ARDIAN BUSHI
Qeveria luajti kartën e dialogut. Rama u lidh drejtpërdrejt në “Facebook”, premtoi ulje të tarifave për provimet e mbetura dhe kërkoi që studentët të caktojnë përfaqësues. Kërkesa duket e arsyeshme, por është edhe kurth: një lider i emëruar bëhet fytyrë që mund të sulmohet, të përçahet ose të blihet. Studentët e refuzuan.
Kanë arsye: në dhjetor 2018, protesta të ngjashme detyruan Ramën të shkarkonte tetë ministra dhe të shpallte “Paktin për Universitetin”. Tetë vjet më vonë, të njëjtat probleme i kanë rikthyer të rinjtë në rrugë. Opozita zgjodhi rrugën e kundërt: jo t’i ndalë, por t’i adoptojë. Që në ditët e para, Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve të linin gjithçka dhe t’u bashkoheshin studentëve, duke i quajtur të rinjtë të ngritur si feniksi nga hiri.
Javën e kaluar shkoi më tej: deklaroi se në ballë të protestave janë të rinjtë demokratë dhe se për Ramën nuk ka më kthim pas, do japë dorëheqjen. Një deklaratë që sfidon drejtpërdrejt protestuesit që janë në rrugë prej katër muajsh dhe studentët që u janë bashkuar prej më shumë se dy javësh, pa iu drejtuar kurrë PD-së. PD angazhoi avokatë për të shoqëruarit dhe kërkoi qeveri teknike për zgjedhje të parakohshme. Ndihma ligjore ka vlerë.
Por qeveria teknike nuk është kërkesë e studentëve. Është kërkesë e PD-së, e veshur me protestën e tyre. Paradoksi është i dukshëm: studentët thërrasin “Berisha në burg!”, ndërsa Berisha i paraqet si ushtrinë e vet. Edhe brenda kampit të djathtë ka zëra, si ai i Dritan Burgijas, që e akuzojnë Berishën se po përpiqet ta përvetësojë një revoltë që lindi jashtë kontrollit të tij. Por rrjeta nuk thuret vetëm nga dy partitë e mëdha.
Të rinjtë e Lëvizjes Bashkë të Arlind Qorit janë ndër më aktivët në shesh, aq sa disa prej tyre janë goditur nga policia dhe kanë përfunduar në spital. Agron Shehu me anëtarët e partisë së tij, Adriatik Lapaj dhe parti të tjera aleate të spektrit të djathtë janë afruar gjithashtu. Ulen me studentët në sheshe dhe në tavolina, bisedojnë, dëgjojnë. Foltoren ende nuk e kanë kapur. Por prania e tyre ka një logjikë që shkon përtej solidaritetit.
NDARJA E TEPSISË
Rama, kur erdhi në pushtet, e përdori me mjeshtëri ndarjen e tepsisë: copëzimin e votës kundërshtare në shumë rrjedha të vogla, që asnjëra nuk e kërcënonte dot. Nëse nesër vijnë zgjedhje të parakohshme, protesta e studentëve rrezikon të shndërrohet pikërisht në këtë: një tepsi e ndarë mes PD-së, Lëvizjes Bashkë, Shehut, Lapajt dhe kujtdo tjetër që sot ulet në tavolinat e sheshit. Secili do të marrë një copë. Studentët nuk do të marrin asgjë. Kjo është arsyeja pse asimilimi i studentëve u shkon për shtat politikanëve që synojnë pushtetin, edhe pse studentët kanë kërkuar burgosjen e pikërisht disave prej tyre.
Zemërimi i tyre është kapital elektoral i papronë, dhe secila parti nxiton të vërë mbi të vulën e vet. E njëjta skemë përsëritet çdo natë në studiot televizive. Nuk ka nevojë të emërtosh një emision të vetëm, sepse fenomeni është i përgjithshëm: studentët ftohen si të ftuar nderi, por trajtohen si nxënës në provim. U ndërpritet fjala, argumentet u nënvlerësohen si naive dhe, herët a vonë, u vjen pyetja e pashmangshme: me kë jeni? Pyetja nuk kërkon përgjigje, kërkon etiketë. Sapo studenti refuzon të zgjedhë kamp, debati kthehet aty ku ka qenë prej tridhjetë vitesh, te Rama dhe Berisha.
Kështu, zëri i një brezi që po përpiqet të dalë nga ky rreth rikthehet brenda tij, jo me forcë, por me format. Studentëve u ndërpritet fjala, u nënvlerësohen argumentet dhe u kërkohet të zgjedhin kamp. Kështu zëri i tyre tentohet të rikthehet pikërisht në rrethin Rama–Berisha prej të cilit përpiqen të dalin. Panorama




