Qendra për Kërkime dhe Informacion Mjedisor “Eko vetëdije” ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për një riaktivizim të mundshëm të projektit të hidrocentralit “Ura Boshkut”, duke e cilësuar atë si të paligjshëm, ekonomikisht të paqëndrueshëm dhe me pasoja serioze për Parkun Kombëtar të Mavrovës, përcjell Nistori.
Në një letër drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, “Eko vetëdije”, thekson se projekti bie ndesh me ligjet kombëtare, detyrimet ndërkombëtare dhe standardet moderne mjedisore, duke kërcënuar drejtpërdrejt integritetin ekologjik të një prej zonave më të mbrojtura në vend.
Sipas “Eko-vetëdije”, ndërtimi i hidrocentralit në Mavrovë shkel detyrimet që Maqedonia e Veriut ka si nënshkruese e Konventës së Bernës. Organizata rikujton se Komiteti i Konventës ka paralajmëruar që në vitin 2015 se projekti “Ura Boshkut” rrezikon habitatin e rrëqebullit të Ballkanit – specie në rrezik kritik zhdukjeje, e cila ka strehën e saj të fundit pikërisht në këtë zonë. Komiteti kishte kërkuar ndalimin e të gjitha projekteve hidroenergjetike brenda parkut.
Në vitin 2025, Komiteti i Bernës konstatoi se nuk kishte përparim të dukshëm në zbatimin e rekomandimeve, përfshirë anulimin e koncesioneve ekzistuese dhe rishpalljen urgjente të Parkut Kombëtar të Mavrovës sipas standardeve ndërkombëtare.
Përveç aspektit mjedisor, “Eko vetëdije” thekson se projekti është edhe ekonomikisht i pajustifikuar. Studime të ekspertëve të pavarur dhe institucioneve financiare ndërkombëtare tregojnë se kostot e ndërtimit janë shumë më të larta se përfitimi energjetik, ndërsa dëmi ndaj ekosistemit është i pariparueshëm. Sipas organizatës, investimi në Ura Boshkut përfaqëson një hap prapa, në një kohë kur burimet e rinovueshme si energjia diellore dhe ajo e erës janë më efikase dhe më të lira.
Organizata i bën thirrje Qeverisë për zbatim urgjent të rekomandimeve të Konventës së Bernës, refuzim të të gjitha projekteve hidroenergjetike në zonat e mbrojtura dhe rishpallje të menjëhershme të Parkut Kombëtar të Mavrovës. Sipas saj, vonesa e gjatë ka krijuar një vakum ligjor që po lejon projekte të dëmshme infrastrukturore në zemër të parkut.
“Rishpallja e Mavrovës nuk është formalitet administrativ, por mekanizëm thelbësor për mbrojtjen reale të parkut, në përputhje me standardet e IUCN-së dhe detyrimet ndërkombëtare”, thuhet në reagim. Një ligj i ri për parkun, sipas organizatës, do t’i jepte fund praktikës së projekteve ad-hoc që sakrifikojnë interesin publik dhe trashëgiminë natyrore për përfitime afatshkurtra.
Në fund, “Eko vetëdije” i bën thirrje kryeministrit për lidership të bazuar në shkencë dhe interes publik, duke theksuar se natyra nuk është burim për fitim të shpejtë, por trashëgimi që duhet ruajtur për brezat e ardhshëm. /Nistori/






