Një avion zjarrfikës i tipit Air Tractor u ul disa herë sot përpara turistëve në plazhin e Liqenit të Dojranit për t’u mbushur me ujë. Pamja e pazakontë tërhoqi vëmendjen e pushuesve, por ishte pjesë e operacionit për shuarjen e një zjarri të madh pranë fshatit Rusinovë, në rajonin e Berovës, përcjell Nistori.
Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave, përmasat e flakëve kanë bërë që avionët zjarrfikës të kërkojnë burime ujore të afërta dhe Liqeni i Dojranit u përdor si një prej pikave më të përshtatshme për furnizim.
Kjo ndodhi vjen në një verë të ngjeshur me lajme për zjarre në mbarë Maqedoninë e Veriut. Nëse viti i kaluar u mbyll me 984 zjarre në rajonin e Pollogut, këtë vit për gati tetë muaj janë regjistruar 673 zjarre. Pjesa më e madhe e këtyre zjarreve janë regjistruar në hapësirë, pyje, tokë bujqësore por nuk mungojnë edhe zjarret nëpër objekte banimi. Kështu njoftojnë nga Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë. /Nistori/






