Dhuna në familje mbetet një nga problemet më të mëdha sociale dhe shëndetësore të shoqërisë sonë. Kjo dukuri, për fat të keq, është e pranishme edhe në Dibër. Ajo nuk kufizohet vetëm në dhunë fizike, por përfshin edhe dhunë psikologjike, emocionale, ekonomike dhe seksuale. Shumë individë, sidomos gratë dhe fëmijët, përballen çdo ditë me situata të tilla, por shpesh zgjedhin të heshtin për shkak të frikës, varësisë ekonomike apo gjykimit të shoqërisë.
Në Dibër, kjo dukuri ende shihet si tabu. Shumë njerëz hezitojnë të flasin hapur për dhunën në familje, duke e konsideruar si “punë shtëpie” që nuk duhet të dalë jashtë mureve. Një qasje e tillë bën që viktimat të ndihen të vetmuara dhe pa mbështetje, ndërsa dhunuesit shpesh vazhdojnë veprimet e tyre pa asnjë pasojë.
Punonjësit socialë pranë Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale në Dibër thonë se dhuna ekziston, por shpesh viktimat nuk guxojnë të flasin. Gjatë këtij viti janë evidentuar gjashtë raste të dhunës në familje, një numër i njëjtë me vitin e kaluar. Megjithatë, sipas tyre, numri real është më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen në organet kompetente.
Punonjësja sociale, Lindita Bellçishta, thekson se në këtë drejtim ndikim të madh ka mentaliteti tradicional. Sipas saj, në qytet dhe në fshatrat përreth, ku banorët njihen mes vete, familja shihet si një institucion i shenjtë që nuk duhet të “përlyhet” duke nxjerrë problemet jashtë. Viktimat shpesh kanë frikë nga përjashtimi shoqëror, nga gjykimi apo etiketimi si gra që kanë “prishur” familjen, dhe për pasojë hezitojnë të kërkojnë ndihmë. Një tjetër faktor që ndikon është varësia ekonomike, pasi shumë gra nuk kanë pavarësi financiare dhe ndihen të detyruara të qëndrojnë në një marrëdhënie të dhunshme. Po ashtu, jo të gjithë janë të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre apo për institucionet që mund t’i ndihmojnë.
Koleget e saj, Lulkuqe Spahiu dhe Skënder Daci, theksojnë se heshtja përballë dhunës në familje e thellon problemin edhe më shumë. Viktimat jo vetëm që vuajnë trauma të rënda emocionale dhe fizike, por edhe fëmijët që rriten në një mjedis të tillë bartin plagë psikologjike që i ndjekin gjatë gjithë jetës. Ata shtojnë se janë evidentuar edhe raste të grave të divorcuara, të cilat kanë aplikuar për banesa sociale, por shpesh paraqiten në Qendër duke u ankuar se shqetësohen dhe dhunohen nga ish-bashkëshortët. Megjithatë, sipas tyre, ka edhe raste kur disa persona paraqiten si viktima vetëm për të përfituar nga ndihmat sociale, sidomos nga banesat që do të ndahen edhe në Dibër. “Edhe pse shumica e viktimave janë reale dhe vuajnë në heshtje, ekzistojnë edhe raste të abuzimit. Për këtë arsye, ne si institucion kryejmë verifikime të kujdesshme dhe transparente, në mënyrë që mbështetja të shkojë tek ata që vërtet kanë nevojë”, theksojnë punonjësit.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, i cili mbulon edhe Komunën e Dibrës, gjatë verës në qytet dhe në fshatrat e rajonit janë regjistruar disa dukuri që lidhen me dhunën në familje. Në një rast, një nënë nga Dibra me një mjet të mprehtë ka sulmuar djalin e saj, ndërsa në disa fshatra janë evidentuar raste të dhunës së bashkëshortëve ndaj grave.
Ekspertët theksojnë se për të tejkaluar këtë dukuri negative nevojitet një qasje afatgjatë, ku përfshihet edukimi i brezave të rinj mbi barazinë gjinore, respektin dhe komunikimin paqësor. /Koha/






