Prilli i kthyer

    Kujtim Shabani / Fotografia: Nistori

    SHËNIME NGA TETOVA

    Kujtim Shabani

    Borë bie në Tetovë! Më 7 prill 2025. Ditën e parë të pushimit këtu. Mu si ditën e parë të pushimeve të fundit, të cilat i shënova në një ditar. Mu si njëherë tjetër në prill. Një mirëseardhje e bukur për atë që e do borën! Tetova është më e bukur në borë. Edhe bora është e bukur në Tetovë! Mirë që nuk vij verës këtu, se më duket se e ndjell borën.

    Këto rreshta s’janë ditar. As javar, as mujar, as vjetar, as dekadar, as shekullar. Janë ditar, memoar dhe “imagjinar” bashkë! Nuk thonë kot Lindja kujtohet në gjëra që s’kanë ndodhur, kurse Perëndimi s’kujtohet në gjëra që kanë ndodhur! Njerëz si puna ime janë të dyja! Gjithësesi këto rreshta janë vështirmi i gjërave nga këndi i njërit që ka lindur këtu, është rritur këtu-atje dhe rron atje. Atje-këtu. Janë fotografia e njërit që në Tetovë, si të gjithë mërgimtarëve, i drejtohen shpesh me pyetjet “Ç’thua ti për këtë…?”, “Si e sheh ti këtë punë?”…

    Ndër gjërat e para fare që bëjmë kur vijmë në Tetovë, është pazari. Atë e bëj në një filial të Jumbo-Veros në lagjen Teqe. Një superdyqan i furnizuar mirë. Dhe më bën përshtypje që disa nga artikujt janë të përshkruar edhe në shqip. Mirë! Disa të tjerë janë në gjermanisht. Prapë mirë. Pate ndonjë pyetje dhe i drejtohesh ndonjë punëtori aty, ngatërrohet puna. Shumica e tyre, për ters, të gjithë ata që u drejtohem unë, flasin vetëm maqedonisht! Si i thonë filan llafit në maqedonisht, nganjëherë s’më kujtohet. Apo s’e di. Më bëhet sikur këta bezdisen kur u drejtohesh në shqip. Të shohin si të paditur. Aty dëgjoj njerëz që flasin gjermanisht, italisht, frëngjisht… Ata nuk dinë maqedonisht. Të rinjtë e mërgimit edhe shqipen e flasin rëndë.

    Këta punëtorët e superdyqanit s’dinë shqip. Edhe pse punojnë në një lagje të banuar vetëm me shqiptarë dhe i shërbejnë përditë pothuajse vetëm shqiptarët. Atje ku jetoj unë ka një raport liberal me biznesin dhe kulturat. Ata të cilët nuk e njohin gjuhën e klientëve angazhohen në magazinë, në ngarkim-shkarkim. Këta punëtorë këtu s’kanë mësuar shqip as në jetë, as në punë, as në shkollë. Por, e njohin klientët shqiptarë maqedonishten. Kjo është për shitësit, dhe menaxherët e dyqanit, një gjë e vetëkuptueshme. Askush nuk sheh një keqkuptim në këtë mes. Kurth! As shqiptarët! Sepse ata kanë mësuar maqedonisht në jetë, në punë dhe në shkollë.

    Unë shkollën e kam bërë në një objekt fqi me superdyqanin. Deri në klasën e shtatë. Mbase prandaj kam shumë mall për këtë kohë, se e preva në fund. Dua të shkoj njëherë aty dhe t’i bie kryq e tërthor asaj shtëpie, të ngas nëpër korridore si në ndërrimore, të futem në të gjitha klasat ku kam nxënë, t’i bie njëherë ziles si kujdestar dite, të pi ujë në grusht te çezma e oborrit si ditën e parë të shkollës fare… Pastaj ta djeg një cigare në një qoshe të oborrit dhe vetëm të vështroj me orë të tëra, siç më pëlqente pas orarit të shkollës.

