Shkëputja morale

    Sead Zimeri
    Filozof

    Dosjet e Epstein përmbajnë krime të tmerrshme. Por ajo që mësojmë nga dokumentet e bëra publike rreth këtij rasti shkon përtej krimeve individuale. Ajo është aq e madhe sa rrezikon të thyejë atë që e mban një shoqëri të bashkuar: besimin midis atyre që kanë pushtet dhe qytetarëve.

    Por çfarë lloj besimi ishte ky? Dhe pse thyerja e tij është kaq tronditëse?

    Pabarazinë e dinim prej kohësh dhe e kishim pranuar si amor fati, si kushtin e pandryshueshëm të botës. Dinim që të pushtetshmit jetojnë në mënyra të paarritshme për shumicën: pallate, jahte, ishuj privatë, privilegje që ne mund t’i ëndërrojmë, por kurrë t’i arrijmë. Në një farë mënyre e kishim pranuar këtë.

    Por kishim ruajtur një besim të heshtur, një kontratë që askush nuk e kishte nënshkruar, por që të gjithë e ndjenin: se ata, megjithë privilegjet e tyre, mbeteshin brenda horizontit tonë moral. Se ekzistonte një kufi i përbashkët që askush nuk e kalonte, pavarësisht sa i pasur apo i fuqishëm të ishte. Se, përtej diferencës së pamasë në pasuri dhe pushtet, jetonim të gjithë në të njëjtin univers normativ, ku disa gjëra thjesht nuk bëhen.

    Dosjet e Epstein e shkatërruan këtë iluzion. Ato sugjeruan se njerëz me pushtet kishin ndërtuar një botë paralele ku rregullat tona nuk vlejnë. Një botë ku mund të shfrytëzosh fëmijë dhe të vazhdosh të frekuentosh elita politike e ekonomike. Nuk ishte krimi si i tillë që tronditi, kriminelë ka në të gjitha shtresat. Ishte sistematiciteti dhe ndjenja e pandëshkueshmërisë që e shoqëronte.

    Por kjo logjikë nuk është e re. Për ta kuptuar më mirë, duhet të shikojmë prapa në histori.

    Thomas Jefferson, autori i Deklaratës së Pavarësisë, filloi një marrëdhënie seksuale me Sally Hemings kur ajo ishte adoleshente dhe ai në moshë të pjekur, ajo 14–16 vjeç dhe ai 44. Hemings ishte skllave e tij dhe pati gjashtë fëmijë me të gjatë gati katër dekadave. Jefferson nuk ishte përjashtim. Shumë figura qendrore të elitës politike amerikane të asaj kohe zotëronin skllevër, dhe marrëdhëniet seksuale mes zotërinjve dhe skllaveve ishin aq të zakonshme sa kishin edhe një emërtim popullor, “familje hije”.

    Viktimat e Epstein ishin, në një kuptim të rëndësishëm, ekuivalente moderne të këtyre vajzave dhe grave të skllavëruara. Nuk ishin vajza të pasura apo me status të lartë, por të varfra, nga familje të klasës punëtore, të cenueshme pikërisht për shkak të mungesës së pushtetit dhe mbrojtjes. Klasa dhe gjinia i bënin pre të lehtë, ashtu siç statusi i skllavit e bënte Hemings të pambrojtur ndaj zotëriut të saj. Në të dyja rastet, të pushtetshmit shfrytëzuan ata që nuk kishin fuqi për t’u mbrojtur.

    Por këtu qëndron një dallim vendimtar.

    Jefferson bënte diçka moralisht të neveritshme, por ligjore në kohën e tij. Skllavëria ishte e ligjshme dhe përdhunimi i skllaveve nuk njihej si krim, sepse skllevërit nuk kishin personalitet juridik. Epstein dhe rrethi i tij, nga ana tjetër, bënin diçka që ishte njëkohësisht moralisht e neveritshme dhe e ndaluar me ligj. Koha kishte ndryshuar, ligjet kishin ndryshuar, ndërgjegjja morale kishte evoluar, por ata vepruan sikur këto ndryshime nuk ekzistonin për ta.

    Pse ka rëndësi ky dallim? Sepse legaliteti i jep ndalimit moral një cilësi shtesë, e bën atë të detyrueshëm për të gjithë njësoj. Kur diçka bëhet ligj, kjo do të thotë që ata me pushtet dhe ata pa të janë të lidhur njëlloj nga ai ligj. Ligji krijon një hapësirë të përbashkët ku askush, pavarësisht pasurisë apo ndikimit, nuk mund të pretendojë imunitet.

    Këtu shfaqet një paradoks që duhet shqyrtuar.

    Ne priremi të mendojmë utilitarisht për njerëzit e mëdhenj. Peshojmë të mirën dhe të keqen, dhe nëse bilanci del pozitiv, jemi të prirur t’i falim gabimet. Një figurë historike mund të ketë bërë gjëra madhore për vendin e vet, prandaj pyesim nëse duhet gjykuar për jetën private. Por kjo logjikë nuk aplikohet njësoj për të gjithë. Njeriu i zakonshëm që kryen krim nuk mund të thotë, mendoni kontributin tim në shoqëri. Për njerëzit e zakonshëm kemi standarde absolute, ligje, gjykata, dënime. Për ata që kanë pushtet shpesh përdorim standarde relative, peshojmë, balancojmë, justifikojmë.

    Një rast tjetër i përmendur në lidhje me këtë rrjet ilustron të njëjtën logjikë. Sipas raportimeve, trurë njerëzorë u transportuan nga Maqedonia e Veriut drejt laboratorëve amerikanë për kërkime shkencore. Reagimi zyrtar ishte i menjëhershëm: gjithçka ishte ligjore, procedurat u ndoqën, askush nuk përfitoi financiarisht. Por kjo përgjigje mbulon thelbin e çështjes. Legaliteti nuk është legjitimitet. Kur bëhet fjalë për qëllime të quajtura të larta, si shkenca apo përparimi, trupat e njerëzve të zakonshëm rrezikojnë të trajtohen si material i disponueshëm, ndërsa publiku mbetet në errësirë.

    Në ndërgjegjen tonë bashkëkohore, shfrytëzimi i fëmijëve konsiderohet kufiri absolut i së keqes, një vijë që askush nuk duhet ta kalojë. Ky kufi është arritje e qytetërimit modern. Kemi zhvilluar ligje, kemi krijuar institucione mbrojtëse, kemi ndërtuar një konsensus moral dhe ligjor që i vendos fëmijët jashtë çdo kalkulimi utilitar.

    Nëse kjo është e vërtetë, atëherë lind një pyetje e vështirë. A zbatohet ky kufi në mënyrë të barabartë për të gjithë fëmijët? Në konfliktet e armatosura, fëmijë të varfër në vende të largëta vriten dhe përshkruhen si kosto të pashmangshme të operacioneve ushtarake. Gjuha teknike, si “dëm kolateral”, ka të njëjtin efekt, fshin fytyrat dhe e kthen vdekjen në statistikë. Kjo sugjeron se ndjeshmëria jonë e re morale është reale, por ende jo plotësisht universale.

    Çfarë duhet bërë me këtë njohje?

    Nuk ka kuptim të thuhet se njerëzit e pasur apo të fuqishëm janë të këqij nga natyra. Problemi është më i thellë. Në rrethanat e duhura, pushteti i pakontrolluar ka tendencë të korruptojë. Studime të shumta tregojnë se njerëzit në pozita të larta bëhen më pak empatikë dhe më të prirur të anashkalojnë norma. Kjo nuk është akuzë morale ndaj disa individëve të veçantë, por një diagnozë për një strukturë.

    Por një diagnozë nuk është justifikim. Nëse e dimë se pushteti pa kontroll çon në abuzim, atëherë detyra jonë është të ndërtojmë institucione që e kufizojnë dhe e mbikëqyrin atë. Transparenca dhe llogaridhënia nuk janë luks, por mbrojtje minimale kundër degradimit moral të atyre që vendosin për jetët e të tjerëve.

    Prandaj, rasti Epstein nuk është thjesht një skandal penal. Është simptomë e një problemi më të thellë, shkëputjes morale të pushtetit nga pjesa tjetër e shoqërisë. Kur disa njerëz jetojnë faktikisht jashtë ligjit dhe jashtë botës së përbashkët morale, kontrata shoqërore dëmtohet në rrënjë. Nuk prishet vetëm drejtësia për viktimat. Prishet besimi se të gjithë, pavarësisht statusit, janë të lidhur nga të njëjtat rregulla.

    Nëse ky besim humbet, nuk mbetet shumë për ta mbajtur një shoqëri të bashkuar. Prandaj pyetja nuk është vetëm kush do të ndëshkohet, por çfarë duhet ndryshuar që askush të mos jetë më në gjendje të jetojë jashtë hapësirës së përbashkët të ligjit dhe moralit. Pa këtë hapësirë të përbashkët, ne nuk jemi më një shoqëri, por thjesht njerëz që ndajnë të njëjtin territor dhe shumë pak tjetër. /Nistori/

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Fituesit e Topit të Artë nga 1956 deri sot

    Lajmi i rradhës

    Shkëlqimi i shkurtër dhe degradimi i gjatë i një princi arrogant

    Lajme tjera

    Ç’është dashuria 

    Orhan Pamuk Dashuria është dorëzimi. Dashuria është shkaku i dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është një muzikë.…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë