Edhe pse vite me radhë përflitet se qentë endacakë në Tetovë sillen nga qytete tjera, megjithatë deri më tani askush nuk është kapur duke transportuar qenë nga ndonjë qytet ose komunë. Prandaj, vazhdimisht në rrugët e Tetovës hasen qenë endacakë. Së fundmi, denoncimi ka ardhur nga vetë Ndërmarrja Publike Komunale Tetova e cila ka bërë të ditur se në rrugët e Tetovës është kapur një qen endacak i cili ishte trajtuar në Shkup. Këtë e kanë vërtetuar përmes çipit të cilin e kishte të vendosur qeni endacak.
“Komuna e Tetovës bën kontrolle të rregullta të qenve endacakë të sterilizuar, për të mbrojtur qytetarët e saj. Gjatë një kontrolli të rregullt, u konstatua se të paktën një qen është sjellë nga Shkupi në Tetovë. Për këtë dëshmon çipi me numër serik i cili përmban të gjitha të dhënat për qenin”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova.
Autoritet lokale në Tetovë kanë ngritur këtë shqetësim se pse dhe për çfarë qëllimi sillen qentë endacakë në Tetovë.
“Prandaj, si ndërmarrje publike jemi të detyruar të ngremë publikisht këtë shqetësim: Kush po i sjellë qentë nga Shkupi në Tetovë. Për çfarë qëllimi bëhet kjo. Ne do të vazhdojmë të kujdesemi për sigurinë e tetovarëve, por edhe t’i denoncojmë lojërat e pista që bëhen kundër qytetit tonë”, thuhet në reagimin e Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë.
Situata pothuajse aspak e mirë nuk është në komunat tjera rurale pasi që vazhdimisht banorët e këtyre komunave ankohen për prani të shtuar të qenve endacak. Në anën tjetër, edhe pse ishin angazhuar ndërmarrje private që të kujdesen për qentë endacakë, megjithatë rrugëve të këtyre vendbanimeve janë hasur vazhdimisht qenë endacakë prandaj edhe shqetësimet janë se këta qenë sillen nga komuna tjera. Së fundmi ankesa ka pasur edhe nga banorët e Komunës së Tearcës për prani më të madhe të qenve endacakë. /Koha/






