Dhjetëra infermiere dhe personel teknik që për më shumë se një dekadë kanë status të pazgjidhur pune, dolën sot për të shprehur revoltën e tyre përpara spitalit klinik të Tetovës. Infermieret thanë se nuk kanë marrë rroga për tre muajt e fundit.
Pas protestës, shkuan në takim me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës. Kërkuan zgjidhje të statusit të tyre të punës, ndërsa morën vetëm premtim. Sipas drejtorit Agim Berisha, marrja e vendimeve nuk varet nga spitali i Tetovës, por nga ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Financave.
“Gjashtë vite jemi me kontratë në vepër. Për tre muaj hyjmë tash që edhe s’kemi rroga. Na është premtuar po asgjë prej premtimit”, tha një infermiere.
“Ç`do ditë do protestojmë, çdo ditë. Duam vendime pune, kontribute të paguara se gati gjashtë vite na rrejnë. Për tre muaj pa rroga jemi”, u shpreh një infermiere.
“E drejta e tyre për protestë është e drejtë demokratike, por si grup është dashur të më njoftojnë. Unë pres brenda muajit të ardhshëm të zgjidhet kjo çështje”, tha Agim Berisha, drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës. /Alsat/