Vite me radhë edhe pushteti qendror edhe ai lokal organizojnë pastrim gjeneral të hapësirave publike nga mbeturinat që ne i hedhim, pasi kemi përfunduar një cigare, pasi kemi hapur një pako me cigare, pasi kemi blerë gjësënde në shitore dhe letrën zakonisht e hehdim në rrugë, në trotuar e gjithandej. Aksionet e këtilla janë të mira për vendet ku papastërtia është problem numër një. Por, fillimisht, kush jemi ne që e pastrojmë papastërtinë tonë. Ne, jemi ata që kur shkojmë në vende tjera frikësohemi të pijmë cigare në vende publike e jo më në hapësira të mbyllura. Ne, kur shkojmë në vende tjera, jo që nuk hedhim letra, por bëhemi më francez se vet francezi, ne bëhemi më gjerman se vet gjermani. Ne, atje nuk hedhim letra, nuk e hedhim cigaren gjithandej, nga vetura nuk e hedhim letrën e çipsit në rrugë. Sepse kemi frikë. Po, kemi frikë nga gjoba se francezi dhe gjermani nuk ta fal. Po, nuk ta fal se nuk mundesh ta ndotish ambientin që ai e konsideron të rëndësishëm, sepse hapësira publike atje është e shenjtë.
Hapësira publike atje është e barabartë me pronën private. Por, kur jemi në vendin tonë, aty e bëjmë pisllëkun. Ne, jemi ata që edhe kur pastrojmë oborrin tonë, mbeturinat i nxjerrim në rrugë. Jemi bërë “dushman” i hapësirave publike, trotuarin e konsiderojmë të panevojshëm dhe e shfrytëzojmë si deponi, koshin për mbeturina e konsiderojmë hekur tepricë që rri kot dhe pa nevojë, kurse rrugën e konsiderojmë deponi më të madhe, sidomos autostradat i kemi kosh për plehra, madje i hedhim nga vetura. Të tillë jemi ne, mungon edukata elementare e pastërtisë, sepse në shtëpi shkëlqen çdo gjë, madje në këtë kohë moderne edhe nuk pihet cigare brenda nëpër shtëpi, por në rrugën që më pas vet e përdorim aty i hedhim mbetjet.
Prandaj, aksionet për pastrim gjeneral të hapësirave publike, janë një aksion që duhet mbështetur, por na duhet një aksion për pastrim të trurit. Prej aty fillon papastërtia jonë. Truri ynë nuk e pranon dot faktin se nuk duhet të hedhim mbetje ku të na vijë neve ma lehtë. Truri ynë së bashku me mendjen, me mentalitetin dhe përditshmërinë tonë, funksionon ndryshe në vende të ndryshme. Nëse je në vendin e lindjes, ku je rritur, apo ku vazhdon të jetosh, aty mund të bësh gjithçka, por jo të njëjtën ta bësh diku tjetër, kur je i huaj.
Pastërtia nuk duhet të mbahet për shkak të dënimit, por pastërtia është arti i mirëmbajtjes së higjinës personale dhe kolektive. Është kulturë, është traditë, është mënyrë jetese pa e pasur edhe si kompleks inferioriteti. Ne edhe këtu mendojmë së prapthi. Ne, kur shohim se një vend është i papastër ne e shtojmë papastërtinë. Ne nuk e reduktojmë papastërtinë, por shkojmë ta bëjmë edhe më keq. Të tillë jemi, prandaj na duhet që të edukojmë gjeneratat tjera se pastërtia është kulturë dhe bota moderne që moti nuk flet për pastërtinë sepse e ka në gjakun e tyre.
Pra, ne e kemi problem dhe duhet që të mbjellim këtë lloj edukate në trurin e tjerëve që do të vijnë pas nesh se ne bërllog e kemi bërë gjithandej. Dhe, krejt kjo me arsyetimin tonë famoz, le ta pastrojë shteti. Por, shteti nuk ka 200 mijë inspektorë, sepse ne nuk jemi “inspektor” të vetvetes që të mos hedhim mbeturina ku nuk duhet.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.