U tha t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese, partitë në Maqedoni nuk e komentojnë deklaratën e Ursula von der Leyen

    Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ka paralajmëruar rreziqet që mund të sjellë përsëritja e precedentëve në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se rruga e vendit drejt BE-së nuk duhet të kushtëzohet me marrëveshje bilaterale që tejkalojnë kornizën e kritereve të Kopenhagës. Kjo qëndron në komunikatën e kabinetit të presidentes, pas takimit me kryetaren e Komisionit Evropian në Shkup, Ursula Von Der Lejen. Ajo u shpreh e gatshme për bisedime me Sofjen, pas zgjedhjeve lokale.

    “Ajo përkujtoi mosrespektimin, përkatësisht shkeljen e disa parimeve dhe vlerave themelore të akteve themelore kushtetuese të BE-së që garantojnë identitetin kombëtar dhe kulturor të shteteve dhe kombeve, si dhe dinjitetin dhe integritetin e qytetarëve. Ajo shprehu gjithashtu gatishmëri për bisedime maqedonase-bullgare pas zgjedhjeve lokale. Siljanovska-Davkova pret ndihmë nga Unioni në gjetjen e një zgjidhjeje kreative për zhbllokimin e integrimeve maqedonase”, njoftojnë nga Kabineti i Presidentes, Siljanovska.

    Pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk është vetëm çështje e zgjerimit, por prek drejtpërdrejt sigurinë dhe stabilitetin e Evropës, komunikohet të ketë thënë Presidentja në takim me Von Der Lejen, duke shtuar se reformat në gjyqësor dhe lufta e pa kompromis kundër korrupsionit duhet të mbeten prioritet.

    Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lejen, pas takoi edhe kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kreun e Kuvendit Afrim Gashi, i dërgoi Shkupit një mesazh të qartë.

    “Ne mbetemi plotësisht pas Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Ju mund të mbështeteni tek ne. Hapi i ardhshëm dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë. Ju duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakorduar.
    Topi është në fushën tuaj. BE-ja është gati”, deklaroi Ursula Von Der Lejen, Kryetare e Komisionit Evropian.

    Porosinë e qartë dhe të prerë të Von Der Lejen nuk e komentuan as VMRO-DPMNE-ja dhe as LSDM-ja. Liderët e të dy partive, një ditë më parë në orët e mbrëmjes takuan qytetarët, mbajtën tubime politike dhe fjalime pompoze zgjedhore, por nuk ju adresuan aspak BE-së për porosinë e prerë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Jeta postmoderne dhe vlera e “njeriut të pasur”

    Lajmi i rradhës

    Lista Serbe sfidon Kuvendin e Kosovës dhe rrezikon formimin e Qeverisë së re

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë