Edhe këtë fundvit, Dibra është mbushur përplot me mërgimtarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga Amerika e largët, të cilët kanë ardhur për t’i kaluar pushimet dimërore në vendlindje.
Rrugë të gjata, shpesh mbi një mijë kilometra, janë përshkuar me aeroplan, autobus apo vetura private, vetëm për t’u ribashkuar me familjarët dhe për të përjetuar sërish atmosferën e qytetit të tyre. Si çdo vit, festat e fundvitit shndërrohen në një periudhë kur Dibra jo vetëm gjallëron, por merr edhe një “infuzion” të drejtpërdrejtë ekonomik. Verë e dimër janë tashmë dy stinët kur qyteti përjeton ritëm më të madh jetese, falë ardhjes së mërgimtarëve. Vetë prania e tyre lidhet me shpenzime të konsiderueshme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë lokale – nga tregtia dhe ndërtimtaria, te hoteleria, restorantet, kafenetë dhe shërbimet e tjera.
Mërgimtarët që këto ditë kanë mbërritur në Dibër janë kryesisht nga Italia, Gjermania, Zvicra, Austria dhe shtete të tjera evropiane, por nuk mungojnë as ata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qyteti është dukshëm më i gjallë: dyqanet kanë zgjatur orarin e punës deri në orët e vona, ndërsa nëpër rrugë shihen vetura me targa të huaja nga vende të ndryshme të botës.
Shumë prej mërgimtarëve thonë se gjatë qëndrimit në Dibër nuk kursejnë në shpenzime, pasi gjatë gjithë vitit kursejnë pikërisht për këto ditë. Njëri prej tyre është Arben Sulejmani, i cili prej 19 vitesh jeton në Gjermani. Ai thotë se pjesën më të madhe të mjeteve i shpenzon për rregullimin e banesës që ka blerë në Dibër, por edhe për dalje me familjarë dhe miq në restorantet e qytetit dhe në rrethinë, përfshirë edhe Peshkopinë në Shqipëri.
“Shpenzoj më së shumti nëpër lokale dhe restorante, dal të kënaqem me familjarë dhe miq. Për këto pushime kursejmë gjithë vitin. Ushqimi këtu më duket i shtrenjtë, sidomos nëse merren parasysh rrogat e vogla dhe papunësia. Për mua ndoshta nuk është problem, por për vendasit mendoj se është,” thotë Arbeni. Ringjalljen ekonomike e konfirmojnë edhe afaristët lokalë. Pronari i një picerie në Dibër thotë se këto ditë ka fluks të madh mërgimtarësh, veçanërisht nga komunat Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, ku mbi 70 për qind e popullsisë jeton në mërgim, kryesisht në Itali, Gjermani dhe Zvicër. Sipas tij, përveç konsumit nëpër lokale, mërgimtarët shpenzojnë ndjeshëm edhe për renovime dhe investime në shtëpitë e tyre.
Një shembull tjetër është Alije D., 60-vjeçare, e cila jeton në Zvicër dhe këto ditë ka ardhur në Dibër me bashkëshortin e saj. “Gjatë verës erdha me fëmijët dhe nipërit dhe nuk doja të punoja në banesë që të mos ua prishja pushimet. Tani kemi ardhur vetëm unë dhe bashkëshorti, i cili është pensioner, për t’i bërë renovimet që i kishim planifikuar,” thotë ajo.
Përveç investimeve dhe shpenzimeve për argëtim, një pjesë e mërgimtarëve i furnizojnë familjarët me ushqime bazë për disa muaj, u shlyejnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit, si dhe ndihmojnë financiarisht në raste sociale. Pavarësisht nëse mërgimtarët investojnë në prona, shpenzojnë për argëtim apo thjesht vijnë për pushime, ndikimi i tyre në gjallërimin e Dibrës është i drejtpërdrejtë dhe i dukshëm. Festat e fundvitit shndërrohen kështu në një shtysë të rëndësishme ekonomike për qytetin dhe rrethinën, duke dëshmuar edhe një herë rolin jetik që diaspora ka për zhvillimin lokal. /Koha/






