XHEVAT MUSTAFA
Rezultati “i mjegullt” i bisedimeve Donald Trump-Vladimir Putin në Alaskë më 15 gusht 2025 dhe buzëqeshjet më të shumta të Presidentit të Rusisë, edhe pse agresor ndaj Ukrainës e thuajse “non grata” në shumë vende të Perëndimit dhe vlerësuar, trajtuar e pritur në Alaskë si “engjëll e pëllumb i paqes”, të shtyjnë të mendosh se vazhdon mbivlerësimi, sidomos ushtarak i Rusisë e “demonizimi” i Vladimir Putinit.
Atë ditë, më shumë nga kompleksi shekullor i frikës ndaj ish-Bashkimit Sovjetik e të Rusisë së sotme e të mitizimit të fuqisë së tyre ushtarake, pa meritë dhe pa të drejtë, edhe me gjuhën e trupit, të gjesteve, buzëqeshjeve, nënqeshjeve, ngërdheshjeve si dhe nga disa lëshime e deklarime të Trump, përballë tij Putin u ndje “fitimtar” apo si “eprori para vartësit” para Presidentit amerikan e për shumë analistë politikë të njohur ndërkombëtarë, kur duhet të ndodhte e shikohej e kundërta…! Arsyet e këtyre ndjesive mbivlerësuese mund të kërkohen edhe shumë larg në kohë, tek humbja e rëndë e ushtrisë perandorake franceze të kryesuar nga Napoleon Bonopartit më 1812, edhe pse për një kohë të shkurtër, arriti të futej si fitimtar në Kremlin dhe rreth 133 vjet më vonë, te shpartallimi i ushtrisë së Gjermanisë apo të Hitlerit më 1941- 1945… Është për të theksuar se në kohën e sotme, në këto vite, fatet dhe përfundimet e luftërave, nuk vendosën më si në kohën e Bonapartit e të Hitlerit, në frontin tokësor.
Në të kundërt, duke filluar nga sulmi ushtarak i SHBA-ve në fillimpranverë 1999 mbi Serbinë e për Kosovën, si dhe deri tek sulmi po nga ajri mbi Iranin më 22 qershor 2025, mund të mendohet se ka ardhur epoka e përcaktimit të rezultatit përfundimtar të luftërave nga ajri, domethënë nga potenciali i avionëve, raketave, dronëve, helikopterëve… Këto dy sulme na dhurojnë edhe faktin se kur ka dashur e ka vendosur apo kur e ka gjykuar të nevojshme, Shtëpia e Bardhë nuk ka pritur të marrë leje nga Kremlini dhe nuk ka menduar se si do të reagonte apo kundërvepronte Rusia. Se cila është Rusia sotme dhe sa larg është për nga buxhetet, ekonomia, mirëqenia, potencialet ushtarakë me SHBA dhe me NATO-n mund të ndihmojnë këto shifra nga “World Economics” për vitin 2024. Në këtë statistikë për potencialet ushtarake janë dhënë shifra vetëm për armët konvencionale e jo ato bërthamore. SHBA-të ka qenë e mbetet fuqia e parë për nga potencialet ushtarake, me popullsinë rreth 342 milionë banorë; me GDP 29.18 trilionë USD; me buxhetin ushtarak për 2025 në rreth 900 miliardë USD; me 15,293 avionë dhe me 290 luftanije e nëndetëse. Është për t’u vënë në dukje se vetëm shteti i Kalifornisë në SHBA, me popullsinë 39.5 milionë banorë e ka GDP në 4.1 trilionë USD dollarë ose gati 2-fish më shumë se Rusia!
Rusia vazhdon të jetë fuqia e dytë ushtarake, me popullsinë 143.5 milionë banorë; me GDP 2.098 trilionë USD, me buxhetin ushtarak për 2025 rreth 13.5 trilionë rubla (109 miliardë paund); me 4,498 avionë dhe helikopterë dhe me 224 luftanije e nëndetëse. Kina, edhe në klasifikimin më të fundit, renditet si fuqia e tretë, me buxhetin e mbrojtjes 129,272,000,000 dollarë; me personel ushtarak aktiv: 2,285,000 vetë; me 5,048 avionë dhe helikopterë dhe 972 luftanije e nëndetëse. India llogaritet si fuqia e katërt, me buxhetin e mbrojtjes: 44,282,000,000 dollarë; me personel ushtarak aktiv: 1,325,000 vetë; me 1,962 avionë dhe 170 luftanije… Pas katër fuqive të para renditen Britania e Madhe, me buxhetin e mbrojtjes: 57,875,170,000 dollarë, me personelin ushtarak aktiv: 224,500 veta si dhe me 1,412 avionë dhe 77 forca detare, anije të mëdha e nëndetëse. Franca llogaritet si fuqia e 6-të me buxhetin e mbrojtjes 58,244,000,000 dollarë; me personel ushtarak aktiv 362,485 vetë si dhe me 544 avionë dhe helikopterë dhe 180 mjete luftarake detare.
