Policia ka arrestuar drejtorin e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi, Ilija Stoilev, i cili, duke menduar se do të merrte shpërblim prej 50.000 eurosh, i ka ndarë ndihmë financiare nga programi IPARD një aplikanti, edhe pse kompania nuk i plotësonte kushtet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, policia dje ka arrestuar edhe katër persona të tjerë të përfshirë në rast, të cilët, si ndërmjetës, kanë ndikuar te drejtori që t’i ndajë mjetet pikërisht kompanisë së të dyshuarit kryesor.
“Edhe pse personi juridik i të dyshuarit kryesor nuk i ka plotësuar kushtet e parashikuara në thirrjen publike për dorëzimin e kërkesave për përdorimin e mjeteve nga Programi IPARD për masën 3, drejtori, pas marrjes së një premtimi për dhuratë me vlerë të konsiderueshme prej 50.000 eurosh, gjatë ditës së djeshme ka nënshkruar marrëveshje për përdorimin e mjeteve financiare me subjektin juridik dhe ka pranuar një pjesë të parave në shumën prej 400 eurosh, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit”, thonë nga PTH NKOK.
Rastin me arrestimet e Stojlevit dhe personave të tjerë të përfshirë e komentoi edhe kryeministri. Mickoski bëri thirrje që raste të tilla të raportohen.
– E kam thënë shumë herë në të kaluarën dhe do ta përsëris, se kjo nuk do të tolerohet. Siç e dini, në të kaluarën kemi pasur shumë raste të tilla, ndër të tjera do ta veçoj rastin me drejtorin e Geriatrisë dhe të ngjashme. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve, komunitetit të biznesit dhe të gjithë të prekurve të tjerë që, nëse janë viktimë e një sjelljeje të tillë nga kushdo qoftë, ta denoncojnë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga policia njoftuan se, përveç në shtëpinë e Stojlevit, janë gjetur shuma të konsiderueshme parash edhe në lokacione të tjera ku është kryer bastisje, ndërsa Prokuroria ka kërkuar paraburgim efektiv për të pesë personat, teksa hetimet vazhdojnë ende./Alsat/






