800 deri në 1 mijë paciente çdo vit diagnostifikohen me kancerin e gjirit në Maqedoni. Mjekët thonë se vetëkontrolli dhe zbulimi i hershëm janë thelbësorë për diagnostikimin në kohë. Një kontroll që zgjat pak minuta mund të bëhet një hap i rëndësishëm për shëndetin. Por sa të ndërgjegjësuara janë gratë për kontrollet e gjirit dhe sa shpesh kujtohen për shëndetin, apo vetëm kur shfaqet një problem? Drejtuesja e Shoqatës “Ezra”, Liridona Beqiri thotë se të gjithë duhet të shfaqin kujdes duke filluar nga ndërgjegjësimi personal.
“Gjithmonë fushatat tona konsistojnë rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit te popullata sepse patjetër që kujdesi për shëndetin fillon nga ndërgjegjësimi përsonal duke vijuar më tej me vetë kontrollin dhe kontrollet parandaluese të cilat duhet të jenë pjesë e rutinës së kujdesit apo kulturës sonë shëndetësore që fatkeqësisht ne ende nuk po arrijmë në atë nivel që ne po insistojmë të arrijmë me fushatat tona.” – Liridona Beqiri, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës Ezra.
Ajo thotë se kanceri i gjirit nuk njeh gjini apo grup moshë, sepse kjo sëmundje tanimë po prek edhe moshën e re.
“Incidenca e kancerit të gjirit tani më ka ndryshuar edhe vektorin e paraqitjes ne varësi të grup moshave. Shumë më heret asocim për të pasur kancer të gjirit gjithmonë kanë qenë gratë më të shtyera në moshë mbi moshën 50 vjeçare, por tani më fatkeqësisht ky realitet ka ndryshuar sepse kanceri nuk bënë dallim në moshë por as në gjini dhe ne kemi evidente shumë vajza të reja të cilat janë të prekura nga kanceri i gjirit edhe atë në faza shumë të vonshme.” – Liridona Beqiri, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës Ezra.
Kanceri i gjirit është një sëmundje që nuk jep simptoma apo dhimbje prandaj gjithmonë mesazhet vijojnë me atë që të mos anulohen kontrollet dhe rekomsndohet të fillojnë kontrolle që nga mosha 17 vjeç, të paktën një herë në vit. Përmes simbolit rozë, Tetori synon të afrojë vëmendjen te një çështje që prek gra dhe familje në mbarë botën, duke e kthyer ndërgjegjësimin në një hap drejt kujdesit dhe shpresës. Ky muaj shënon ndërgjegjesimin për kancerin e gjirit, duke vendosur fokus në rëndësinë e informimit, parandalimit dhe zbulimit të hershëm./Alsat




