Zelensky: vetëm Amerika mund ta bindë Rusinë ta ndalojë luftën

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vetëm SHBA-të janë të afta ta bindin Rusinë që t’i japë fund luftës në Ukrainë, ndërsa diplomatët u mblodhën në Miami për bisedime të reja midis Kievit dhe Moskës.

    “Unë besoj se një forcë e tillë ekziston në Shtetet e Bashkuara dhe te presidenti Donald Trump”, tha Zelensky.

    Zelensky tha se SHBA-të kanë ofruar një format të ri potencial për bisedime paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë me pjesëmarrjen e të dërguarve amerikanë dhe ndoshta evropianë.

    Ukraina do të vendosë për formatin pasi të jetë e qartë nëse diskutimet dypalëshe me negociatorët amerikanë që rifilluan dje janë pozitive.

    Por, lideri ukrainas nuk dha detaje specifike se çfarë lloj formati kishte propozuar administrata e Trumpit.

    “SHBA-të thanë se do të kishin një takim të veçantë me përfaqësuesit e Rusisë”, tha Zelensky.

    “Dhe ata propozuan formatin e mëposhtëm, për aq sa kuptoj unë: Ukraina, Amerika, Rusia dhe, meqenëse atje ka përfaqësues të Evropës, ndoshta edhe të Evropës”, shtoi ai.

    Ukraina dhe Rusia nuk kanë negociuar ballë për ballë që nga korriku, por diplomacia e ndërmjetësuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare në Ukrainë është intensifikuar në javët e fundit.

    Përfaqësuesit ukrainas dhe evropianë zhvilluan një raund diskutimesh me homologët amerikanë në Shtetet e Bashkuara dje dhe ranë dakord të rifillojnë kontaktet së shpejti.

    Lajmi Paraprak

    MPB ende nuk e di ku është Artan Grubi

    Lajmi i rradhës

    Osman Kadriu: zbatimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nuk arrin as 30%

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë