Paga mesatare në vend mund ta arrijë mesataren evropiane për 39 vjet, nëse vazhdon trendi i rritjes që ka pasur gjatë pesë viteve të fundit. Edhe pse ky është një interval mjaft i gjatë kohor, nëse krahasohet me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, ku do të nevojiteshin më shumë se 100 vjet për të arritur mesataren evropiane të PBB-së për banor, kjo duket madje optimiste. Situata është edhe më e mirë sa i përket pagës minimale, e cila mund ta arrijë mesataren evropiane të pagës minimale për rreth dy dekada, nëse vazhdon trendi i rritjes nga pesë vitet e fundit, periudhë në të cilën kjo rritje ka qenë më e fuqishme.
Megjithatë, ky optimizëm zbehet duke pasur parasysh zhvillimet rreth pagës minimale gjatë vitit, vitit e gjysmë të fundit, si dhe ndryshimin e gatishmërisë për rritjen e saj përtej asaj që parashikon harmonizimi ligjor.
Këta tregues janë pjesë e studimit për konvergjencën (afrimin) e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, i cili u prezantua së fundmi në Shkup nga Instituti Ekonomik ZMAI, që mori pjesë në hartimin e këtij punimi, i cili është i qasshëm edhe online. Qëllimi i studimit ishte të shihej se sa vite do t’i nevojiten secilit shtet të rajonit për të arritur nivelin mesatar të BE-së në tetë fusha kyçe, duke analizuar gjithsej 40 indikatorë. Përveç pagës minimale, ndër indikatorët ekonomikë u shqyrtuan edhe PBB-ja për frymë, paga mesatare bruto, pensioni mesatar dhe produktiviteti, respektivisht prodhimi për punëtor.
PRODUKTIVITETI ËSHTË I MIRË
Branimir Jovanoviq, nga Instituti Ekonomik i Vjenës, i cili është pjesë e ZMAI-t, paraqiti vërejtje interesante për raportin ndërmjet rritjes së pagës mesatare dhe asaj minimale në raport me produktivitetin, që është edhe një nga argumentet kryesore të pushtetit aktual dhe të punëdhënësve, të cilët ngritën “dorën” kundër kërkesës së Sindikatës që paga minimale të rritet në 500 apo 600 euro. “Te ne shpesh thuhet se nuk jemi produktivë, por produktiviteti ynë si përqindje e mesatares së BE- së është më i lartë se paga. Ajo që prodhon punëtori maqedonas është rreth 53 për qind e asaj që prodhon punëtori në BE, natyrisht duke marrë parasysh se atje ka teknologji më të avancuar. Punëtorët tanë nuk janë aq të këqij. Nuk janë dembelë, nuk janë joproduktivë – relativisht janë në rregull”, theksoi Jovanoviq.
Ai shpjegoi se paga mesatare në Maqedoni aktualisht është rreth 33 për qind e mesatares së BE-së, pra punëtorët paguhen rreth një të tretën e asaj që paguhet në BE, ndërkohë që prodhojnë rreth 50 për qind të prodhimit evropian.
“Kjo do të thotë se produktiviteti ynë është më i lartë në raport me pagën sesa në BE, prandaj tregimi se pagat nuk duhet të rriten nuk qëndron. Është në rregull që produktiviteti të rritet, por te ne pagat janë më të ulëta se produktiviteti. Pra, nuk është e vërtetë se punëtorët tanë nuk janë produktivë,” theksoi ai, duke shtuar se kjo është një argument i fortë që pagat të rriten. Të njëjtat argumente, edhe pse në një masë më të vogël, vlejnë edhe për pagën minimale, e cila sipas këtij studimi është aktualisht në nivelin 45 për qind të mesatares së BE-së, ndërsa produktiviteti është 53 për qind, çka do të thotë se edhe këtu ka hapësirë për rritje të pagës minimale.
Për shembull, paga mesatare bruto në Maqedoni është rreth 1.000 euro, që është afërsisht një e treta e pagës mesatare në BE, e cila është rreth 3.000 euro. Nëse ekstrapolohen trendet e pesë viteve të fundit, për të arritur mesataren evropiane do të nevojiteshin rreth 40 vjet. Ndryshe nga pagat, sa i përket PBB-së për frymë, aktualisht qëndrojmë disi më mirë, sepse ajo është rreth 42 për qind e mesatares së BE-së, por rritja është më e ngadaltë, prandaj do të nevojitet më shumë kohë për ta arritur nivelin evropian. Dallimet më të mëdha janë te pensionet, ku pensioni mesatar te ne është vetëm 18 për qind e mesatares evropiane.
“Edhe tregimi se pensionet nuk duhet të rriten nuk qëndron sipas të dhënave. Pensionet duhet të rriten”, theksoi Jovanoviq. Sipas studimit, pagat në rajon janë më të larta në Serbi (rreth 1.150 euro), pasuar nga Bosnja dhe Mali i Zi, ndërsa Maqedonia është në vendin e katërt. Kosova dhe Shqipëria janë disi më poshtë.
“ANKAND” PËR PAGËN MINIMALE
Në periudhën e fundit, debatet për pagën minimale janë shndërruar në licitim të shifrave, pa masa konkrete: 500 euro, 600, 800, 1000… Një ankand i mirëorganizuar për një pagë që shumëkush do të donte ta shihte realitet, por që nuk po ndodh. Seanca e fundit e Këshillit Ekonomik-Social vetëm sa e konfirmoi atë që dihej: as pushteti, as punëdhënësit nuk kishin ndërmend t’i plotësonin kërkesat e Sindikatës së Maqedonisë për rritjen e pagës minimale nga 36.037 denarë bruto (24.379 denarë neto) në 500 apo 600 euro neto.
Qeveria deklaron se “që nesër” do ta pranonte një pagë minimale më të lartë nëse për këtë bien dakord punëtorët dhe punëdhënësit. Bizneset, nga ana tjetër, thonë se paga mund të rritet vetëm nëse shteti i mbulon kontributet shtesë – propozim që shumë ekonomistë e quajnë të papërshtatshëm, pasi do ta rëndonte edhe më shumë buxhetin publik. Kryeministri Hristijan Mickoski thekson vazhdimisht se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por ajo duhet të jetë rezultat i konsensusit ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve.
Ai shtoi se shpesh manipulohet me krahasime rajonale, sepse te ne flitet për paga neto, ndërsa jashtë për bruto, dhe sipas Eurostatit, fuqia blerëse e pagës minimale aktuale në Maqedoni është më e lartë se në të gjitha vendet fqinje, përjashtuar Greqinë. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se nga rreth 700 mijë të punësuar në vend, vetëm 35 mijë marrin pagë minimale, që përbën rreth 3-4 për qind, ndërsa shumica dërrmuese marrin paga më të larta, dhe Qeveria duhet të marrë parasysh interesin e të gjithëve. /Koha/






