Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” – Shkup, Sabahudin Rustemi, është ndaluar sot nga ana e policisë, konfirmojnë burime nga Ministria e Punëve të Brendshme, përcjell Nistori.
Sipas informacioneve, Njësia e Krimit Ekonomik e MPB-së gjatë pasdites ka sekuestruar dokumentacion shtesë që lidhet me funksionimin e ndërmarrjes dhe ka privuar nga liria dy persona të dyshuar për mosveprim në lidhje me mbledhjen dhe menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, zyrtarët e policisë po ndërmarrin veprime për sigurimin e provave. Dy persona nga menaxhmenti i Ndërmarrjes Publike ‘Higjiena Komunale’ – Shkup janë ndaluar dhe ndodhen në paraburgim, në lidhje me dyshimet për një vepër penale sipas nenit 230 të Kodit Penal,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.
Pritet që gjatë ditës të ndaluarit të përballen me kallëzime penale dhe të dalin para prokurorit publik.
Rustemi është drejtor i “Higjienës Komunale” që nga 29 janari i këtij viti. Ai është anëtar i BDI-së dhe u emërua në këtë funksion nga kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. /Nistori/






