Nervoza dhe zemërimi

    Ndryshimet e humorit nuk janë gjithmonë pasojë e frikës apo tekave tona

    Nervoza, shpesh edhe zemërimi pa arsye, janë pjesë përbërëse e disa sëmundjeve. Mjekët thonë se këto ndryshime të humorit nuk janë gjithmonë rezultat i frikës apo tekave të pacientit, por edhe i mekanizmave të caktuar që ndonjëherë formojnë gjendjen tonë shpirtërore. Këto simptoma nuk janë domosdoshmërisht pjesë e sëmundjeve psikiatrike. Irritimi dhe shpërthimet e zemërimit, kur personi i sëmurë është i ashpër edhe ndaj vetes, mund të jenë shenja të dëmtimeve serioze organike.

    Goditja në tru

    Goditja në tru është deficit neurologjik për shkak të dëmtimit të enëve të gjakut në tru, që pengon furnizimin me oksigjen dhe ushqyes në pjesë të trurit. Ajo shfaqet shpesh papritur; personi nuk është plotësisht i vetëdijshëm për atë që ndodh dhe është normale që pacienti të ndihet i shqetësuar kur kalon faza akute dhe fillon rehabilitimi. Përveç frikës nga një goditje e dytë, nuk është e pazakontë që pacienti të përjetojë ndryshime të papritura të humorit, sidomos nëse goditja ka dëmtuar pjesë të trurit që kontrollojnë emocionet. Pacienti mund të ndihet i shqetësuar, i frustruar, i dekurajuar, por edhe të reagojë me zemërim të madh, ndonjëherë pa një “arsye të dukshme.”

    Sëmundja e Alzheimerit

    Forma më e shpeshtë e demencës është sëmundja e Alzheimerit, e cila në fillim mund të shoqërohet me ndryshime të personalitetit. Një person që zakonisht ka qenë i qetë dhe me shumë takt, papritmas mund të bëhet i irrituar, i shqetësuar dhe nervoz pa një shkak të qartë. Nervoza nuk është shenja e parë e kësaj sëmundjeje, e cila dobëson gradualisht aftësitë intelektuale dhe shkathtësitë sociale. Disa studime theksojnë se shenjat e hershme mund të jenë të fshehura në mënyrën e të folurit të pacientit.

    Autizmi

    Autizmi është një çrregullim kompleks i zhvillimit që zakonisht vihet re gjatë tre viteve të para të jetës. Personat me këtë çrregullim reagojnë shumë keq ndaj situatave të paparashikuara. Ata preferojnë rutinën e përditshme, dhe çdo ndryshim i befasishëm mund të shkaktojë pakënaqësi të madhe, zemërim, madje edhe vetëdëmtim, transmeton Telegrafi.

    Depresioni

    Depresioni është një gjendje komplekse psikike që në disa raste mund të dobësojë sistemin imunitar. Stresi i përditshëm – në punë, financiar dhe familjar, ndikon fuqishëm në organizëm. Nervoza pa arsye apo zemërimi nuk janë gjithmonë vetëm pasojë e stresit, por shpesh janë maskë për depresionin. Gjendja e shqetësimit, pagjumësia, irritimi i ndërruar me lot që pengojnë funksionimin normal mund të jenë arsye për të kërkuar ndihmën e një specialisti.

    Diabeti

    Diabeti është një sëmundje kronike që kërkon disiplinë të lartë dhe angazhim të pacientit, që vetë mund të jetë burim stresi dhe ankthi. Rënia e papritur e sheqerit në gjak mund të ndikojë në sjellje dhe të manifestohet me nervozizëm, zemërim apo konfuzion. Një problem i veçantë është se simptomat e rënies së sheqerit si: nauzea, rrahje të shpejta të zemrës, ndjenja e uri, djersitje, dridhje, marramendje dhe dobësi e përgjithshme, mund të shfaqen papritur dhe pa paralajmërim.

    Dështimi i mëlçisë

    Kur mëlçia nuk është në gjendje të largojë toksinat në mënyrë efikase, ato grumbullohen në trup dhe mund të ndikojnë në tru. Kjo shkakton ndryshime të humorit dhe nervozizëm. Simptomat më të zakonshme të dështimit akut të mëlçisë janë lodhje e madhe, humbje oreksi, nauzea, dhimbje në pjesën e sipërme të djathtë të barkut dhe urinë me ngjyrë të errët.

    Menopauza

    Menopauza është periudhë ndryshimesh të mëdha në trupin e gruas, të cilat përjetohen në mënyra të ndryshme nga çdo femër. Shpesh shfaqen valë të nxehtësisë, pagjumësi dhe shtim peshe. Disa gra mund të mos kenë asnjë nga këto simptoma, ose ato mund të jenë të lehta dhe të padukshme. Nga ana tjetër, ndryshimet hormonale në menopauzë mund të shkaktojnë reagime emocionale të forta, nervozizëm dhe shpërthime të papritura të zemërimit. 

    Lajmi Paraprak

    Lufta me dronë në Ukrainë, “zile zgjimi” për Pentagonin

    Lajmi i rradhës

    Tiranë, selia e News24 i kalon kompanisë shtetërore të armëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë