I ftuar në Click Plus, deputeti i opozitës shqiptare, Halil Snopçe kur foli për sistemin “Qyteti i Sigurt”, tha se nuk janë kundër ligjeve, por fillimisht duhet të plotësohen disa standarde, që siç shtoi, po zhvaten qytetarët, përcjell Nistori.
“Ne dëshirojmë rrufeshëm të sjellim një ligj, a kemi shumë çështje të tjera prioritare në këtë shtet të cilat shkojnë me shpejtësi të breshkës”, kështu tha Snopçe, deputet i ASh-së së Taravarit kur u pyet për “Qyteti i Sigurt”. Sipas Snopçes, qytetarët nuk janë pyetur për këtë e siç tha, një ligj i tillë po kundërshtohet, ndërkohë tha se nuk është bërë debat publik e nuk është marrë mendim nga ekspertët e as nga universitetet.
Deputeti Ilir Hasani nga BDI tha se ligji është bërë për ta mbushur buxhetin e shtetit e për t’i zbrazur xhepat e qytetarëve.
“Ligjin nuk e votuam për shkak se nuk respektohet gjuha shqipe në të gjitha fazat e këtij ligji”, kështu tha deputeti Ilir Hasani dhe shtoi se askujt nuk i ka interesuar se a do të merren porositë edhe në gjuhën shqipe apo vetëm në gjuhën maqedonase. Hasani tha se që nga fillimi i kanë ngritur këto çështje dhe kërkuan që të ketë premtim publik se do të implementohet edhe gjuha shqipe, në të kundërtën nuk e votojnë ligjin,
Deputeti i pavarur Ilir Demiri tha se parimet që e udhëheqin në jetë e bënë që të votojë ligjin për “Qyteti i Sigurt”. Siç tha Demiri, e përkrahi një ligj të tillë dhe ka gjithmonë votë për ligjet që shpëtojnë jetë. Mes tjerash, ai tha se ligji është me rekomandime të BE-së dhe se në mënyrë graduale vendi afrohet me normativat europiane.
Demiri tha se thelbi i këtij ligji është siguria e qytetarëve dhe si i tillë do të implementohet në të gjtihë territorin e vendit. /Nistori/






