Derisa dekada më parë në Komunën e Dibrës numëroheshin me gishta rastet e divorceve, kohëve të fundit ato janë në rritje. Mesatarisht, çdo vit evidentohen mbi 40 divorce, çka, në raport me numrin e popullsisë, përbën një shifër të konsiderueshme. Kjo dukuri sociale është e pranishme si në qytet, ashtu edhe në vendbanimet rurale.
Analizat tregojnë se ndër shkaqet kryesore të divorceve janë problemet sociale, por veçanërisht emigrimi i popullsisë. Kjo ndikon sidomos për shkak të dallimeve në mentalitet mes të rinjve që vendosin të martohen. Një rritje e dukshme e numrit të divorceve vërehet te çiftet e reja.
Në Gjykatën Themelore të Dibrës thonë se gjatë dekadës së fundit divorci është shndërruar në një dukuri të rregullt, e cila është në rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të administratës së këtij institucioni gjyqësor, mbi 45 për qind e rasteve të divorceve janë evidentuar te çiftet ku të dy, ose të paktën njëri prej bashkëshortëve, jeton në mërgim. Po ashtu, si faktorë ndikues përmenden varfëria, bixhozi, alkooli dhe droga.
Juristi i njohur dibran dhe kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Mersim Marku, thekson se dominues mbeten shkaqet sociale. “Viteve të fundit, numri i divorceve të çifteve të reja arrin nga 40 deri në 50 në vit, dhe shkaqet kryesore janë problemet sociale, respektivisht mosmarrëveshjet mes bashkëshortëve për shkak të përdorimit të alkoolit, bixhozit, drogës dhe varfërisë. Por nuk është i vogël as numri i divorceve në martesat që lidhen mes mërgimtarëve dhe banorëve të Dibrës, ku si shkak kryesor vlerësohet disbalanca në mentalitet”, shprehet Marku.
Ai sqaron se edhe përkundër dëshirës së prindërve që jetojnë në mërgim, për fëmijët e tyre të lidhen me ato të Dibrës, për të mos humbur traditat dhe as gjuhën, paraqitet një disbalancë mes çiftit të ri. “Dibra është një qytet me migrim masiv. Dibranët që kanë emigruar jetojnë në shtetet e Evropës dhe në SHBA. Nostalgjia për vendlindjen i shtyn prindërit të dëshirojnë që fëmijët e tyre të lidhen me fëmijët dibranë, për të mos humbur traditat e as gjuhën. Por këtu lind një problem që duhet ta studiojnë sociologët, pasi fëmijët rriten në dy kultura të ndryshme dhe paraqitet një disbalancë e mosmarrëveshje mes çiftit të ri, që çon në çrregullime të shumta. Unë propozoj që prindërit t’u lejojnë fëmijëve kohë të njihen mirë me njëri-tjetrin përpara se të vendosin për martesë. Divorci duhet të jetë vendimi i fundit dhe më i vështiri që bashkëshortët e pakënaqur marrin për martesën e tyre”, theksoi Marku.
Marku thekson gjithashtu se divorci krijon nevoja për kushte të reja jetese dhe sjell shpenzime të tjera, që përbëjnë një barrë të rëndë për shoqërinë. Kjo barrë bie edhe mbi familjet, veçanërisht mbi gratë në zonat rurale, të cilat kanë të ardhura të pakta, duke e thelluar edhe më shumë varfërinë.
Shoqatat qytetare që veprojnë në Dibër potencojnë se dukuria e divorcit ka marrë përmasa shqetësuese, duke pasur parasysh se më parë ajo ka qenë shumë e rrallë. Sipas tyre, mentaliteti dibran lidhur me familjen ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. /Koha/






