Rritja e çmimit të vezëve po shndërrohet në një nga shembujt më të dukshëm të krizës së përditshme që po godet qytetarët. Ajo që dikur ishte produkt bazë, sot në shumë familje po trajtohet si “artikull i kujdesshëm”, duke reflektuar fuqinë gjithnjë e më të brishtë blerëse. Për çmimin me të cilin dhjetë vezë shiteshin pak muaj më parë, sot merret vetëm një paketim prej gjashtë copash. Në markete, dhjetë vezë kushtojnë 125 deri në 150 denarë, ndërsa paketimi prej 30 kokrra vezësh arrin në 400 denarë, çmim që deri një vit më parë do të dukej i pamendueshëm.
Pavarësisht se vezët janë një nga produktet më të konsumuara dhe më të nevojshme, institucionet vazhdojnë të ofrojnë sqarime teknike pa i dhënë qytetarëve një perspektivë konkrete se kur kjo rritje do të ndalet. Ministria e Ekonomisë e lidh rritjen e vezëve me faktorët globalë.
“Në tregun ndërkombëtar janë rritur çmimet e misrit dhe sojës, që përbëjnë bazën e ushqimit të kombinuar për pulat vezë. Këto zhvillime po reflektohen edhe në tregjet tona dhe për këtë arsye çmimi i vezëve është rritur. Megjithatë, Maqedonia mbetet ndër vendet me çmimet më të ulëta të vezëve në rajon dhe trendet globale pritet të vazhdojnë të kenë ndikim në periudhën e ardhshme”, thonë nga atje.
Për të pasqyruar më qartë ndikimin e faktorëve globalë, çmimi mesatar i eksportit të vezëve deri në vitin 2020 ishte nën 1 euro për kilogram. Ai arriti kulmin në vitin 2022 me 1,612 euro/kg, ndërsa në 2023 u ul në 1,427 euro/kg. Në vitin 2025, çmimi mesatar i eksportit u rikthye në 1,065 euro/kg, dukshëm më i ulët se kulmet e mëparshme. Edhe importet e vezëve në vitet 2023 dhe 2024 mbetën më të ulëta se çmimi mesatar i eksportit, duke treguar se vendi është i ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut global dhe krizave që ndikojnë furnizimin.
Por krahasimi me rajonin është argument që gjithnjë e më pak bind qytetarët. Ndërsa në Kroaci dhjetë vezë kushtojnë rreth 2.45 euro dhe në Serbi rreth 214 dinarë, paga mesatare në këto vende është dukshëm më e lartë. Në realitetin tonë ekonomik, çmimi “i ulët” është relativ dhe nuk përputhet me të ardhurat e familjeve, të cilat tashmë po bëjnë përzgjedhje të sforcuara edhe në produktet më elementare ushqimore. Prandaj, për shumë qytetarë, vezët nuk janë më produkt i zakonshëm, por artikull që blihet me llogari.
Ndërkaq, shifrat tregojnë se vendi prodhon mesatarisht rreth 160 milionë vezë në vit. Megjithatë prodhimi nuk ka arritur të frenojë rritjen e çmimit. Dhoma e Tregtisë shpjegon se çmimi ndikohet nga kostot e ushqimit të pulave, mungesat në tregjet globale, ulja e prodhimit në disa vende të BE-së dhe shpërthimet e gripit të shpendëve, të cilat çrregullojnë furnizimin për muaj të tërë. Këto faktorë janë realë, por mbeten të pashoqëruar me masa konkrete vendore.
Për më tepër, në pesë vitet e fundit çmimi i eksportit të vezëve është rritur ndjeshëm, nga më pak se një euro për kilogram në mbi 1.7 euro, ndërsa importet gjithashtu janë zgjeruar. Kjo tregon se vendi është i integruar në tregun global të vezëve, por edhe i ekspozuar plotësisht ndaj krizave që nuk mund t’i kontrollojë. Megjithatë, pyetja kryesore mbetet se përse mungon mekanizmi vendor për t’i zbutur efektet.
Për këtë nga Ministria e Bujqësisë thonë se nuk kanë kompetencë për rregullimin e çmimit, ndërsa Qeveria, për momentin, kufizohet në deklarata për “monitorimin e tregut”. Ndër të tjera, edhe pse vezët për një periudhë të shkurtër u përfshinë në listën e produkteve me çmime të kontrolluara, sot ato janë lënë sërish nën mëshirën e tregut, një realitet që, në praktikë, po e përball qytetarin e zakonshëm me çmime gjithnjë e më të papërballueshme. /Koha/






