Udhëheqësia e Parkut Kombëtar “Mavrovë” realizoi një aksion ekologjik për pastrimin e territorit të parkut nga mbeturinat e shumta. Ky aktivitet u realizua nga Parku nëpërmjet njësisë Shërbimi për Mbrojtjen e Natyrës, me qëllim që të pastrohet territori i parkut kombëtar, i cili vizitohet nga një numër i madh turistësh. Edhe pse ekzistojnë rregulla për vizitën e territorit të parkut dhe janë vendosur koshe plastike për grumbullimin e mbeturinave, turistët shpesh i hedhin ato ku të mundin. Nga kjo ndotje, pëson edhe Lumi Radika, i cili është një nga lumenjtë më të pastër në Maqedoninë e Veriut dhe që gjendet në territorin e parkut.
Shërbimi informativ i Parkut Kombëtar njoftoi se aktiviteti i aksionit ekologjik është realizuar me sukses nga punonjësit e parkut. Është kryer pastrimi dhe grumbullimi i mbeturinave plastike dhe të tjera në disa lokacione të parkut, ku tradicionalisht pushojnë turistët. Ndotja ka qenë e madhe, çka sipas udhëheqësisë së Parkut prish bukurinë e territorit të parkut kombëtar. Një situatë e tillë ndikon negativisht edhe në jetën e florës dhe faunës së parkut. I njëjti burim thekson se bëhet fjalë për një aktivitet që praktikohet rregullisht në Parkun Kombëtar të Mavrovës. Pastërtia e parkut kombëtar është një detyrim për mirëqenien e tij. Ambienti jetësor ka një rëndësi të madhe për florën dhe faunën e këtij parku, i cili ka mbi 1.000 specie të florës, ndërsa numri i faunës është po ashtu i madh. Në park gjenden mbi 140 lloje shpendësh dhe 39 lloje kafshësh të egra.
Aksionet ekologjike të Parkut Kombëtar “Mavrovë” kanë për qëllim mbrojtjen e mjedisit jetësor, pasi një ambient i pastër garanton edhe ruajtjen e florës dhe faunës karakteristike të këtij parku kombëtar, theksojnë organizatorët e aksionit. Sipas tyre, me aksione të tilla jo vetëm pastrohen mbeturinat, por jepet edhe një mesazh që edhe gjeneratat e reja të mbrojnë këtë pasuri natyrore që posedon parku.
“Mbeturinat duhet të vendosen vetëm në vendet e caktuara ku ka kontejnerë. Nëse angazhohemi të gjithë, atëherë do të kemi një park më të bukur dhe më të mbrojtur në aspektin ekologjik”, theksojnë organizatorët e aksionit.
Duke marrë parasysh faktin se mbi 90 për qind e territorit të Parkut Kombëtar “Mavrovë” gjendet në komunën rurale Mavrovë–Rostushë, gjatë vitit në këto aksione ekologjike janë angazhuar edhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe shoqatat qytetare dhe pushteti vendor. Në këtë drejtim, drejtoria e parkut dhe pushteti vendor, së bashku me shoqatat qytetare, kanë një bashkëpunim të mirë. /Koha/






