Përfaqësimi i personave me nevoja të veçanta në politikën lokale mbetet një nga boshllëqet më të mëdha të sistemit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut. Edhe këtë vit, publikimi i listave të kandidatëve për bartës dhe këshilltarë në komuna ka rikthyer shqetësimin e vjetër se ky grup qytetarësh vazhdon të mbetet jashtë vendimmarrjes dhe politikëbërjes.
Edhe pse partitë politike shpeshherë në fushata shpalosin premtime për më shumë përfshirje dhe barazi, realiteti tregon se personat me nevoja të veçanta rrallëherë shihen si pjesë e listave zgjedhore. Shoqëria civile ka tërhequr vërejtjen se kjo qasje i mban të margjinalizuar dhe i lë pa zë në institucionet vendimmarrëse lokale.
Kryetari i shoqatës SOS VITA në Shkup, Ertan Shaqiri, ka reaguar ashpër duke theksuar se partitë nuk i kanë marrë parasysh thirrjet e tyre. “Edhe pse kemi organizuar konferenca dhe kemi bërë thirrje publike që partitë dhe kandidatët të mos i lënë pas dore personat me nevoja të veçanta, ata as nuk na kanë dëgjuar e as nuk kanë kthyer përgjigje. Kjo tregon se për ta, ky grup qytetarësh nuk ka rëndësi në agjendën politike”, tha Shaqiri.
Ai për gazetën KOHA theksoi se përfaqësimi i personave me nevoja të veçanta nuk duhet të kufizohet vetëm në një komunë të caktuar, por duhet të jetë parim i përgjithshëm në të gjithë Maqedoninë e Veriut. “Nga 30 karroca që janë shpërndarë sivjet për persona me nevoja të veçanta, asnjë nuk ka qenë donacion partiak, qoftë edhe për pikë politike. Ky fakt tregon sa pak interes ka nga partitë për këtë kategori qytetarësh. Ne ndjehemi të lënë pas dore dhe të dëshpëruar, sepse edhe në të ardhmen kërkojmë të jemi pjesë e listave zgjedhore, ashtu si çdo qytetar tjetër”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, analistët e shoqërisë civile vlerësojnë se mungesa e përfaqësimit të personave me nevoja të veçanta në politikën lokale është një dëm për funksionimin e demokracisë, pasi vendimmarrja shpesh anashkalon nevojat e këtij grupi. Ata theksojnë se përfshirja e personave me nevoja të veçanta në listat zgjedhore nuk është vetëm një obligim moral, por edhe një detyrim për të siguruar një demokraci gjithëpërfshirëse.
Ndryshe, siç shihet, mungesa e përfaqësimit në nivelet e pushtetit lokal dhe qendror po prodhon një cikël të përhershëm të margjinalizimit. E përderisa partitë nuk e shohin këtë kategori si partnerë politikë, shanset për ndryshim mbeten minimale. /Koha/






