Me ditët që shkurtohen dhe temperaturat që bien gradualisht, është e rëndësishme t’u kushtojmë vëmendje nevojave të bimëve që kemi në ballkon, tarracë apo oborr
Në vend se të mbështeteni vetëm në datat e kalendarit për kujdesin ndaj luleve, më e mira është të ndiqni kushtet e motit, sidomos temperaturat e natës, dhe t’i përshtatni veprimet sipas kërkesave të çdo bime.
Shumë bimë vijnë nga zona më të ngrohta dhe nuk janë rezistente ndaj të ftohtit. Veçanërisht të ndjeshme janë bimët tropikale e ato të brendshme, si dhe shumica e agrumeve, të cilat nuk i përballojnë temperaturat nën 12-15 °C.
Bimët që duhen futur sapo të ftohet
Bimët tropikale me gjelbërim të përhershëm, si fikusi, si dhe orkidetë apo begoniet, nuk e përballojnë natën e ftohtë nën 12°C dhe duhen futur në ambient të mbyllur sapo temperaturat e natës fillojnë të bien. Edhe agrumet, si limoni, portokalli, duhet të futen para shfaqjes së ngricës së parë, sepse të ftohtit mund t’u shkaktojë dëme. E njëjta gjë vlen edhe për lule të ndjeshme si surfinia.
Bimët që mund të mbeten jashtë edhe pak
Livanda është më rezistente dhe mund të përballojë temperatura deri në 8–10 °C, por duhet mbrojtur nga ngricat. Bimët me gjelbërim të përhershëm në vazo, si shkurret e shimshirit, tujat apo rozmarina, mund të dimërojnë jashtë nëse vendosen në një vend të mbrojtur dhe mbulohen me një material të lehtë që i mbron nga era.
Si t’i përgatisni bimët për dimër
▪ Para se t’i fusni brenda, pastroni bimët nga gjethet e thara ose të dëmtuara dhe kontrolloni për parazitë, duke i hequr nëse ka.
▪ Nëse vazot janë bërë të vogla për bimën, është momenti i duhur për t’i transplantuar në vazo më të mëdha me dhe të freskët.
▪ Ulni sasinë e ujit, sepse gjatë dimrit bimët rriten më ngadalë dhe kanë nevojë për më pak lagështi.
▪ Vendosini në vende të ndritshme, idealisht pranë dritareve, në mënyrë që të marrin sa më shumë dritë natyrale.
Kur është koha e duhur për t’i futur brenda?
Ekspertët sugjerojnë një rregull të thjeshtë: bimët e shtëpisë duhet të futen në ambiente të mbyllura rreth 50 ditë para ngricës së parë ose kur temperaturat zbresin rreth 10°C.
Ky rregull i ndihmon bimët të mbrohen në kohë nga të ftohtit, pasi shumica prej tyre kanë origjinë tropikale dhe nuk e përballojnë dot klimën e ashpër. Një tregues tjetër është edhe dallimi i madh i temperaturave midis ditës dhe natës gjatë muajve të vjeshtës.






