Vitet e fundit në Komunën e Dibrës, por edhe në komunat rurale fqinje si Qendër Zhupa dhe Mavrovë – Rostushë, dhuna ndaj gruas dhe dhuna familjare në përgjithësi po merr përmasa shqetësuese. Edhe pse një pjesë e madhe e rasteve mbetet e mbyllur brenda familjes, ka gjithsesi shumë denoncime që paraqiten në institucionet kompetente, si MPB-ja, qendrat për punë sociale dhe shoqatat qytetare. Këto shoqata theksojnë se nevojitet vetëdijesim më i madh shoqëror dhe institucional për të frenuar një dukuri që shqetëson familjen dhe komunitetin.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Sektori për Punë të Brendshme, Qendra për Punë Sociale dhe Gjykata Themelore, kjo dukuri është në rritje nga viti në vit. Ata shtojnë se dhuna është shumë më e përhapur sesa çfarë raportohet zyrtarisht. Mënyra tradicionale e jetesës në familjet dibrane vazhdon të ndikojë në mosraportimin e rasteve.
Shoqata Qendra për Zhvillim të Qëndrueshëm të Bashkësisë në Dibër nënvizon se në këto rrethana nevojitet vetëdijesim i shtuar shoqëror dhe institucional. Sipas shoqatës, nevojitet edhe më shumë kujdes nga mediat në mënyrën se si raportojnë për dhunën ndaj grave.
“Në vend që të gjykohen vajzat dhe gratë, fokusi duhet të drejtohet te ata që ushtrojnë dhunë, shantazh, presion psikologjik, manipulim dhe kërcënim. Shpesh, të rejat ballafaqohen me kërcënime, mashtrime, shfrytëzim emocional dhe kontroll, të cilat nuk raportohen nga frika e paragjykimit. Kjo tregon qartë se kemi të bëjmë me një problem të rëndë dhe të përhapur”, thekson shoqata.
Shoqata u bën thirrje institucioneve që të forcojnë mekanizmat e mbrojtjes, këshillimit dhe raportimit për vajzat dhe gratë që përballen me dhunë ose presion psikologjik. Ajo u bën thirrje shkollave dhe universiteteve të krijojnë hapësira të sigurta psikologjike dhe mbështetje profesionale për nxënësit dhe studentët. Mediat dhe gazetarët duhet të respektojnë etikën profesionale, të shmangin gjuhën stigmatizuese dhe të raportojnë me kujdes dhe humanitet. Ndërsa qytetarët dhe familjarët duhet të raportojnë çdo rast dhune apo shantazhi dhe të mos e lënë viktimën të vetme.
Në Dibër dhe në rajon, dhuna ndaj gruas dhe dhuna familjare shpesh lidhen me probleme sociale brenda familjes, varësinë nga alkooli dhe bixhozi. Ka edhe raste ku viktima janë të moshuarit ose fëmijët, të sulmuar nga anëtarë të familjes. Heshtja i nxit këto dukuri, theksojnë shoqatat qytetare, duke rikujtuar se çdo formë dhune ndaj grave, fëmijëve apo të moshuarve duhet të raportohet. /Koha/