Gjermania, aktualisht vlerësohet si fuqia e 7-të, me 84 milionë banorë; me GDP 4.66 trilionë USD ose 2.25 herë më shumë se Rusiaý 2024 (me personel ushtarak aktiv 148.996 me 925 avionë dhe me 67 luftanije… Këtej e tutje, sipas një informacioni të publikuar në mediat ndërkombëtare e shqiptare më 4 gusht 2025, duhet llogaritur, nga NATO-BE me gëzim dhe nga Rusia me shqetësim edhe një fuqi e re ushtarake, Polonia, duke i rritur shpenzimet e mbrojtjes mbi 4% të PBB-së më të lartat në NATO pas Shteteve të Bashkuara. Në lëvizjen e saj të fundit, Qeveria polake nënshkroi një kontratë prej 6.7 miliardë dollarësh me Korenë e Jugut për të blerë 180 tanke K2 Black Panther… Sipas parashikimeve aktuale, Polonia synon të ketë në gatishmëri afërsisht 1 mijë e 100 tanke deri në vitin 2030, duke tejkaluar forcat e kombinuara të tankeve të Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë.
Aktualisht, në mënyrë të përmbledhur e të përafërt, potenciali bërthamor rus ka 5.977 armë bërthamore. Ndërsa NATO; (SHBA5.428, Angli-225, Francë-290) 5943. Është për të theksuar se urdhri i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 27 janar 2025 që të ndërtohet një variant amerikan i “Kupolës së Hekurt” për të mbrojtur SHBA-të nga sulmet ajrore, do të pengojë Kinën dhe Rusinë që të kërcënojnë Shtetet e Bashkuara me përdorimin e armëve bërthamore!
Ky sistem do të bëjë të mundur që SHBA-të të kenë “aftësitë edhe për t’u mbrojtur, edhe për t’u kundërpërgjigjur”, për të ndërmarrë një kundër-sulm bërthamor. Nga këto shifra e fakte të nxjerra nga burime statistikore të mirinformuara e të besueshme, epërsia minimale me 34 armë bërthamore nga Rusia zhvleftësohet ndjeshëm nga epërsia absolute e SHBA-ve dhe e NATOBE-së për nga treguesit e fuqive ekonomike, financiare, sociale, për nga buxhetet financiare ekonomikë e ushtarakë; për nga shifrat e forcave ushtarake aktive e rezervë… Domethënë, për nga potencialet e shumanshme e shumëformëshe për luftë dhe qëndresë ndjeshëm më afatgjatë për të mbijetuar me “shtresat e dhjamit” ekonomik, financiar, njerëzor si dhe të avantazhit të theksuar shkencor e teknologjik…! Merret me mend se kujt apo cilëve u intereson më shumë gogolizimi i fuqisë ushtarake të Rusisë dhe i rrezikut nga “ariu polar apo siberian rus”!
Së pari, vetë Rusisë, që duke qenë jo ajo që reklamohet apo e reklamojnë, ka interes dhe dobi që t’ia kenë frikën. E dyta, SHBA. Duke shumëfishuar potencialin dhe rrezikun rus, presidenti dhe stafi i tij justifikohen brenda opinionit publik dhe politik amerikan për “nevojat” dhe kërkesat në rritje për biliarda e triliarda të tjerë për armë të reja më të sofistifikuara e më shkatërruese. Kështu, fiton duartrokitje dhe mirënjohje jo lehtë e lirë të harrueshme nga zotat e korporatave gjigante të armatimeve e të luftërave. Kjo u përjetua qysh në ditët dhe javët e para të presidencës Donald Trump. Ai arriti “të bindë” dhomën e përfaqësuesve dhe senatin për nevojën urgjente të një shtese të ndjeshme në buxhetin ushtarak amerikan për vitin 2025. Për më tepër e më mirë, gëzoi apo lumturoi edhe kompanitë e mëdha të prodhimit të armëve në vendet e NATO-s, duke arritur “të bindë” kryeministra, presidentë dhe qeveri të tyre të rrisin pjesën e buxhetit ushtarak e të kontributit në NATO deri në rreth 5%!
Natyrisht, më të humburit nga këto rritje buxhetesh ushtarake e për sa më shumë armatime të reja, me fatura tmerrësisht të larta, janë shumicat e popujve. Këtyre do t’u jepen me pikatore farmacie shtesa të reja në paga e pensione, duke u justifikuar se na detyrojnë për këto kursime apo për këtë kurnacëri rritja e masave mbrojtëse për ju nga rreziku prej “gogolit rus”!? Me gogolizimin e fuqisë ushtarake e të rrezikut të Rusisë arrihet nga SHBA dhe Rusia, jo në aleancë, por nga përputhja e interesave, edhe sforcimi financiar dhe ekonomik i BE-së, duke u hequr mijëra miliarda euro nga projektet perspektivë për rritjen e niveleve të zhvillimit dhe të mirëqenies së shtetasve të tyre, për t’i transferuar për shtimin e potencialeve ushtarakë mbrojtës, në rast të një sulmi (më shumë të fantazuar) nga Rusia.
Edhe Donald Trump, edhe Vladimir Putin e dinë shumë mirë se de facto e de jure, BE është 750 milionë banorë, 5 herë më e madhe nga Rusia! Edhe ekonomikisht, financiarisht, nga potencialet shkencore, teknologjike është disa fish më e fuqishme. Së bashku me SHBA-të rreth 342 milionë banorë bëhen rreth 1 miliard e 92 milionë banorë përballë Rusisë me afro 144 milionë banorë. Këtë mesazh Trump duhet ta ketë marrë drejtpërdrejt me fjalë apo edhe të nënkuptueshëm edhe nga shoqërimi i Presidentit të Ukrainës Zelenski nga presidentë e kryeministra të vendeve kryesore të BE-së, në takimin e datës 18 gusht 2025 në Uashington. Prandaj nuk ka përse fati i Ukrainës dhe i shteteve të tjerë “të vegjël” të vendosen vetëm nga vullnetet, interesat, pazaret Trump-Putin apo të superfuqive 1 dhe 2, radhitje më shumë atavizmike dhe subjektive, më së shumti prej tyre, kur ka ardhur koha të rishikohet e të ndryshohet! Për të pasur ide sa më të saktë për fuqitë e vërteta ushtarake dhe mundësitë reale për të nisur dhe bitisur me fitore luftëra të reja, na ndihmon edhe kujtesa apo kthimi i mendjeve me dhjetëra apo më pak vite prapa.
Me ushtria nga toka e me armë konvencionale nga ajri dy superfuqive, SHBA-ve dhe ish-BS-Rusisë u janë dashur të bëjnë luftëra shumëvjeçare! Kështu, lufta BS- Afganistan zgjati 10 vjet, 1979-1989, pa pasur humbës e fitues të mirëfilltë. Lufta e parë Rusi-Çeçeni 1994-1996 dhe lufta e dytë, 1999-2009, pra gjithsej 14 vjet! Lufta më e fundit apo më e freskët e Rusisë së Putinit, ajo me Ukrainën ka kaluar 3 vjet e gjysmë. Nga ana tjetër, lufta SHBA-Kore e Veriut, rreth 4 vjet, (1950- 1953); Lufta SHBAVietnam 20 vjet (1955-1975). Lufta SHBA-Afganistan, 20 vjet, (2001-2021)!
Këto fakte apo të dhëna i dinin shumë më mirë se unë Presidenti i SHBA-ve, Trump si dhe Presidenti i Rusisë, Putin në takimin e tyre në Alaska më 15 gusht 2025 dhe se do t’i kenë parasysh gjatë takimeve dhe bisedave të tyre të ardhshme, jo vetëm për fatin e Ukrainës… Mbi të gjitha, se “do të kujtohen” se me potencialet e tmerrshme që ka secila prej tyre ose nga të dy palët bashkë, kjo botë e ndoshta ky planet, mund të shkatërrohet brenda një kohe të shkurtër shumë herë e larg qoftë, edhe përjetësisht. Në rast të një përfundimi të tillë, mund të mos ketë as fitues dhe as humbës, por vetëm miliarda viktima, pa mundur as edhe t’u gjenden kufomat e t’u bëhet qoftë edhe një varr i thjeshtë./Gazeta Panorama/






