Ende nuk është identifikuar personi që kreu atentat ndaj Zekirija Shainit

    24 orë pas sulmit me armë zjarri ndaj mjekut Zekirja Shaini në qendër të Kumanovës, sulmuesi ende ndodhet në arrati dhe i pa identifikuar. Nga Ministria e Punëve të Brendshme deri tani, nuk kanë njoftuar nëse kanë informacione se ku mund të ndodhet dorasi.

    “Në një vend ku ndodhet stacioni policor, ndodhet komuna, ndodhet gjykata themelore, ndodhet posta kryesore dhe shumë institucione të tjera shtetërore, në mes të ditës kemi gjuajtje me armë zjarri dhe policia ende nuk ka arritur të kapë dorasin”.

    Qytetarët e Kumanovës nuk ndjehen të sigurt. Habiten se si mundet në një vend të frekuentuar, lirshëm të lëvizin njerëz të maskuar dhe të armatosur. Në vendngjarje ka kamerë të Fondit Shëndetësor, por e njëjta nuk punon.

    “Katastrofë! Pse katastrofë? Se skemi shtet, çfarë shteti. Çka nuk funksionon? Para policisë, para komunës, para hoteleve, nuk funksionon asgjë! Jo policia e kryen por policia rrugore çfarë do të bëjë. Ata të mëdhenjtë duhet t’i kryejnë punët jo këta të vegjlit”, thotë një qytetar.

    “Kamera duhet të ketë të vendosura sigurisht, me kamera është më efektive, më lehtë edhe për ta gjetur autorin por edhe çfarë do pune të jetë”, shprehet një qytetar tjetër.

    “Sa i përket sigurisë, nuk është në nivel. Njeriu del nga shtëpia del në qendër të qytetit apo pa marrë parasysh çfarë obligimi ka, e kur ndodhin këto raste atëherë mund ta merrni parasysh se sa është e sigurtë. Mund të ketë edhe viktima pa faj apo jo? Mundet të ketë sigurisht këtu”, thekson një qytetar.

    Shahini përmes një reagimi në rrjetet sociale ka deklaruar se nuk është në hasmëri me askënd dhe rasti nuk ka ngjyrime politike. Ndaj organeve apelon që ta zbardhin rastin sa më shpejtë të jetë e mundur.

    Deri tani sipas informacioneve brenda grupeve hetimore, janë ndaluar disa persona për shkak se mund të kenë njohur për atentatin. Të njërit janë ndaluar në cilësinë e personave të afërt, pasi pistat e hetimit janë për motive private, duke mos dyshuar për momentin për motive politike, ashtu siç deklaroi ditë më parë Prokuroria Publike.

    Ndaj pulmologut Zekirja Shaini u gjuajtën tetë plumba të kalibrit 9mm dhe u qëllua tre herë. Shaini u gjuajt derisa po lëvizte me veturën e tij nga një person i maskuar, i cili del nga një tunel i një ndërtese dhe menjëherë më pas i’a mbathë në të njëjtin drejtim.

    Shaini vazhdon të lëvizë me veturën e tij por për shkak dhimbjeve ndalon dhe niset për në spital me autoambulancë. Plagosja e tij nuk paraqet rrezik për jetën dhe mësohet se tani është lëshuar për kurim shtëpiak. / Alsat

    Lajmi Paraprak

    Tre vjet burg për tre personat që krijuan deponi të paligjshme në Vardarishte

    Lajmi i rradhës

    Shqipëria vrapon, apo ecën si kërmilli drejt BE…?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë