Çmimet e shitjes së prodhuesve industrialë në tregun vendor kanë vijuar rritjen edhe në fund të vitit, duke treguar se presioni mbi koston e prodhimit mbetet i pranishëm. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) në muajin nëntor, këto çmime janë rritur për 0.3 për qind krahasuar me tetorin, ndërsa në bazë vjetore rritja arrin në 4.6 për qind, duke reflektuar një akumulim të vazhdueshëm të kostove në sektorin industrial.
Edhe pse rritja mujore prej 0.3 për qind mund të duket e kufizuar, struktura e saj është domethënëse. Rritja më e lartë është regjistruar te mallrat e qëndrueshme për konsum të gjerë, me 3.0 për qind në vetëm një muaj. Kjo kategori përfshin produkte që zakonisht nuk blihen shpesh dhe për të cilat rritjet e çmimeve zakonisht janë më të rralla, çka tregon se prodhuesit po fillojnë të reflektojnë kosto më të larta edhe te produktet me cikël më të gjatë shitjeje. Paralelisht, rritja prej 0.5 për qind te produktet intermediare, përveç energjisë, sinjalizon se shtrenjtimi i lëndëve të para dhe i inputeve bazë po vazhdon të ushqejë presionin nga “brenda” i zinxhirit prodhues.
Në krahasim vjetor, çmimet e prodhuesve industrialë në nëntor 2025 janë 4.6 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me energjinë si komponentin kryesor shtytës. Rritja prej 6.9 për qind në grupin e energjisë tregon se, pavarësisht stabilizimeve të pjesshme në disa segmente të tregut, kostoja energjetike vazhdon të mbetet barrë e rëndë për industrinë. Kjo rritje reflektohet drejtpërdrejt edhe te produktet intermediare, të cilat shënojnë rritje vjetore prej 4.2 për qind, si dhe te mallrat jo të qëndrueshme për konsum të gjerë, me 4.4 për qind, duke dëshmuar se presioni po përhapet gradualisht në të gjithë strukturën e prodhimit.
Krahasuar me vitin e kaluar, rritja vjetore aktuale sugjeron një ritëm më të qëndrueshëm, por edhe më të “ngurtë” të shtrenjtimit. Ndryshe nga periudhat me luhatje të shpejta mujore, tani çmimet po rriten në mënyrë të vazhdueshme, çka rrit gjasat që këto kosto të mos absorbohen më nga prodhuesit, por të transmetohen te çmimet përfundimtare për konsumatorët. Në këtë kontekst, indeksi i çmimeve të prodhuesve shërben si tregues paralajmërues për inflacionin e ardhshëm në tregun me pakicë.
Ndër të tjera, të dhënat e ESHS-së tregojnë se indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhuesve në nëntor arrin në 100.3 pikë krahasuar me muajin paraprak, ndërsa niveli vjetor konfirmon se kostoja e prodhimit është dukshëm mbi bazën e një viti më parë. Kjo nënkupton se presioni i inflacionit nuk është më i kufizuar vetëm te çmimet e energjisë, por është shtrirë edhe te mallrat për konsum dhe inputet industriale, duke krijuar një efekt zinxhir në ekonomi. /Koha/






