Avni Osmani
Jeta është një dhuratë e çmuar. Njeriu lind vetëm një herë dhe jeton vetëm një herë. Ka njerëz që udhëtojnë botën, paguajnë shuma të mëdha dhe i nënshtrohen proceseve të vështira mjekësore vetëm që të sjellin në jetë një fëmijë. E ndërsa dikush lufton me vite për një jetë të re, dikush tjetër i jep fund jetës së tij, megjithëse i është dhënë shëndeti, familja, mundësia dhe bekimet e shumta.
Kjo më shtyn të pyes: pse vetëvrasja? Pse kjo dukuri po rritet mes nesh?
Nuk jam psikolog, por si shumë të tjerë shoh se në dy dekadat e fundit vetëvrasjet janë shtuar në mënyrë të frikshme. Sigurisht, tragjeditë njerëzore kanë ekzistuar gjithmonë – nga letërsia e Shekspirit, Dostojevskit e Tolstoit, deri te shkrimtarët tanë – por realiteti i sotëm duket se ka shtuar dimensione të reja, cifra alarmante.
Presionet e kohës moderne
Sot jemi në shekullin XXI, në kohën e teknologjisë, por edhe të presioneve të padukshme. Të rinjtë ëndërrojnë paga të mëdha, makina të shtrenjta, pushime luksoze dhe jetë perfekte, sidomos kur çdo ditë shohin “suksese” të rreme në rrjetet sociale. Krahasimi i vazhdueshëm krijon te njeriu pasiguri, pakënaqësi, humbje motivimi dhe ndonjëherë depresion.
Mungesa e perspektivës, krizat ekonomike, problemet familjare, divorcet, dhuna psikologjike dhe varësitë e ndryshme vetëm sa e rëndojnë këtë gjendje.
Bullizmi – Plagë e rëndë
Bullizmi është bërë një nga plagët më të rënda të shoqërisë sonë moderne. Në shkolla, lagje dhe sidomos online, fëmijët e të rinjtë shpesh përballen me tallje, poshtërime, përjashtim, etiketime dhe shantazh emocional.
Bullizmi sot nuk ndodh vetëm në klasë. Ai ndodh në grupet online, në komentet e rrjeteve sociale, në videot që shpërndahen për tallje. Dhe kur një i ri e përjeton këtë çdo ditë, ai ndjehet i mbyllur, i turpëruar, i kërcënuar dhe i papërkrahur.
Shumë tragjedi kanë nisur pikërisht nga kjo plagë e rëndë: bullizmi.
Çfarë na çon drejt vetëvrasjes?
Shkaqet janë të ndërlidhura:
• depresioni dhe çrregullimet e shëndetit mendor
• problemet ekonomike
• dhuna dhe konfliktet familjare
• vetmia dhe izolimi
• varësitë
• bullizmi dhe presioni social
• mungesa e komunikimit
• dështimet sentimentale, humbje, zhgënjim dashurie
Të flasim më shumë – të mos heshtim
Vetëvrasja asnjëherë nuk është zgjidhje apo çlirim nga problemi. Ajo sjell dhimbje në familje, bie ndesh me rregullat njerëzore e fetare.
As feja, as shkenca nuk e pranojnë aktin e vetëvrasjes. Feja islame madje edhe fetë tjera e mohojn kategorikisht këtë fenomen. Jeta është e shenjtë dhe i përket vetëm Krijuesit. Shkenca gjithashtu thotë se çdo krizë emocionale është e trajtueshme dhe çdo depresion ka rrugëdalje.
Ne kemi nevojë:
• të flasim me njëri-tjetrin,
• të mos turpërohemi nga problemet,
• të kërkojmë ndihmë profesionale,
• të mbështesim ata që janë në vështirësi,
• të hapim sytë ndaj shenjave paralajmëruese.
Me arsim, vetëdije , sensibilizim dhe humanizëm, ky fenomen mund të zvogëlohet.
Nuk mjafton të flasim pasi të ndodh tragjedia. Duhet të punojmë për parandalim. Të edukojmë fëmijët për bullizmin. Të flasim në shkolla, në familje, në media, në xhami, në çdo hapësirë ku njeriu mund të dëgjojë.Të organizohen tribuna dhe evente të ndryshme ku i riu merr pjesë flet,dhe institucionet marrin masa.
Jeta është e shenjtë. Dhimbja është e kapërcyeshme. Dhe çdo njeri ka të drejtë të dëgjohet, të kuptohet dhe të mbrohet.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.






