Komisioni Europian nxjerr në pah dobësi serioze në cilësinë e mësimdhënies në RMV

    Pavarësisht rritjes së buxhetit për arsimin dhe interesimit gjithnjë e më të madh për arsimin profesional, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me dobësi serioze në cilësinë e mësimdhënies, gjithëpërfshirjen dhe arsimin e lartë. Kështu konstatohet në raportin e Komisionit Europian (KE) për vitin 2026, përcjell Nistori.

    Sipas të dhënave të PISA-s për vitin 2025, Maqedonia e Veriut renditet dukshëm nën mesataren e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në matematikë, lexim dhe shkencë, pa shënuar përparim të konsiderueshëm krahasuar me ciklin e vitit 2022.

    Komisioni Evropian thekson se shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin u rritën lehtë gjatë vitit 2025, por vazhdojnë të mbeten dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja e arsimit në buxhetin e përgjithshëm shtetëror u rrit nga 11,05% në vitin 2024 në 12,2% në vitin 2025.

    Në arsimin fillor, numri i nxënësve u ul me 3,1%, ndërsa në arsimin e mesëm u rrit me 0,4% krahasuar me vitin paraprak.

    Komisioni vëren se koncepti i ri i arsimit fillor po zbatohet gradualisht, duke përfshirë zhvillimin e aftësive të gjelbra dhe futjen e kurrikulave të reja. Megjithatë, mbetet ende e pazgjidhur çështja e heqjes nga programet mësimore të përmbajtjeve që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues, si dhe me barazinë gjinore në arsimin fillor dhe të mesëm.

    Gjithashtu, orientimi në karrierë po përfshihet gradualisht në shkollat fillore dhe të mesme.

    Koncepti i ri i arsimit dhe aftësimit profesional (AAP), i miratuar në maj të vitit 2025, synon t’u përgjigjet ndryshimeve të shpejta në tregun e punës. Ai parashikon zhvillimin e mësimit praktik në mjedise pune dhe i kushton rëndësi të veçantë gjithëpërfshirjes.

    “Tri qendra të reja rajonale të arsimit dhe aftësimit profesional filluan të funksionojnë gjatë vitit shkollor 2025/2026, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në tetë, nga një në secilin rajon. Vërehet një prirje e qartë e rritjes së regjistrimeve në arsimin profesional, ku përfshihen 71% e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme. Një e treta e nxënësve të arsimit profesional ndjekin arsimin dual, i cili ndërthur mësimin në shkollë me aftësimin praktik në ndërmarrje”, thuhet në raport.

    Sa i përket arsimit të lartë, gjatë vitit akademik 2025/2026 u regjistruan gjithsej 55.036 studentë, që përfaqëson një rritje prej 2,8%. Gratë përbëjnë 59,9% të numrit të përgjithshëm të studentëve.

    Shumica e studentëve, përkatësisht 77,8%, janë të regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë, ndërsa 22,2% ndjekin studimet në institucionet private.

    Komisioni Evropian vlerëson se përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë vazhdon të mbetet një sfidë e rëndësishme.

    “Maqedonia e Veriut duhet të angazhohet për zbatimin e plotë të detyrimeve kryesore të përcaktuara në Raportin e Zbatimit të Procesit të Bolonjës për vitin 2024, duke përfshirë lirinë akademike, autonominë institucionale, pjesëmarrjen e studentëve dhe llogaridhënien e institucioneve të arsimit të lartë. Gjithashtu, është e nevojshme të përcaktohen afate të përshtatshme dhe të zhvillohen konsultime të mjaftueshme publike me të gjitha palët e interesuara, veçanërisht për njohjen automatike të kualifikimeve dhe sigurimin e cilësisë”, thekson Komisioni Evropian.

    Pavarësisht përparimit në përfshirjen e nxënësve me nevoja të veçanta arsimore në shkollat fillore, pjesëmarrja e tyre në numrin e përgjithshëm të nxënësve gjatë vitit shkollor 2025/2026 ishte vetëm 1,5%, duke shënuar një rritje prej 0,2 pikë përqindjeje.

    Ndërkohë, numri i asistentëve arsimorë në arsimin fillor u rrit nga 1.018 në vitin shkollor 2024/2025 në 1.356 gjatë vitit shkollor 2025/2026.

    Gjatë periudhës së raportimit, në shkollat fillore të 24 komunave u angazhuan 43 ndërmjetësues romë, që përbën një rënie të lehtë krahasuar me vitin shkollor 2024/2025. Gjithashtu, është shënuar rënie e numrit të nxënësve romë në arsimin fillor dhe të mesëm.

    “Në prill të vitit 2026, ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Mesëm parashikuan angazhimin e ndërmjetësuesve romë për nxënësit e shkollave të mesme. Si rezultat, u angazhuan 21 ndërmjetësues në 16 komuna. Në arsimin parashkollor nuk ka ndërmjetësues romë. Gjatë vitit shkollor 2025/2026, numri i përgjithshëm i fëmijëve romë në arsimin parashkollor arriti në 526, ose 99 më shumë se një vit më parë. Në arsimin fillor dhe të mesëm, numri i tyre ishte përkatësisht 9.515 dhe 1.504, duke shënuar rënie në të dyja nivelet arsimore”, thuhet në raport.

    Në arsimin e mesëm, 1.104 nxënës romë përfituan bursa. Në arsimin e lartë, 115 studentë romë përfituan bursa, ndërsa numri i përgjithshëm i studentëve romë ra nga 250 në 210 krahasuar me vitin paraprak akademik.

    Komisioni Evropian thekson gjithashtu nevojën që autoritetet të forcojnë zhvillimin e aftësive digjitale në të gjitha nivelet e arsimit fillor dhe të mesëm, të rrisin kapacitetet e institucioneve arsimore dhe të përmirësojnë kompetencat e mësimdhënësve, në përputhje me Planin e Veprimit të BE-së për Arsimin Digjital 2021–2027.

    Maqedonia e Veriut vazhdon të marrë pjesë në programin Erasmus+ si vend i asociuar. Gjatë vitit 2025, organizatat nga vendi morën pjesë në më shumë se 700 projekte, prej të cilave 400 ishin projekte të mobilitetit rinor.

    Megjithatë, Agjencia Kombëtare për Programet Evropiane të Arsimit dhe Mobilitetin është nën mbikëqyrje të shtuar nga Komisioni Evropian, për shkak të numrit të lartë të rasteve të evidentuara të mosrespektimit të rregullave.

    Sa u përket politikave rinore, Komisioni vëren se vendi ende nuk ka publikuar raporte mbi zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Rininë 2023–2027 dhe Planit të saj të Veprimit 2023–2025.

    Ndërkohë, numri i komunave që kanë këshilla rinorë lokalë ka rënë nga 28 në 24, nga gjithsej 81 komuna.

    “Plani i ri i Veprimit për periudhën 2026–2027 dhe Ligji i ri për Punën Rinore ende nuk janë miratuar. Ligji për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore duhet të zbatohet dhe të harmonizohet me ndryshimet institucionale të vitit 2024”, theksohet në raport.

    Sipas Komisionit Evropian, vetëm 17 komuna kanë strategji lokale për të rinjtë, ndërsa qendrat dhe zyrat rinore funksionojnë në 13 komuna. Ndërkohë, Këshilli Kombëtar Rinor i Maqedonisë së Veriut vazhdon të jetë aktiv.

    Lajmi Paraprak

    TETOVA MES AMBICIEVE PËR ZHVILLIM DHE PESHËS SË BORXHEVE!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë