SHËNIME NGA TETOVA
Kujtim Shabani
Përsëri për në Tetovë. Nga Zvicra. Me aeroplan. Për dallim nga rruga me autobus, a me veturë, sidomos nëse pos udhëtimit të gjatë të bie të presësh me orë të tëra nëpër dogana, ky nuk ofron shumë përjetime. Kështu je pothuajse me një hov në Tetovë. Por edhe ky udhëtim i ka temat e veta, që hanë debat.
Ja, për shembull, udhëzimet e sigurisë në rast avarie në avion: puna e maskave, daljet emergjente, etj. Këto jepen në maqedonisht dhe në anglisht. Cilës mendje i bëhet hyzmet me këtë? Maqedonisht për maqedonasit, anglisht për të tjerët. Maqedonasit në aeroplan janë një grusht, të tjerët janë shqiptarë dhe shumicë dërrmuese. Maqedonishtja është gjuhë zyrtare në Maqedoni, do të thonë. Po e tillë është edhe shqipja. Herë ku ka 20 për qind shqiptarë, herë në rrafsh republike. Pastaj jemi në Bazel, Zvicër, jo në Maqedoni. Dhe për pak do të jemi në qiell. Do të kalojmë mbi disa shtete. Cila është gjuha zyrtare në qiellin e pafund? Sa përqind duhet të jesh në qiellin e Zotit që të të bëjnë hesap? Po të ndiqet logjika zyrtare, s’i dihet ku del. Numri i maqedonasve në Zvicër është shtuar viteve të fundit. Këta janë nga ata që kanë marrë pasaportë bullgare dhe kanë fituar të drejtën e qëndrimit në Zvicër.
Kompania, thonë, është hungareze. Pse nuk flasin hungarisht? Pse nuk flasin gjermanisht? Kjo është e vetmja gjuhë që e njohin të gjithë në avion. Por protokollet e kompanisë për fluturimet për në Shkup dhe nga Shkupi i ka vendosur autoriteti rregullator i Maqedonisë së Veriut. Mbase Ministria e Transportit. Dhe si duket i ka vendosur si ia ka prerë mendja, si i ka dashur shpirti atij, i cili e ka pasur në dorë këtë punë. Sipas parimit shkurt dhe maqedonisht! Çfarë zgjidhjeje primitive! “Vic”! Të refuzosh t’u urosh mirëseardhje njerëzve që udhëtojnë në vendin e tyre, është t’i shpallësh ata të padëshiruar. Po s’i the shqiptarit “Mirë se erdhe!” i ke thënë nuk je i mirëpritur. Ky është fati ynë që në rrëzë të dukjes tonë.
Stjuarti gjatë leximit të udhëzimeve të sigurisë, zgërdhihet me stjuardesën, e cila tekstin e tij e përkthen në gjuhën e lëvizjeve me duar. Ajo mezi përmbahet. Përpiqet të mos shikojë nga ai, se do ta kapë gazi dhe do të lërë nam. Flirt? Axhamillëk? Stjuardesat janë të bukura. Po ndërmjet tyre ka edhe familjaritet. Vijnë nga e njëjta kulturë. Po mërgimtarët shqiptarë, sidomos gratë dhe të rinjtë, nuk e njohin maqedonishten. Dhe nuk është e thënë ta njohin anglishten. Sikurse kjo të ishte e mjaftueshme, do të ishte e tillë për të gjithë, edhe për maqedonasit. Shqiptarëve u ngelet të përqëndrohen te gjuha e shurdh-memecëve, shpjegimet e stjuardesës me duar e me mimika.
Shqiptarët janë memecë. Askush nuk flet për këto huqje e truqe. Janë dakord me të drejtat që ua kanë prerë në vend të tyre dhe në vende të tjera, në tokë të babës dhe në qiell të Zotit. Udhëzimet e sigurisë në aeroplan në gjuhën shqipe duken një luks. Për këtë mbretëron një mirëkuptim i patundur. Udhëtimet e tyre me aeroplan konsiderohen rutinë. Me rëndësi ngjitemi, ulemi, duartrokasim, kthehemi… Jemi në rregull. Paguajmë biletat helm me gjak. Paguajmë taksa e tatime dhe s’duam llogari.
Ta mendosh pak më thellë, këto udhëzimet e sigurisë nuk janë kot. Ato nuk janë vetëm një çështje e përfilljes kulturore. Nga këto udhëzime, në rast avarie, varet jeta e udhëtarëve. Udhëzimet e sigurisë janë një informacion për t’u kuptuar mirë. A nuk është rrezikim i jetës së njërëzve t’ua mohosh informimin në gjuhën e tyre? Kjo është t’i marrësh në qafë për hir të një mendësie të prapambetur. Avari të tilla duhet t’u kujtohen sidomos shqiptarëve. Dy avionë me shqiptarë janë rrëzuar në fillim të viteve 90-të në Maqedoni: njëri s’arriti të ngjitej në qiell, tjetri s’arriti të ulej në tokë.
Mërgimtarit ia do puna ndonjëherë të kthehet pas dy ditësh në Zvicër, dhe pas tri-katër ditësh të vijë sërish në Tetovë. Atëherë i bie të marrë një aeroplan të një kompanie tjetër, zvicerane. Këtu udhëzimet e sigurisë ekuipazhi i jep në gjermanisht dhe në shqip. Për më tepër, e kanë qëmtuar një zë gruaje të kulluar që e qan tekstin. Dhe e sheh më së voni se shqipja është e mundur. Dhe e sheh se shqipja është e bukur. Dhe se kur mohohet, ajo tingëllon aq më bukur!
Në kthim i japin karar fare: udhëtarët i përshëndet në hyrje të avionit melodia e këngës “Kur perëndon dielli”, që lexuesit mund t’i kujtohet më mirë nga vargjet “Mbeta gjithë ditën krojeve…” Ato jehojnë lehtë nga altoparlantët e vegjël mbi krye të ulëseve dhe rrjedhin si qindra kroje ëmbëlsisht në veshët dhe shpirtin e mërgimtarit. Dhe udhëtimi bëhet festë. Festë e dyfishtë!
Sa i humbur është kush s’i duron këto tinguj!
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






