MIGRIMI MASIV NË DIBËR / Nga gjithsej 17 fshatra, nëntë janë pa as edhe një banor! 

    Dibra në të kaluarën ka patur shumë fshatra në të cilët lulëzonte bujqësia dhe blegtoria dhe furnizimi i banorëve të komunës me prodhime bujqësore bëhej vetëm nga fshatrat e saj, sidomos nga ata që ishin në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Por siç kalonin dekadat, ashtu shumë fshatra mbetën pa banorë. Migrimi i banorëve ishte problemi kryesor dhe sot numri i fshatrave në Komunën e Dibrës është përgjysmuar. Është një problem shumë i madh, i cili për fat të keq, vazhdon të jetë prezent, shkruan gazeta Koha.

    Migrimi i heshtur nga fshatrat kufitare ka filluar para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Torturat mbi popullatën lokale që bënte sistemi komunist jugosllav ishin të padurueshme për shumë familje shqiptare. Por pas 1945, presionet dhe torturat të sistemit komunist jugosllav ishin më agresive dhe migrimi vazhdoi kurse një pjesë e familjeve u internuan politikisht, dhe të tjerët për shkaqe politike dhe ekonomike, vazhduan të braktisin fshatrat kufitare si Kunjara, Solokiqi, Bomova, Spasi, Shullani, Taraniku…. Ishin vite shumë të rënda për popullatën kufitare, thonë anëtarët e familjeve me prejardhje nga fshatrat kufitare. Një situatë e këtillë detyroi shumë familje të migrojnë në qytet, respektivisht në Dibër, por edhe jashtë vendi kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe shumë shtete të Evropës.

    Është kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, ai që ka përmendur se nga gjithës 17 fshatra të Komunës Dibër, nëntë janë pa banorë. Kjo, siç ka thënë Duka, flet se migrimi në Komunën e Dibrës ka bë shumë dëme.

    “Migrimi i popullatës si nga fshatrat ashtu edhe nga qyteti, kërkon nevojën për më shumë projekte që të rinjtë të punësohen, ndërsa komuna ka ndërmarrë disa aktivitete për projekte të këtilla. Megjithatë, migrimi mbetet një plagët e mëdha të Dibrës”, vlerëson ai.

    Rreth migrimi të popullatës kufitare nga fshatrat e tyre shekullore, biseduam me disa ish-banorë të disa fshatrave. Fshati Bomovë ka patur migrimin masiv gjatë viteve të 60-ta. Familja e madhe dhe e njohur dibrane Marku ka migruar dhe anëtarët e saj sot jetojnë – disa në Dibër, në Shkup dhe disa në Amerikë. Anëtarët e saj flasin për problemet që kanë patur në fshat. Nga fshati Spas për në Dibër, por edhe jashtë saj kanë migruar familjet Duka, Koxha, Daci, Majtara, Lleshi, Sinani….

    “Fshati Spas para migrimit, pas Luftës së Dytë Botërore ka patur mbi 50 shtëpi. Sot në fshat nuk ka as edhe një banor. Ne si familje migruam në vitin 1986 dhe jetojmë në Dibër, por vëllazëria ma e gjerë jeton në SHBA. Kufiri e bëri të vetën”, thotë Jakup Duka me prejardhje nga fshati Spas. Ai shton se banorët e fundit që kanë braktisë fshatin janë po ashtu anëtarë të familjes Duka.

    Biseduam edhe me anëtarë të familjes Koxha. Edhe ato na thonë se fshati ka qenë shumë i mirë për jetesë, por kushtet e sigurisë dhe presionet e sistemit i kanë detyruar familjet të braktisin fshatin kufitar Maqedoni-Shqipëri.

    Ndikim shumë të madh në migrimin masiv ka patur edhe ndërtimi i akumulacionit të liqenit artificial të Dibrës dhe ndërtimi i hidrocentralit “Spile” viteve të 60-ta. Atë kohë, në afërsi të fshatrave në fjalë, depërtoi edhe një sasi e ujit të liqenit nëpër ujërat nëntokësor, gjë që u cilësua si rrezik për banorët.

    Kohëve të fundit, pushteti vendor ka bërë investime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe disa nga ish-banorët e fshatrave të cilët kanë tokat e tyre, kanë rifilluar të merren përsëri me bujqësi dhe bletari, por edhe të ndërtojnë vila për vikende. Kjo jep një shpresë për ringjalljen e fshatrave kufitare, por ata edhe më tej janë pa banorë të përditshëm.

    Lajmi Paraprak

    “BOTA SERBE” KËMBËKRYQ NË SHKUP! / Telekom Serbia me investim të ri në RMV, hapet dhe televizion serb

    Lajmi i rradhës

    RMV, TRANSPORTI QË TA “DJEG” XHEPIN!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë