Kur shoqëria hesht

    MIMOZA DAJÇI

    Vrasja e Arlindës në Kosovë nuk është vetëm një tragjedi familjare, ajo nxjerr në pah një plagë shumë më të thellë të shoqërisë sonë tolerancën e fshehtë dhe mbështetjen e heshtur që shpesh u jepet burrave të dhunshëm.

    Në një ambient ku mentaliteti patriarkal ende dikton rregullat, shpesh ndodh që faji t’i vishet viktimës. Arsyetimet banale se “gruaja provokoi”, apo se “këto janë punë familjare që s’duhen nxjerrë jashtë dyerve”, janë refrene të dëgjuara pafund. Ky reagim i shoqërisë nuk bën gjë tjetër veçse ushqen dhe fuqizon dhunuesin. Xhelozia e sëmurë e burrave primitivë nuk është shenjë dashurie apo kujdesi, por një dëshirë patologjike për pronësi dhe kontroll absolut mbi jetën e gruas.

    Kur kësaj xhelozie të verbër i shtohet edhe një shoqëri apo rreth familjar që hesht, normalizon sjelljet toksike ose anon nga ana e dhunuesit, skenat e tmerrit do të bëhen të pashmangshme. Përderisa shoqëria shqiptare do të vazhdojë të justifikojë burrat e dhunshëm dhe të minimizojë rrezikun e xhelozisë patologjike, asnjë grua dhe asnjë nënë nuk do të jetë e sigurt.

    Deri kur do të vazhdojmë të mbyllim sytë para këtij mentaliteti vrastar? Deri kur xhelozia primitive do të vazhdojë të fshihet pas albisë së “traditës” apo “nderit”? Reagimi i shoqërisë ndaj dhunës duhet të jetë i prerë dhe pa asnjë lloj kushti, dhuna nuk ka arsyetim dhe dhunuesi nuk duhet të ketë mbrojtje. Tragjedia e radhës, ishte në Kosovë, por ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në Shqipëri e kudo në botë. Mbyllur brenda mureve të shtëpisë, aty ku duhej të gjente siguri dhe ngrohtësi familjare, jeta e Arlindës u shua në mënyrën më brutale të mundshme.

    Një tjetër grua, një tjetër nënë, u shtua në listën e zezë të viktimave të dhunës në familjet shqiptare, duke lënë pas fëmijë të traumatizuar, familjarë të dëshpëruar dhe një shoqëri të tronditur që ende pyet, Kur do të ndalet kjo gjakderdhje e heshtur? Vrasja e Arlindës nuk është thjesht një “kronikë e zezë” e radhës apo në thojza incident. Ajo përfaqëson një fat tragjik të një zinxhiri dështimesh institucionale dhe shoqërore. Statistikat e viteve të fundit për dhunën e vrasjet ndaj grave nga burrat shqiptarë flasin qartë, dhuna me bazë gjinore është një plagë e hapur që vazhdon të gërryejë themelet e shoqërisë sonë.

    Shumë gra dhe nëna, përpara se të humbin jetën, përballen me muaj apo edhe vite heshtjeje, frike dhe mungese mbështetjeje. Ato vuajnë në heshtje, shpesh të izoluara nga paragjykimet e një shoqërie patriarkale, e cila në raste të caktuara fajëson viktimën ose minimizon sinjalet e alarmit. Humbja e një nëne nuk është vetëm një krim kundër një individi, ajo është shkatërrimi i një bote të tërë për fëmijët e saj, është një boshllëk i pazëvëndësueshëm për fëmijën. Djali i Arlindës tani përballet me një realitet të pamëshirshëm, pa mbështetjen e ngrohtësinë e saj. Trauma e humbjes së nënës në mënyrë kaq të dhunshme do të lërë plagë të pashlyeshme në psiqikën e tij, duke kërkuar një angazhim afatgjatë dhe serioz të institucioneve sociale për t’u kujdesur për të.

    Ajo që duhet urgjentisht është një reagim zinxhir institucional, duhet Zbatimi rigoroz i ligjit, gjykatat duhet të japin dënime maksimale dhe pa asnjë tolerancë për autorët e dhunës në familje. Policia dhe organet e rendit duhet të kenë mekanizma më të shpejtë dhe më efikasë për të parandaluar rritjet e konflikteve. Denoncimet e dhunës duhet të adresohen që në fillim për të parandaluar krimin dhe jo të lihen në heshtje nga institucionet përkatëse dhe shoqëria. Edukimi i brezave të rinj kundër dhunës dhe mentalitetit primitiv në famije duhet të nisë që nga bankat e shkollës.

    Tragjedia e Arlindës duhet të jetë kambana e fundit e alarmit. Është koha që pyetja “Ku po shkojmë”? të marrë një përgjigje përmes veprimeve konkrete, para se një tjetër nënë të shkëputet dhunshëm nga jeta e saj dhe e fëmijëve të saj. Çdo jetë e humbur nga dhuna në familje është një dështim i gjithë shoqërisë sonë. Heshtja është bashkëfajësi. Dhuna ndaj gruas në Shqipëri dhe në Kosovë mbetet një nga sfidat më komplekse sociale, ligjore dhe njerëzore me të cilat përballen të dyja shoqëritë.

    Në të dyja vendet, mentaliteti patriarkal dhe frika nga gjykimi i rrethit shoqëror apo familjar shpesh e pengojnë viktimën të denoncojë dhunën në hapat e parë. Mungesa e pavarësisë financiare, e drejta e kufizuar mbi pronën dhe vështirësitë në tregun e punës e bëjnë shpesh të pamundur largimin e menjëhershëm nga mjedisi abuziv. Por edhe në familjet shqiptare në Amerikë dhuna ndaj grave në disa familje është shumë prezente. Rasti konkret ish-bashkëshorti Arlindës jetonte mes Kosovës dhe SHBA.

    Fakti që fenomeni i dhunës ka shoqëruar primitivitetin dhe mentalitetin e ulët patriarkal tek disa meshkuj shqiptarë edhe përtej oqeanit, bazuar edhe statistikave e organeve të rendit në Bronx e më gjerë, dhuna është prezente çdo ditë edhe në SHBA nëpër disa familje shqiptare, dhe rastet janë dramatike. Abuzues apo shantazhues të tillë, i hasim kudo në jetën tonë, që si duket nuk ndjejnë pendesë për dënim që i kanë shkatuar familjes, por të mos harrojnë se dhuna brutale e tyre ushtruar ndaj gruas, nënës së fëmijëve, për pasojë sjell trauma të rënda edhe tek fëmijët. Ndikon negativisht në rritjen e edukimin e tyre.

    Studimet tregojnë se fëmijët që rriten në mjedise dhune janë viktima indirekte që mbajnë pasoja gjatë gjithë jetës, dhe mund të jenë dhunues në të ardhmen. Çdo artikull, çdo emision, çdo fushatë duhet të shërbejë për të dënuar aktin dhe për t’u dhënë kurajë atyre që ende heshtin. Zgjidhja e këtij problemi nuk është vetëm detyrë e policisë apo e gjykatave, është një detyrim moral i të gjithë shoqërisë. Sot më shumë se kurrë, mesazhi duhet të jetë i qartë, “Heshtja nuk është zgjidhje, dhe asnjë grua nuk është më e vetme”. Panorama

    Lajmi Paraprak

    Studentët në rrugë, partitë në tavolinë

    Lajme tjera

    E treta e vërteta

    Demushi Shasha Serbia është në udhëkryq. Një rrugë e çon Serbinë në perëndim, ku Serbia përqafon demokracinë liberale  tregun…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë