Kriteri për një eksperiencë skenike prej 35 vjetësh për të përfituar mbështetjen maksimale të projekteve në sferën – Manifestime dhe Festivale, ka ngjallur reagime negative pas shpalljes së Konkurseve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për Programin e vitit të ardhshëm. Organizatorët e festivalit “Skena e muzikës serioze shqiptare”, e kanë cilësuar të padrejtë dhe përjashtues kriterin i cili vitin e kaluar kishte një kufi më të lartë prej 40 vitesh përvojë.
“Ky kriter përjashton në mënyrë të qartë manifestimet shqiptare, të cilat për arsye historike e politike kanë filluar shumë më vonë, për shkak të politikave antishqiptare të ish-shtetit jugosllav. Është paradoksale që vetë RMV është më e re se 40 vite, ndërsa nga festivalet kërkohet një traditë që kthehet në kohën e Jugosllavisë. Këtë vit, në vend që të korrigjohet ky gabim, është vendosur një tjetër shifër arbitrare – 35 vite traditë, që përsëri diskriminon festivalet shqiptare. Në vend që të vlerësohet cilësia e programeve artistike, mbështetja financiare kushtëzohet nga kriteret e moshë”, deklarojë organizatorët.
Ata kërkojnë heqjen e kushtit mbi “vjetërsinë” e festivaleve, duke u bazuar vetëm në cilësinë artistike dhe programore. Transparencë dhe barazi reale në ndarjen e buxheteve për të gjitha festivalet, pa standarde të dyfishta.
“Arti nuk matet me vite kalendarike, por me vizion, ide dhe ndikim shoqëror. Çdo përpjekje për të penguar festivalet shqiptare në Maqedoni është një përsëritje e padrejtësive historike, të cilat nuk duhet të kenë vend në një shtet që pretendon barazi qytetare”, reagojnë organizatorët e festivalit. Mbështetja më e lartë financiare në zërin – Manifestime dhe Festivale është në vlerën 4 milionë denarë. Për festivale me traditë mbi 15 vjet ndahen 2,5 milionë denarë.
“Subjekti duhet të ketë realizuar të paktën 35 edicione të manifestimit/festivalit me kohëzgjatje prej të paktën 2 ditë”, thuhet në pjesën e kritereve.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit i ka shpallur të hapura konkurset për realizimin e projekteve vjetore me interes nacional për vitin 2026 në gjithsej dhjetë kategori nga 30 shtator deri më 31 tetor. Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta që duhet të plotësohen nga aplikanti janë kryesisht të njëjta me ato të vitit të kaluar.
Në udhëzimet për secilën veprimtari po ashtu janë shënuar shumat maksimale të mbështetjes financiare. Deri në 4 milionë denarë (Manifestimet) 3 milionë denarë (Ndërkombëtare), 1.5 milionë denarë (Muzeal), në 1 milion (Drama), 800 mijë (Muzika), ndërsa maksimumi tek Botimet dhe Trashëgimia është 500 mijë denarë, 450 mijë (Folklori) (Art dizajn), 250 mijë (Bibliotekat). Prioritet do të kenë ato projekte që promovojnë artin dhe kulturën vendase, që shënojnë data jubilare, apo që organizohen në destinacione kulturore dhe turistike në vend, që kultivojnë dhe afirmojnë identitetin nacional të komuniteteve… /Koha/






