Në të dy anët e kufirit mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por edhe në rajonin më të gjerë, ekzistojnë shumë kullosa unike alpine me vlera të mëdha natyrore, të cilat garantojnë zhvillim të qëndrueshëm të blegtorisë. Kjo, mes të tjerash, theksohet në vlerësimin e dhënë nga ekipi studimor për gjendjen dhe produktivitetin e kullosave në Zonën e Mbrojtur Korab–Koritnik. Këto vlera kërkojnë një mbrojtje maksimale të kullosave alpine.
Në vlerësim potencohet se studimi i gjendjes dhe produktivitetit të kullotave në Zonën e Mbrojtur Korab–Koritnik pritet të japë rezultate pozitive dhe me rëndësi afatgjate. Sipas informatës, në këtë zonë ndodhen disa nga kullotat më unike alpine dhe subalpine në Shqipëri, me vlera të rralla për biodiversitetin, me ndikim të drejtpërdrejtë në rregullimin e klimës dhe në jetesën e barinjve dhe të popullsisë lokale.
Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe shfrytëzimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura në Malin e Sharrit, Mavrovë dhe Korab–Koritnik”, i financuar nga programi PONT – Prespa Ohrid Nature Trust dhe i zbatuar nga ALCDF në bashkëpunim me partnerët CSCD dhe LAG Dibra Turistike. Një studim i detajuar i gjendjes aktuale dhe i kapaciteteve prodhuese të kullotave në ZM Korab–Koritnik është kryer nga ekipi i ALCDF-së, në bashkëpunim me studiuesin Elvin Toromani nga Fakulteti i Shkencave Pyjore në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Studimi është fokusuar në vlerësimin e gjendjes aktuale të kullotave, produktivitetin e tyre dhe kërcënimet kryesore ndaj këtyre ekosistemeve të brishta, nga kullotja e tepërt dhe erozioni, deri te ndryshimet klimatike dhe fragmentimi i habitateve.
Sipas informatave të trupit koordinues, puna po vazhdon nga ekipi i ALCDF-së dhe ekspertët, të cilët po konsultohen me palët e interesit, po prezantojnë studimin dhe pritet që së shpejti të dalin me rekomandimet kryesore. Synimi është që këto ekosisteme malore të vazhdojnë të mbrohen dhe të shfrytëzohen në harmoni me natyrën, në funksion të jetesës tradicionale baritore, për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Duke marrë parasysh faktin se edhe Dibra shtrihet në brezin kufitar, veçanërisht komuna rurale Mavrovë–Rostushë, vlerësimet që lidhen me kullosat unike mund të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e blegtorisë në këtë rajon. Në shoqatat e blegtorëve dibranë, si dhe në ato të komunës Mavrovë–Rostushë, theksohet se mbrojtja e kullosave në rajonin ndërkufitar garanton një zhvillim të qëndrueshëm të bagëtisë. Në kullosat e këtyre maleve, para më shumë se pesë dekadash në Maqedoni kishte mbi 100 mijë dhen, ndërsa sot kanë mbetur rreth 30 mijë. Pikërisht vlerësimet e studiuesve tregojnë se kullosat unike alpine duhet të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e blegtorisë, si në pjesën e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Maqedonisë së Veriut. /Koha/






