Fitore si e Pirros apo si të Enverit…?

    XHEVAT MUSTAFA 

    Sipas gjykimit tim, mandati i katërt i Edi Ramës, siç e  kam paralajmëruar në shkrimet e mi para zgjedhjeve të 11 majit, ka me qenë mandatë e kobshme, sidomos për moshat e reja, nën 50 vjeç, të cilët mund të cilësohen dhe llogariten si humbësit më të mëdhenj. Shumë prej tyre, nga vrasja apo djegia edhe e asaj fije shprese që i mbajti deri më 11 maj 2025 në Shqipëri, nga mungesa e vendeve të punës dhe e demokracisë dhe drejtësisë së vërtetë dhe funksionale; nga korrupsioni i lartë e i pafre, nga plotpushtetizimi i plotë i Edi Ramës si dhe i oligarkëve dhe “investitorëve strategjikë”, miq apo ortakë të tij, do të ikin me dhjetëra e qindra mijëra nga Shqipëria si emigrantë drejt vendeve të Perëndimit! Parë dhe analizuar nën këtë prizëm mund të thuhet, pa qenë larg së vërtetës, se më 11 maj 2025, deri më sot ligjërisht e nga shifrat e publikuara në media, kanë humbur, PD- Berisha dhe koalicioni “Shqipëria Madhështore”, demokratët…!

    Prandaj, në të gjitha strukturat e PD-së, nga maja deri poshtë, janë urgjente analizat e sinqerta e të përgjegjshme, individuale dhe ekipore, për fajet dhe përgjegjësitë e tyre që “ndihmuan” Rama-partinë për një fitore të katërt të pamerituar e për më keq, të thellë sa nuk e kanë menduar e parashikuar edhe ata vetë. Nuk kërkon shumë kohë e vramendje për të kuptuar apo zbuluar disa nga këto faje e përgjegjësi. Sidomos në kryesinë e saj e në grupet e kandidatëve për deputetë dhe të deputetëve “fitues”, sidomos të listës së mbyllur, janë me bollëk emrat apo figurat e tej konsumuara apo të djegura me kohë nga vetja e nga “veprat” diskretituese, deri për “lojë të dyfishtë” apo “flirte biznesore” me “motrat dhe vëllezërit” e pozitës. Në mungesë të kurajës prej këtyre vetë, nuk do të ishte as mungesë mirënjohjeje dhe as antidemokratike, nëse nxirreshin me vendim kolegjial nga kryesia e PD apo me “dorëheqje të detyruara” në “pension politik”. Pa i zvogëluar fajet dhe përgjegjësitë e Berishës, nuk është as e drejtë t’i lihen atij në derë të gjitha! E fajësojnë deri aty sa mendojnë dhe shprehen se “ia lë derën hapur hajdutëve socialistë dhe patronazhistë” për të bërë masakrën zgjedhore! Këtyre do t’u kujtoja se për këta hajdutë profesionistë, që e kanë kthyer në art këtë zanat, nuk ka derë kryeministrie, ministrie, drejtorie, partie, bashkie, që nuk e hapin!

    Të tjerë, në të dyja gjinitë, alergjikë ndaj Berishës, jo pak edhe borxhlinj të mëdhenj ndaj tij, janë kapur fort prej kohësh e sidomos këto ditë pas “humbjes” së 11 majit tek mosha dhe konsumimi politik dhe qeverisës i tij, nga vetvetja e disa figura që i ka mbajtur rreth vetes shumë gjatë, shumë kot e dëmshëm…! Këta “harrojnë” se pas rreth 27 viteve si ministër Kulture, si kryebashkiak, si kryetar i PS-së dhe si kryeministër, me një mal me dosje që qelben nga erëra të shumta të rënda, jo më pak se Berisha është i tejkonsumuar apo i djegur edhe Edi Rama, “nga majë-koka e deri te fund-këmba”. Tendenca anti-Berishë lakuriqësohet lehtë nga fakti se liderit historik të PD-së ia kujtojnë dhe numërojnë të gjitha, edhe duke ia bërë mizën buall, ndërsa liderit të gjase të majtës, Edi Rama nuk ia shikojnë dhe tregojnë me gisht “veprat” dhe “kryeveprat” me doza të larta abuzimesh, korrupsioni, papërgjegjshmërie, antishqiptarie, skandalet dhe dështimet e shumta në të tri nivelet e piramidës së tij, edhe kur i janë bërë… “rinocerontë” dhe “elefantë”!?

    Plot berishianë, jo krejt pa arsye e të drejtë, mendojnë dhe janë “shprehur se ky pastrim tërësor, sidomos nga lart, nuk duhet të prekë Berishën, sepse, sipas atyre, pa atë nuk ka PD! Berisha jetoftë 100 vjet, por pas pak vitesh do të largohet, ose me vullnetin e tij, ose nga pamundësia fizike! Pra, do të largohet vetë herët apo vonë! Sipas meje, ai duhej të kishte menduar me kohë për zëvendësuesin e tij! Pra, demokratëve u takon të mendojnë të mbijetojnë dhe luftojnë edhe pa Berishën! Pas çdo humbjeje, qoftë edhe e pistë, skandaloze, e pamerituar… si kjo e 11 majit 2025, kryetarët ikin me dorëheqje nga posti, por jo nga kryesia! Më e mira do të ishte të vazhdojë angazhimin në PD si “President Nderi”. Zëvendësuesi i Berishës mund të gjendet e zgjidhet nga kryesia, ose me votim të lirë e të ndershëm të të gjithë anëtarësisë, me 3-5 kandidatura. Kam bindjen se me kohë do të kuptohet se fituesi apo fituesja do të jetë pasues i denjë i Berishës!

    Duke llogaritur se do të ketë edhe mbështetjen, përvojën dhe këshillat e Berishës, nënkuptueshëm pa kaluar në diktat e imponim! Edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025 u shpreh dhe u kuptua plotpushtetizimi politik e financiar i Rama-partiqeverisë, ortakëria e saj me shumicën e oligarkëve e të “investitorëve strategjikë, me banda mafioze shumëngjyrëshe në Shqipëri e në disa vende të afërta e të largëta; me ushtrinë rreth 250 mijë vetëshe të administratës e patronazhistëve etj.! Njëherazi, edhe qenia në xhepat dhe sirtarët e panumërt të Ramës të shumicës së strukturave dhe institucioneve publike, jo partiake…, si të Policisë, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetsisë… Prej këtyre fakteve të dukshme e të ndjeshme jepen arsye të forta të mendohet se në vendin tonë nuk mund të bëhen zgjedhje me të vërtetë të lira, të pastra, demokratike, sa të jetë Edi Rama kryeministër dhe Ilirian Celibashi në krye të KQZ-së!

    Policia mund të thuhet se bëri sehir apo spektatorin, duke lënë t’u kalonin edhe me fuoristrada nën hundë, hajdutët socialisto-rilindas të votave! Por, vota me shumicë vodhën partiakë e patronazhistë socialistë me veshje civile. Edhe burra e gra me kostume firmato dhe mbushur qafat dhe gishtërinjtë e duarve me varëse dhe unaza floriri të shtrenjtë. Shprehur ndryshe, edhe më troç apo më shqip: Me këtë qeveri, KQZ e Kod Zgjedhor, me këtë drejtësi partiake, me këtë popull e rini, shumica me Enverin dhe Edin në tru e në gji, më 11 maj 2025, nuk do të mund të fitonin as Trump dhe Partia Republikane, sikur të vinin në Shqipëri për t’u përballuar me Ramën dhe bandat e tij. Duke u kthjelluar nga emocionet e ditëve të para të pas zgjedhjeve dhe duke u thelluar në analizë del lehtësisht mesazhi se bashkë me PD-në dhe koalicionin e saj, pra bashkë me demokratët, kanë humbur edhe shumica e votuesve të thjeshtë për Rama-parti-qeverinë, me paga e pensione minimale, në bastionet e enverizmit dhe të edramizmit në Jug, Shqipërinë e Mesme dhe në Veri! Kur t’u dalë dehja prej gotave të shumta e deri në grykë të rakisë dhe disa, me doza të forta “bari”, kur të fillojnë përditshmërinë 80 apo 34 vjeçare, do të fillojnë të kuptojnë se janë mashtruar keq edhe këtë radhë e se nuk kanë fituar gjë, si përherë…!

    Një pjesë mund të binden se shumica e shqiptarëve janë akoma shumë larg bërjes dhe afirmimit si popull, që di të vlerësojë, të dojë dhe mbrojë veten, familjen, votën, vendin, kombin, si shumica e popujve në vendet e Perëndimit kapitalist. “Serioziteti” apo maskarallëku i këtyre zgjedhjeve u shpreh edhe në disa raste apo fakte sa absurdë, aq edhe qesharakë: votuan për Rama-parti-qeverinë, domethënë për edhe për gardianët e tyre, edhe shumica e të burgosurve! Por, votuan për shkatërrimtarët e pritshëm të fshatit të tyre apo për futjen e tij për së gjalli në arkivol si dhe për rrëmbimin e një burimi jetik uji, edhe rreth 75%-80% e banorëve të Hotolishtit, Tragjasit…! Me shumicë kanë votuar më 11 maj për Rama-parti-qeverinë edhe ish apo pronarë, që janë sorollatur e torturuar për rreth 22 vjet në zyrat e qeverive “Rama” për të marrë pronat e tyre! Por, edhe më absurd e skandaloz është rasti i Tërmet Peçit, për të cilin kanë votuar shumica e votuesve në Tepelenë!? Duke “e përkthyer” nga edramishtja në shqip këtë skandal të freskët e të radhës, në mënyrë figurative e me një dozë të fortë sarkazme, mund edhe të mendohet dhe thuhet: në Rama-partinë e këtyre 20 viteve, nderohen, shpërblehen me poste e përfitime të tjera, pikërisht ata që e turpërojnë më shumë…!

    Duke kujtuar dhe llogaritur njëmendësinë e Edi Ramës me Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiç për ndarjen e Kosovës; “Ballkanin e hapur”, si dhe ftohtësinë apo më saktë mungesën e dashamirësisë e të mbështetjes nga qeveritë “Rama” ndaj qeverisë së Albin Kurtit e ndaj tij individualisht, si kryeministër e si njeri, mund të thuhet se nga “fitorja” e PS-së ka humbur edhe Kosova, jo vetëm qeveritare. Jo drejtpërdrejtë, si fitues, krahas Edi Ramës me shoqe e shokë, mund të konsiderohen dhe llogariten edhe oligarkët dhe “investitorët strategjikë”, shumica e bosëve të bizneseve me gojët në çezmat qeveritare dhe bashkiake si dhe “çetat e kaçakëve” të “epokës Rama”, domethënë të hajdutëve modernë të votave! Por, në tufën e “fituesve” pa betejë dhe pa fitore janë edhe mafia shqiptare, ndraghetase, serbe, turke, ruse, latino-amerikane, arabe…! Në nivel ndërkombëtar, listës së fituesve vendës, pra shqiptarë, edhe nga Kosova dhe diaspora, mund t’i shtohen dhe llogariten edhe qarqe politike dhe qeveritare në Serbi, Greqi, Rusi… Humbës të mëdhenj janë edhe shumica e banorëve në qytetet dhe krahinat, sidomos të Jugut të Shqipërisë! Në disa harta, futur në rrjete sociale, jo pa doza krahinorizmi e përçarjeje kombëtare, këta qarqe janë skuqur tërësisht, duke “harruar” se edhe në ato jetojnë qindra mijëra “të djathtë”, që kanë votuar për PD, pra për “blunë”! Kështu ka ndodhur edhe në Veri apo në pjesën blu, ku jetojnë dhe kanë votuar për PS-në e “të kuqen”, me qindra mijëra “të majtë”!

    Nuk kërkon vramendje për të kuptuar se shumica e atyre, përmbledhur nën etiketën “bastione 80- vjeçare të së majtës” apo enverizmit, menduan dhe votuan më 11 maj 2025 sikur të ishin më 11 maj 1945! Për ata, jo pa të drejtë, Enveri është gjallë tek Edi dhe se enverizmi, së bashku me edramizmin janë në pushtet qysh nga 12 qershori 1991 e deri më sot, pas afro 24 vjet. Apo, edhe më e rëndë, vërtetuan mësimin e Enverit, që po e zbaton në mënyrë krijuese dhe “artistike” Edi Rama: “Bëju gjithçka, të 99-tat këtyre shqiptarëve, nxijua edhe jetët dhe trupat; nëpërkëmbua edhe dinjitetin dhe nderin individual e familjar, sepse kështu të duan dhe mbështesin më shumë e më gjatë”. Rezultatet e arritura nga Rama-partia mbartin edhe dyshimin apo të vërtetën se vartësit e kryeministrit, të nxitur nga tafmaja e madhe për fitore sa më të thellë, “nuk kanë kujtuar” dhe zbatuar edhe direktivën apo objektivin publik kryeministror për të rrëmbyer rreth 71-77 mandate. Populli ka një shprehje të zgjuar dhe edukative “Tafmaja e madhe të lë pa gja!” Ose, “kur ke oreks dhe ha me nxitim, si i sijosur, ushqimi të shpërthen apo del për hundësh…”. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Në ditën ndërkombëtare të mjekëve amë, ankesa për mungesë kuadri dhe kushte për punë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë