Ajri i ndotur po vret: Maqedonia e Veriut ndër vendet me rrezikun më të lartë në Europë

    Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina mbeten ndër vendet me ekspozimin më të lartë afatgjatë ndaj ajrit të ndotur. Pasojat shëndetësore janë të rënda: rritje e sëmundjeve kronike, karcinomave dhe shkurtim i jetëgjatësisë. Këto janë vlerësimet më të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), të bazuara në të dhënat deri në vitin 2023, shkruan Meta, përcjell Nistori.

    Sipas raportit, Maqedonia, së bashku me Bosnjën e Hercegovinën dhe Shqipërinë, renditet në krye të vendeve më të prekura nga grimcat e imëta PM2.5, duke regjistruar përqindjet më të larta të vdekjeve të ndërlidhura drejtpërdrejt me ekspozimin afatgjatë ndaj ajrit të ndotur. Ndotja prek veçanërisht fëmijët, duke shkaktuar astmë, ndërsa te të rriturit mbi 30 vjeç rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, kancer të mushkërive, COPD, diabet dhe demencë.

    Të dhënat e EEA-së për vitin 2023 tregojnë se në Maqedoni kanë vdekur 2,667 persona nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit, në Shqipëri 3,551 persona, ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë 4,783 persona.

    Agjencia thekson se, pavarësisht përmirësimeve, 95% e popullsisë urbane në Evropë ende është e ekspozuar ndaj përqendrimeve të ndotësve mbi rekomandimet e OBSH-së.

    Sipas vlerësimeve, ulja e ndotjes së ajrit në nivelet e udhëzimeve të OBSH-së do të mund të parandalonte 182,000 vdekje të lidhura me PM2.5, 63,000 me ozonin (O3) dhe 34,000 me dioksidin e azotit (NO2) vetëm në BE në vitin 2023.

    Provat e fundit tregojnë gjithashtu se ndotja e ajrit mund të kontribuojë në zhvillimin e demencës.

    Lajmi Paraprak

    Trump-it i kërkohet të angazhohet më shumë në Ballkan

    Lajmi i rradhës

    Dhjetë kompani sigurimi në RMV manipuluan me çmimet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë