Mungesa e informimit, pasiguria dhe cenueshmëria e pacientëve, si dhe kultura e rrënjosur e gjetjes së “lidhjeve” dhe dhënies së ryshfetit, e “ushqejnë” korrupsionin në shëndetësinë publike. Prandaj, nevojiten masa gjithëpërfshirëse që do t’i përfshijnë pacientët, punonjësit shëndetësorë dhe institucionet kompetente, me qëllim uljen e praktikave korruptive. Këto janë përfundimet kryesore nga tribuna e tretë publike “Korrupsioni në shëndetësi – të flasim hapur”, e cila u mbajt në Shën Nikollë.
Nga Iniciativa Qytetare e Grave – Shëni Nikollë theksuan se hulumtimi i kryer mes grave në rajonin e Shtipit, Sveti Nikollës dhe Lozovës ka treguar se 60 përqind e grave kanë vështirësi në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, ndërsa pothuajse 53 përqind përballen me pengesa financiare për të mbuluar shpenzimet bazë.
“Kjo na tregon se varfëria, vendbanimi dhe qasja në shëndetësi shpesh janë të ndërlidhura. Kjo do të thotë se një grua që jeton në fshat dhe njëkohësisht ka vështirësi financiare është shumë më e ekspozuar ndaj parregullsive, abuzimeve dhe situatave në të cilat mund të ndiejë se nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të paguajë, të kërkojë lidhje ose thjesht të heqë dorë nga shërbimi i nevojshëm shëndetësor”, tha Irina Pockova nga Iniciativa Qytetare e Grave – Shën Nikollë.
Në tribunë mori pjesë edhe doktor Goran Andonov, specialist i mjekësisë së punës, sipas të cilit problemi me korrupsionin është kombinim i disa faktorëve, si niveli i ulët i informimit, mungesa e stafit dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme.
“Nëse rregullat nuk janë të qarta, nëse listat e pritjes nuk janë transparente, nëse pacienti nuk e di se kujt duhet t’i drejtohet dhe nëse kontrolli është i dobët, atëherë krijohet hapësirë që një individ ta keqpërdorë atë situatë. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm në gjetjen dhe ndëshkimin e individit. Duhet të zvogëlohen edhe kushtet në të cilat një sjellje e tillë mund të shfaqet”, theksoi Andonov.
Tribuna publike u mbajt në kuadër të projektit “Sistem më i fuqishëm për mbrojtje më të drejtë: Ulja e korrupsionit në shëndetësi”, të cilin e zbaton Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE. Në kuadër të projektit janë realizuar hulumtime dhe grupe fokusi me qytetarë dhe punonjës shëndetësorë.
“Një nga gjetjet më evidente dhe njëkohësisht më shqetësuese është se, megjithëse korrupsioni në shëndetësi është shumë i pranishëm, pothuajse askush nuk i raporton këto raste. Konkretisht, asnjë nga qytetarët që thanë se ishin përballur me korrupsion nuk e kishte raportuar rastin në institucionet kompetente. Në të njëjtën kohë, pothuajse 84 përqind e punonjësve shëndetësorë konsiderojnë se korrupsioni është pjesërisht ose shumë i përhapur në sektorin ku punojnë, por vetëm shtatë përqind e atyre që kishin dijeni për korrupsion e kanë raportuar rastin“, tha Darko Antiq nga Shoqata ESE.
Pjesëmarrësit në tribunë theksuan se lufta kundër korrupsionit në shëndetësi duhet të fillojë me rritjen e transparencës dhe informimit të pacientëve, si dhe përmirësimin e besimit në mekanizmat e raportimit.
“Një pjesë e qytetarëve kanë frikë nga pasojat e mundshme, sepse përsëri do të kenë nevojë për të njëjtin shërbim shëndetësor. Të tjerët nuk e dinë nëse mund të mbeten anonimë ose nuk besojnë se raportimi i tyre do të sjellë ndryshim. Prandaj, nuk mjafton vetëm të ekzistojë mundësia për raportim, por është e domosdoshme që qytetarët të dinë se ku të raportojnë, si mbrohen dhe çfarë ndodh me raportimin e tyre”, tha Pockova.
Tribuna e fundit publike e karvanit “Korrupsioni në shëndetësi – të flasim hapur” do të mbahet më 17 tetor në Tetovë.