    Këtu e kam mësuar maqedonishten. Nga klasa e parë! Për këtë na kishin caktuar një mësuese maqedonase, e cila e fitonte simpatinë e nxënësve se nuk përtonte të përdorte ndonjë fjalë shipe. Sot më duket e çuditshme kur e kujtoj sa herët kaluam nga gjuha maqedonase në letërsinë maqedonase. Ende më e çuditshme më duket që biografi dhe tekste autorësh maqedonasë i mësonim në kuadër të lëndës së shqipes! Sa fluid ishte ky raport, rrëfen fakti që në klasën e katërt, lëndën e maqedonishtes na e jepte një shqiptare, e cila në të pestën u caktua t’na e jepte lëndën e shqipes. Atëherë na e sollën një maqedonas për maqedonishten. Ajo u bë në fakt ulërishte dhe mizorishte. Ky ishte turpi i fjalës mësues.

    Kur u ktheva pas tre vjetësh, në gjimnaz, ne nxënësit shqiptarë thelloheshim me javë të tëra në autorë maqedonasë, sikur do të doktoronim mbi veprën e tyre. Dy klasë maqedonase, që i kishim fqinj, s’dinin as një “mirëdita” në shqip. Ne kishim gjithë kohës një lëndë mësimore më tepër se ata dhe të mbarsur me albanofobi. Në kuadër të maqedonishtes kishim edhe një leksion për gjuhët, ku shqipja diskualifikohej si një gjuhë e folur, e pa emancipuar, joletrare… Kjo na sygjerohej ne nxënësve shqiptarë! Në fillore, në fund, na i stolisën ambientet e shkollës me portrete të rilindasve maqedonasë. Rilindja shqiptare nuk ekzistonte! Vetë shkolla, e cila kishte vetëm nxënës shqiptarë, mbante emrin e një malazezi!

    Ky është një debat filozofik mbi multikulturalizmin, të cilin shoqëritë e iluminuara e kanë ezauruar me kohë. Konceptuesit e kurikulave shkollore në Maqedoni dhe atë të Veriut e kanë instaluar maqedonishten dhe kulturën maqedonase si një kulturë eprore në vend. Statusi i privilegjuar i njërës etni mbi tjetrën zë fill në shkolla. Më vjen ndërmend edhe gjithë ajo letërsi autorësh jugosllavë e konceptuar si lektyrë shkollore në gjuhën shqipe. Duke përfshirë edhe Ivo Andriçin, i cili e ka damkosur emrin e tij përgjithmonë me shërbimet që i ka kryer politikës jugosllave për “zgjidhjen” e çështjes shqiptare. Këtë marifet e kam vërejtur ndonjëherë të fshehur edhe në librat dhuruar nga shkollat për fundvit nxënësve të shkëlqyer.

    Andriçin e rehabilitoi E. Rama në revanin e tij për ta mahnitur botën me gjoja mendësinë e tij të çliruar nga komplekset kombëtare, duke e sheqerosur fjalimin e tij në Beograd me citate të tij. Kjo vizitë u stëstilizua si historike, gjeografike, politike, ekonomike, biologjike, kimike, bombastike… Dhe solli vetëm promovimin e Vuçiçit dhe izolimin e Kosovës!

    Dakord, pra, ta njohim kulturën e tjetrit mirëfilli. Çka flet kundër, është asimetria. Nëse njëri e refuzon kulturën e tjetrit si të padenjë. Dhe nuk begenis ta mësojë as gjuhën e tij, jo më të thellohet në veprën e Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes, Dritëro Agollit, Jakov Xoxës…

    Duket shumë potencial për modelimin e bashkëjetesës në këtë hapësirë. Nuk ka urgjencë gjenialiteti për ide dhe kauza politke. Vetë mund ta imagjinoj se puna e marrëdhënieve tona pa e konsideruar kompaktësinë e shtrirjes së shqiptarëve në hapësirën e Maqedonisë së Veriut dhe vetëdijen e tyre kombëtare nuk mund të shkojë mbarë.

    Rregullimi i marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut më bëhet se ka ngelur në tentativë. Ndërrimi i sitemit politiko-ideologjik në fillim të 90-tave e la në fron paradigmën etnocentrike të shtetit, sfondin e vërtetë të sherrit ndërmjet grupeve etnike në Maqedoni. Pas konflitit të 2001-shit u dukën ca hove behari, të cilat ngecin vazhdimisht në acare. Stalakmitet dhe stalaktitet e tij i gjen në çdo qoshe të territorit, në çdo zyrë të shtetit dhe në labirinthet e trurit të njerëzve. Fillimprill!

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    “Dysania”, një problem që mundon njerëzit në mbarë botën

    Lajmi i rradhës

    PSE JEMI DUSHMANË TË PASTËRTISË?!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë