bashkangjitura me një link ku pas klikimit, të dhënat personale përfundojnë në duart e keqpërdoruesve. Disa qytetarë kanë pranuar porosi të tilla ndërsa disa tjerë thonë që janë të informuar për keqpërdorimet.
“Unë s’kam pranuar porosi të tillë sepse numrin nuk e kanë shumë persona por bashkëshortja punon në shëndetësi dhe dy here ka pranuar porosi të tilla por i thashë të mos i hape sepse janë mashtrime”, tha një qytetar.
“Nuk duhet të hapen porosi të tilla. Ke pranuar porosi të tillë deri tani? Më herët po, por nga kjo e reja tani jo, por më herët po por nuk i hap”, u shpreh një qytetar tjetër.
Së fundmi, janë paraqitur edhe e-maile ,ku pretendohet se janë dërguar nga Ministria e Punëve të Brendshme, në të cilat kërkohet nga përdoruesit që në afat prej 48 orësh të përgjigjën në lidhje me sanksionin, ose në të kundërtën mund të përfundojnë në burg. Deri tani, katër raste të tilla janë denoncuar në MPB.
“Sektori i Krimeve Kibernetikë, deri tani ka pranuar katër denoncime në lidhje me porositë elektronike të pranuara nga autorë që prezantohen në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EUROPOL-it dhe që u janë dërguar ftesa të rreme në lidhje me një hetim të dyshuar”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së tashmë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për sanksionimin ligjor të kryerësve të këtyre veprave. MPB-ja u bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve juridike që të mos hapin linqe në kuadër të porosive që nuk vijnë nga dërgues të verifikuar apo të njohur për ta.
Subjektet juridike të ndërmarrin masat e duhura për të mbrojtur sistemet e tyre kompjuterike nga souftueri potencial që kanë për qëllim keqpërdorimin e të dhënave nëpërmjet këtyre lloje sulmesh kibernetike. /Alsat/