Filipçe paralajmëron krizë ekonomike dhe ardhje të migrantëve për para: nevojiten zgjedhje të parakohshme

    Një krizë ekonomike, e ndjekur nga ardhja e “migrantëve për para”, janë skenarët që e presin vendin, thotë kryetari i Bashkimit Social Demokrat (LSDM), Venko Filipçe, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), përcjell Nistori.

    Ai akuzon qeverinë për izolimin e vendit nga rruga evropiane, duke paralajmëruar njëkohësisht për lidhjet me autoritetet në Serbi dhe Hungari, si dhe me Rusinë.

    Duke folur për zhvillimet brenda partisë, Filipçe thotë se nuk ka frikë nga një grusht shteti, pasi, sipas tij, ka dalë i suksesshëm nga kongresi i fundit, ku ka marrë sugjerime të ndershme dhe të drejtpërdrejta.

    I pyetur se kur pret të mbahen zgjedhje të parakohshme, ai tha se nuk mund ta parashikojë me siguri, por beson se ato do të zhvillohen në përputhje me krizën që, sipas tij, e pret vendin.

    “Kjo qeveri interesohet vetëm për interesat e veta, sepse duhet të ofrojë atë që kurrë nuk e mohoi – se migrantët do të mbërrijnë për para. Për këtë arsye nevojiten zgjedhje të parakohshme. Nëse do të jenë në fund të këtij viti apo vitin e ardhshëm, do ta shohim, por nuk do të jetë e mundur të durohet kështu deri në vitin 2028”, tha Filipçe.

    Lidhur me pyetjen nëse ka informacione për ndonjë platformë apo iniciativë brendapartiake për zëvendësimin e tij, ai tha se ka dëgjuar spekulime të tilla, por i vlerëson ato si të pavërteta.

    “Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë. Duhet të them një gjë: unë kam mandat legjitim. Disa muaj më parë, 20 mijë anëtarë votuan që unë ta drejtoj partinë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Dyert janë të hapura për të gjithë”, tha ai.

    Ai theksoi se ka dalje të ndryshme publike të shokëve të partisë, të cilat i konsideron të pasakta, duke shtuar se vërejtjet duhet të bëhen brenda partisë.

    “Kushdo që ka diçka për të thënë, le ta thotë. Dyert janë të hapura për të gjithë. Unë jam i hapur të dëgjoj të gjitha sugjerimet këtu, në parti”, shtoi kreu i LSDM-së.

    I pyetur nëse i frikësohet një grushti shteti në LSDM, ai u përgjigj negativisht, duke theksuar se qëllimi që partia të kthehet në rrugën fituese është në anën e tij, përkatësisht në anën e udhëheqjes aktuale.

    Çdo fragmentim brenda LSDM-së, sipas tij, shkon në dobi të VMRO-DPMNE-së.

    “Ne e dimë për komunikimin dhe mbështetjen që ata kishin gjatë periudhës kur u formua ZNAM, dhe tani ata janë formalisht në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Këta janë ish-anëtarët tanë. Pra, çdo fragmentim shtesë shkon vetëm në dobi të VMRO-DPMNE-së dhe, për fat të keq, në asnjë dobi për qytetarët apo për shtetin”, tha Filipçe. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Gjermani, për çfarë po i shpenzon Bundeswehri mliardat?

    Lajmi i rradhës

    Rritet toleranca për shpejtësinë, por gjobat vijojnë nga “Qyteti i Sigurt”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë